Si ndikuan dinakëritë e BE-së në nxjerrjen e Britanisë jashtë?

Si ndikuan dinakëritë e BE-së në nxjerrjen e Britanisë jashtë?
  • 01 July 2016 - 11:05

Shkruan: Martin Feldstein

Rritet hendeku ndërmjet politikanëve britanikë dhe evropianë

Britania tani është në një pozitë më të mirë që të negociojë një marrëveshje më të favorshme tregtare dhe investuese me SHBA-në

Çështja e largimit të Britanisë në BE është vendosur. Tani, e ardhmja e saj ekonomike varet në atë se çka do të bëjë ky vend me pavarësinë e saj të re

Një mik i mençur britanik, disa ditë para se Britania e Madhe të votonte pro “Brexit”-it, më tha se ai do të votonte për të mbetur, për shkak të shqetësimeve të tij rreth pasigurisë ekonomike, e cila do të paraqitej, nëse Britania do të largohej nga BE-ja. Por, ai shtoi se nuk do ta mbështeste vendimin e Britanisë që t’i bashkohej BE-së në vitin 1973, sikur atëherë ta kishte ditur se si do të evoluonin gjërat në BE. Derisa votuesit u përcaktuan për Largim, për arsye të shumta, shumë prej tyre ishin shqetësuar rreth gjerësisë në të cilën liderët e BE-së e kishin shtrirë mandatin e tyre origjinal, duke krijuar një organizatë gjithnjë e më të madhe dhe më invazive. Ëndrra e Jean Monnet-së për Shtetet e bashkuara të Evropës nuk ishte ajo që Britania donte kur u anëtarësua në BE 40 vjet më parë. Britanikët po ashtu nuk ishin në kërkim të një kundërpeshe ndaj SHBA-së, sikur që kishte thënë në një rast kancelari i parë gjerman i pas Luftës së Dytë Botërore, Konrad Adenauer. Britania thjesht donte përparësitë e një tregu të integruar të punës, me vendet përtej kanalit anglez. BE-ja filloi si një marrëveshje midis gjashtë vendeve, për arritjen e tregtisë së lirë të mallrave dhe kapitalit dhe për të eliminuar barrierat ndaj lëvizjes së punëtorëve. Kur liderët e BE-së tentuan për ta forcuar një ndjenjë të solidaritetit evropian, duke themeluar një union monetar, për fat të mirë Britania mbeti jashtë, duke vazhduar me funtin dhe me kontrollin mbi politikën e vet monetare. Por, kjo kishte ndikuar që Britania të konsiderohej autsajder brenda BE-së. Derisa BE-ja u zgjerua nga gjashtë në 28 shtete, Britania nuk mundej deri në pakufi ta kufizonte hyrjen e punëtorëve nga shtetet e reja anëtare, në tregun e saj të punës. Si rezultat i kësaj, numri i punëtorëve të lindur jashtë shtetit në Britani u dyfishua nga viti 1993, në më shumë se gjashtë milionë, apo 10% të fuqisë punëtore, ku pjesa më e madhe e punëtorëve kishin ardhur nga vendet e reja anëtare të BE-së. Edhe pse votuesit pro-‘Brexit’ shqetësohen rreth presionit në rrogat britanike, ata në përgjithësi nuk refuzojnë qëllimet origjinale të rritjes së rrjedhës së mallrave dhe kapitalit, që edhe paraqet esencën e globalizimit. Disa mbrojtës të ‘Brexitit’ mund të bëjnë me gisht kah marrëveshja e suksesshme për tregti të lirë midis SHBA-së dhe Kanadasë e Meksikës, ku nuk ekziston provizioni rreth lëvizjes së lirë të punëtorëve.

