Bajram, Adem Jashari dhe Car Llazari nuk janë të njëjtë

Bajram, Adem Jashari dhe Car Llazari nuk janë të njëjtë
  • 30 June 2016 - 08:16

Shkruan: Faton Mehmeti

627 vjet pas vrasjes së tij, serbët e kanë shkrirë në bronz atë që e quajnë prijësin e Betejës së Kosovës. Inaugurimi i shtatores së Car Llazarit u bë të martën, me rastin e përvjetorit të Betejës së Kosovës, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë nga Beogradi. Përmendoren e Car Llazarit, e cila tashmë veç është vendosur në sheshin "Shumadia" në Mitrovicë, e zbuloi drejtori i "Zyrës për Kosovën" në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Paraprakisht shtatorja është vendosur me propozimin e Listës Serbe, e cila është pjesë e institucioneve të Kosovës, çka është skandaloze dhe provokim i hapur ndaj Republikës së Kosovës.

Vendosja e figurave mite të serbeve në Kosovës ka si qëllim frymëzimin e serbeve ndaj asaj që ata e quajnë "Kosova është djepi i Serbisë", kjo tashmë është një politikë e njohur serbe, e cila po sfidon institucionet e shtetit të Kosovës. Reagimi i qeverisë ishte për t'u ardhur keq, Car Llazari nuk ngjallet, por frymëzon serbët për pretendimet e tyre karshi Kosovës. Jo pa qëllim vendosen këto përmendore, disa ditë më parë Kuvendi Komunal i Graçanicës ka marrë vendim ( me pas edhe e realizoi) me kërkesë të kryetarit Branimir Stojanoviq, që të ngre përmendoren e Millosh Obiliqit (Kopiliqit) në rrethrrotullimin në Graçanicë. Realisht s'duhet të habitemi nga këto veprimet e Serbisë, por nga mosreagimi i shtetit të Kosovës. Skandali i paprecedent u shkaktua nga zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj. Bajrami, duke u munduar të mbronte mosreagimin e Qeverisë përballë vendosjes së shtatores së Car Llazarit, u shpreh se "reagime të ngjashme ka pasur edhe kur është vendosur statuja e Adem Jasharit në Dragash."Ky paralelizëm nuk qëndron për shumë arsye, së pari Adem Jashari është heroi, i cili u vra duke mbrojtur pragun e shtëpisë, ndërsa Car Llazari u vra në një vend krejt të huaj (që nuk ishte vendi i tij) dhe pa asnjë ideal madhor.

Falë Adem Jasharit ne sot jetojmë të lirë dhe Bajram Gecaj është monistër në shtetin e tij, ndërsa Car Llazari mbrohet nga ata që e vranë dhe masakruan familjen e Adem Jasharit. Por, si ka fytyrë more ky Bajram të bëjë këtë paralelizëm, kë e përfaqë- son ai aty, sigurisht se jo shqiptarët. Faktikisht Bajram Gecaj përfaqëson fytyrën e vërtetë të qeverisë së Isa Mustafës e Hashim Thaçit, këta që s'po kanë fytyrë më të shkojnë tek kulla e Adem Jasharit, pasi nuk janë të mirëpritur nga familja Jashari. Ka shumë kohë Isa dhe Hashimi nuk kanë shkelur në kullën e Jasharëve dhe as s'do të shkelin, pasi kanë shkelur vullnetin dhe gjakun e tyre. Këta që ditë e natë bëjnë biznese me Serbinë, s'kanë se si ta duan Adem Jasharin, sigurisht se më të afërt ndihen me Car Llazarin, pasi pinjollët e tij janë aleatët e tyre më të mëdhenj. Po të ishte një qeveri normale, Bajram Gecaj duhej shkarkuar menjëherë, por kjo nuk do të ndodhë, pasi komplet kjo qeveri është e Bajramave. Fatkeqësisht, sot në Kosovë më shumë mbizotëron fryma e Car Llazait se e Adem Jasharit, kjo falë qeverive të pasluftës dhe ministrave e zv.ministrave si Bajram Gecaj.

(Kosova Sot)