Britania në det

Britania në det
  • 28 June 2016 - 11:10

Shkruan: Shkruan: Carl Bildt 

Britaninë e Madhe mund ta presin edhe shumë thyerje të tjera.

Në fillim të viteve të 1960-a, ish-sekretari amerikan i shtetit, Dean Acheson, kishte thënë që Mbretëria e Bashkuar kishte humbur një perandori dhe ende nuk e kishte gjetur rolin e vet. Pas kësaj, disa liderë britanikë ishin mundur ta ndryshonin këtë gjë, duke kërkuar një rol të ri të Britanisë në Evropë. Referendumi i këtij vendi për "Brexit", në të cilin shumica e votuesve e kanë shprehur dëshirën e tyre për t'u larguar nga Bashkimi Evropian, përfaqëson dështimin e madh të këtyre përpjekjeve dhe përfundimin e një epoke. Rrugëtimi i Britanisë drejt Evropës ka filluar në fillim të viteve të 1970-a, kur kryeministri pro-evropian, Edward Heath, e kishte çuar vendin drejt Komunitetit Evropian Ekonomik, pararendësi i BE-së. Pasardhësi i tij, Harold Wilson, e kishte siguruar anëtarësinë me një referendum në vitin 1975. Pastaj Margaret Thatcher kishte nënshkruar Aktin e Përbashkët Evropian, që kishte krijuar tregun e përbashkët - njëri nga hapat më të rëndësishëm në integrimet evropiane. Pasardhësi i saj, John Major, i cili ka bërë kampanjë aktive që Britania të mbetej pjesë e BE-së deri para referendumit të fundit, ka qenë shumë i rëndësishëm në arritjen e Traktatit të Mastrihut. Gjatë kohës kur Tony Blair ka qenë në pushtet ai vazhdimisht ka folur për misionin evropian të Britanisë së Madhe. 

Nostalgjia për të kaluarën Pastaj ka ardhur David Cameron, i cili ka pasur lëkundje në përpjekjet e tij për ta mbajtur Partinë Konservative të unifikuar dhe ka përfunduar duke e humbur edhe Evropën edhe partinë. Për të qenë më i saktë, Cameron nuk ka pasur punë me një audiencë të këndshme. Shumë britanikë kanë një lloj nostalgjie për të kaluarën, të cilën e kujtojnë si më të njohur, më të kontrolluar dhe më të sigurt. Kjo nostalgji vazhdimisht është fuqizuar nga një kampanjë sarkastike antievropiane dhe, në veçanti, antigjermane, e udhëhequr nga disa prej medieve kryesore në vend. Viteve të fundit, në 'Daily Mail' ose në 'the Sun' kemi pasur mundësinë ta shohim shpalosjen e një nacionalizmi atavik - shpeshherë i mbështetur me gënjeshtra zhurmëmadhe - në një shkallë që rrallëherë shihet në shtetet evropiane. Ka ekzistuar një problem i madh edhe me mënyrën se si kanë rrjedhë gjërat. Liderët, të cilët kanë qenë me mish e me shpirt pro integrimeve evropiane, kanë hezituar ta mbrojnë BE-në në një mënyrë të fuqishme e inspiruese, pasi që u janë frikësuar dështimeve politike. Në anën tjetër, liderët të cilët kanë qenë kundër BE-së, si puna e ish-kryetarit të Londrës, Boris Johnson, i cili e ka udhëhequr kampanjën për largim, thjesht kanë vazhduar me aplikimin e një formule të provuar: ndezja e frikës në baza të nacionalizmit. 

Zgjerimi ka ndihmuar fuqizimin e sigurisë së Evropës Megjithatë, kur liderët britanikë e kanë kaluar Kanalin Anglez drejt Evropës, gjithçka kishte ndryshuar. Duke lënë prapa euroskepticizmin, ata kishin vazhduar me thellimin e rolit të Britanisë së Madhe në Evropë. Kur kam qenë ministër i punëve të jashtme në Suedi, kam marrë pjesë në më shumë se 130 mbledhje të ndryshme të këshillave ministrorë të BE-së dhe me shumë sinqeritet mund të them që zëri i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë ndër më të zëshmit, në secilin prej këtyre takimeve. E vërteta është që BE-ja e këtyre dekadave të fundit është formësuar jo pak edhe nga Britania e Madhe. Progresi në tregun e përbashkët ka ndihmuar në ngritjen e konkurrencës. Marrëveshjet për tregti të lirë dhe ofrimi i qasjes për ekonomitë evropiane në një sërë tregjesh të mëdha nëpër botë. Arritja e një marrëveshje klimatike globale premton jo vetëm mbrojtjen e mjedisit, mirëpo edhe sigurimin e rolit të Evropës si lider në qëndrueshmëri. Zgjerimi ka ndihmuar fuqizimin e sigurisë së Evropës në masë të madhe. Këto, sipas të gjitha standardeve të arsyeshme, janë arritje të rëndësishme, të udhëhequra nga Britania e Madhe. Mirëpo, ky kryesisht ka qenë një sekret i ruajtur mirë përbrenda kufijve. Ky është dështimi që qëndron në rrënjët e fatkeqësisë së 'Brexit'- it. Britania e Madhe tashmë zyrtarisht e ka humbur mundësinë për sigurimin, njëherë e përgjithmonë, të rolit udhëheqës në Evropë. Për më tepër, politika nacionale e Britanisë së Madhe është në rrënoja. Partia Konservative është shumë e përçarë; Partia Laburiste po udhëhiqet nga një lidershipi i majtë përplot nostalgji dhe liberaldemokratët pothuajse veçse kanë dalë nga skena politike. 

 

Virusi i divorcit politik është dëshmuar të jetë ngjitës Britaninë e Madhe mund ta presin edhe shumë thyerje tjera. Nicola Sturgeon, ministri i parë i Skocisë, që ka votuar për qëndrim në BE, ka thënë që gjasat që të mbahet edhe një referendum për pavarësinë e Skocisë janë shumë të mëdha, duke e quajtur largimin e Skocisë nga BE-ja si të "papranueshëm në demokraci". Ndonëse mundësia që të ndodhë edhe një ndarje vazhdon të jetë e pamundur të parashikohet, virusi i divorcit politik është dëshmuar të jetë ngjitës dhe një Evropë më e fragmentuar pa dyshim që është më pak e sigurt. Teksa i janë përgjigjur një pyetjeje të vetme, votuesit më të vjetër anglezë - baza e elektoratit të kampanjës për largimin e Britanisë - kanë ngritur edhe një sërë pyetjesh të reja. A do ta kërkoj Britania e Madhe një lloj marrëdhënie të tipit 'satelit' me BE-në? A mos do të shndërrohet Britania në një hapësirë të parëndësishme rurale ose një qendër financiare "offshore" në Temëz? A do të jenë në gjendje liderët e Britanisë që t'ia gjejnë vendit të tyre një rol të ri për ta luajtur në Evropë, apo do të lejojnë që Britania të rrëshqet në jorelevancë? Këtë gjë do ta dëshmojë vetëm koha. E, në ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar pritet të përjetojë dhimbje të mëdha politike dhe ekonomike. Carl Bildt ka qenë ministër i jashtëm i Suedisë në periudhën 2006-2014 dhe kryeministër i këtij vendi në periudhën 1991-1994, kur edhe është negociuar anë- tarësimi i Suedisë në BE. Si diplomat i shquar, ai ka shërbyer në shumë misione të rëndësishme të BE-së dhe OKB-së.

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)