Interesat e Kosovës nuk mbrohen me këtë kastë politike në pushtet

Interesat e Kosovës nuk mbrohen me këtë kastë politike në pushtet
  • 30 June 2016 - 08:14

Shkruan Skënder Mulliqi

Barrikada "Rojat e urës", barrikada me gurë dhe zhavorr dhe barrikada "Parku i Paqes" janë barrikadat, të cilat në mënyrë permanente po shënojnë kufirin ndarës të veriut serb dhe jugut shqiptar. Për ta futur ngadalë veriun e vendit nën juridiksionin e Serbisë, serbët të udhëhequr nga politika zyrtare e Beogradit morën hapin tjetër për ndërtimin e lagjes "Lagjja e Diellit", duke filluar kolonizimin me ndërtime të reja nga fondi i Qeverisë së Serbisë. Hapi i radhës brenda një harku kohor të shkurtër të serbizimit të Kosovës është vendosja e bustit të Car Llazarit në qendër të qytetit. Të gjitha këto hapa po bëhen për grabitjen e territorit të Kosovës, e kjo udhëheqje jona ka mbetur duke bërë sehir. 

Një okupim i ri Disa këto veprime serbe po i klasifikojnë si shkelje të shtetësisë së Kosovës, në vend që t'i klasifikojnë si grabitje të reja të një territori legjitim nga ana e Serbisë. Këtu nuk bëhet fjalë për shkelje ligjesh, për shkelje të Kushtetutës, por bëhet fjalë për një okupim të ri. Mos të flasim për hyrje-daljet e zyrtarëve më të lartë serbë edhe në brendi të territorit të Kosovës gjatë këtyre viteve, pa i pyetur fare organet tona të shtetit. Serbët qëndruan pa lejen e Kosovës edhe në Kosharën Legjendare, për të lavdëruar ushtarët dhe paramilitarët serbë, të cilët u vranë duke mbrojtur gjoja kufirin. Vetë vizita e serbëve në kufirin shqiptaro-shqiptar është një fyerje e radhës, është fyerje e luftës sonë çlirimtare dhe fyerje e heronjve të kombit, Agim Ramadanit, Sali Çekut e shumë ushtarakëve të gjallë me nam dhe dëshmoreve, të cilët thyen kufirin për herë të parë, duke thyer kështu përgjithmonë edhe mitin serb për Kosovën. 

Beteja e humbur Po festohet Vidovdani në Gazimestan për çdo vit, madje duke iu bërë edhe roje çetnikëve dhe çetnikizmit serb midis Kosovës me organe tona të rendit, se mos po na gjen diçka e keqe, në vend që një festë e huaj të ndalohet me ligj. Në Gazimestan ishte lëshuar kushtrimi serb për luftë shfarosëse kundër shqiptarëve nga krimineli Sllobodan Millosheviqi. Po lejohet një festë për një betejë të humbur të serbëve me gjithë ikonografinë dhe fjalimet nga kuzhinat shoviniste millosheviqiane. Marshimi nga Gazimestani i serbëve vazhdoi për në veri për ta vendosur bustin e Car Llazarit, që është turpi i organeve tona të shtetit, të cilët jo që nuk janë në gjendje të pengimit të vendosjes së këtij busti, por po lëshojnë edhe deklarata më shumë se skandaloze. Bajram Gecaj deklaroi së kjo na qenka punë në kompetenca të komunës. Madje, ai shkoi edhe më larg, duke e krahasuar bustin e Car Llazarit me vendosjen e bustit të Adem Jasharit. Një krahasim i tillë është më shumë se irritues. Për të qenë ironia edhe më e madhe, këtë bust të një shovinisti serb e vunë serbët që janë në organet shtetërore të Kosovës. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi na kanë treguar së për ta mbajtur pushtetin e tyre autokratik nuk mërziten shumë së çka po ndodh më fatin e Kosovës dhe të popullit të saj. Për ta ruajtur pushtetin me çdo kusht, këta po bëjnë edhe lëshime pas lëshimeve, të cilat po prekin statusin politik të vendit. Mos të flasim për gjendjen e keqe ekonomike dhe krizën institucionale, e cila nuk po ka të përfunduar. Moshomogjenizimi i opozitës në këtë drejtim ia ka mundësuar pushtetit një akomodim edhe më të madh. Kjo qasje jokoherente është duke na shkaktuar dëme të mëdha në kohën kur kërkohet një homogjenizim i gjithë spektrit politik shqiptar, kur edhe Evropa po përballet me një krizë të re politike, pas daljes së Anglisë nga BE-ja. Interesat nacionale dhe shtetërore nuk ka mundësi të mbrohen me këto struktura politike të korruptuara në pushtet... 

(Kosova Sot)