'Gardianët e Manastireve', që harruan shqiptarët e Kosovës Lindore

'Gardianët e Manastireve', që harruan shqiptarët e Kosovës Lindore
  • 01 July 2016 - 08:11

Shkruan: Fidan Mustafa

Neve e gjithë bota na doli në ndihmë, por ne ç'bëjmë për bashkëkombësit tanë?

Nga dy qeveritë shqiptare, Kosova Lindore është harruar e nënçmuar që 17 vjet

Mijëra shqiptarë të zhvendosur nga Kosova Lindore, edhe pas 17 vjetësh, vazhdojnë të jenë ende refugjatë në pjesë të ndryshme të Kosovës, pas shpërnguljeve së dhunshme nga sistemi shovinist serb në vitin 1999, si dhe konfliktit të armatosur gjatë periudhës së vitit 2000-2001, ku shqiptarët e Kosovës Lindore kërkonin të drejtat legjitime që i garantojnë Kombet e Bashkuara, atë të drejtës për vetëvendosje dhe trajtim të barabartë. Përkundër që sot Kosova është e pavarur, e po ashtu edhe Shqipëria është shtet që 100 vjet, nga dy qeveritë e këtyre dy vendeve, Kosova Lindore është harruar e nënç- muar që 17 vjet. Shqiptarët e këtyre trevave, qoftë në Shqipëri apo Kosovë, zënë hapësirën institucionale vetëm atëherë kur këta të fundit kanë nevojën e poenëve politik e spektakleve mediale me ndarje të shumave qesharake ( Shqipëri-Kosovë në vitin 2014 ndan 100 mijë euro), e kurrsesi të zgjidhjes së problemit që rëndon bashkëkombësit tanë gati dy dekada.

Nuk u bë as minimumi

Qeveria shqiptare në Shqipëri, më me interesim ka investuar në zyrat ndërlidhëse mes Shqipërisë e Serbisë për martesat e çetnikëve serbë, sesa që ka investuar në kthimin e të zhvendosurve apo mirëqenies sociale te banorët e Kosovës Lindore, ndërsa Qeveritë e Kosovës, as minimumin nuk kanë bërë përballë bashkëkombësve shqiptar nga Kosova Lindore. Qeveritë e Kosovës që nga paslufta po investon miliona euro nga taksapaguesit kosovarë në integrimin e komunitetit serb në Kosovë e ruajtjen e kishave e manastireve, ndërsa shqiptarët e këtyre trevave (Kosovë Lindore) vazhdojnë të harruar e nënçmuar nga institucionet e vendit. Si qytetar i Kosovës, përballë bashkëkombësve të mi nga Kosova Lindore, po ndjehem i turpëruar dhe i pafuqishëm nga kujdesi jonë, po harrojmë që edhe ne dikur ishim refugjatë e në pozicion të tyre!!! Neve e gjithë bota na doli në ndihmë, por ne ç'bëjmë për bashkëkombësit tanë?