Zgjerimi i projektit evropian

Për dallim nga Britania, vendet e tjera të BE-së, të udhëhequra nga Franca dhe Gjermania, donin më shumë sesa tregtia e lirë dhe një treg i zmadhuar i punës. Që nga fillimi, liderët evropianë ishin të përcaktuar për zgjerimin e “Projektit evropian”, për ta arritur atë që Traktati i Romës e quante “një union gjithnjë e më të ngushtë”. Mbështetësit e dorëzimit të autoritetit te institucionet e BE-së e justifikonin këtë me shprehjen e “sovranitetit të përbashkët”, sipas të cilit, sovraniteti britanik mund të shkelej nga vendimet e BE-së, pa ndonjë pajtim formal nga qeveria, apo populli britanik.

“Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes” i vitit 1998 kishte imponuar një limit ndaj deficiteve vjetore të shteteve anëtare dhe kërkonte që raporti midis borxhit dhe GDP-së të zvogëlohej, më së shumti deri në 60%. Kur filloi kriza ekonomike globale, në vitin 2008, kancelarja gjermane Angela Merkel pa mundësinë që ta shtrëngonte BE-në edhe më shumë, duke imponuar një “kompakt fiskal”, që autorizonte Komisionin Evropian për të mbikëqyrur buxhetet vjetore të shteteve anëtare dhe për të vënë gjoba për shkeljet buxhetore dhe qëllimeve të borxhit. Gjermania po ashtu kryesoi lëvizjen për themelimin e “unionit bankar” evropian, me një kornizë të përbashkët rregullatore dhe me një mekanizëm të shpërbërjes për institucionet financiare problematike.

‘Brexit’ nuk do të ketë pasoja serioze ekonomike

Jo të gjitha këto politika në mënyrë direkte ndikonin te Britania e Madhe, por  ato zgjeruan hendekun intelektual dhe politik midis Britanisë dhe vendeve anëtare të eurozonës. Kjo forcoi dallimet fundamentale midis qeverive britanike, të orientuara kah tregjet dhe qeverive evropiane nga shumica e vendeve anëtare, me traditën e tyre të socializmit, planifikimit qeveritar dhe rregullimeve të ashpra.

Ndarja e pushteteve midis burokracisë së BE-së dhe vendeve anëtare udhëhiqet nga një parim me dy kuptime, të huazuar nga mësimi social katolik – “subsidiariteti”: Vendimet duhet të merren në nivelet më të ulëta, apo më pak të centralizuara të “autoritetit kompetent”. Në praktikë, kjo nuk e kufizoi vendimmarrjen në Bruksel dhe Strasburg. Subsidiariteti ofron më pak mbrojtje për qeveritë e vendeve anëtare të BE-së sesa Amendamenti i dhjetë i kushtetutës së SHBA-së.

Natyrisht, publiku britanik nuk është i vetmi që ka telashe në lidhje me BE-në. Një anketë e bërë tash vonë në vendet e BE-së nga “Pew Foundation”, gjeti që një shumicë e votuesve në tri vendet më të mëdha: Britani, Francë dhe Spanjë, nuk kanë pikëpamje të favorshme rreth BE-së. Në Gjermani publiku ishte ndarë në 50-50. Në Itali, një shumicë e qartë kishte thënë se kishin përfituar nga anëtarësimi në BE, por Lëvizja “Pesë Yjet” premtoi se do të organizonte referendum rreth largimit nga eurozona, nëse fiton në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar.

Edhe pse shumë zyrtarë dhe ekspertë parashikojnë që ‘Brexit’ do të ketë pasoja serioze ekonomike, kjo nuk është e paevitueshme. Tani shumëçka varet nga kushtet e marrëdhënies midis BE-së dhe Britanisë.

Britania tani është në një pozitë më të mirë që të negociojë një marrëveshje më të favorshme tregtare dhe investuese me SHBA-në. Edhe pse Partneriteti i propozuar transatlantik i tregtisë dhe investimeve midis SHBA-së dhe Britanisë (TTIP) ka ngecur, një qeveri britanike jashtë BE-së mund ta rinegociojë një marrëveshje me SHBA-në shumë më lehtë. SHBA-ja do të negocionte me një vend, e jo me 28 sish, ku shumë prej tyre nuk ndajnë me Britaninë politikat e saj pro-tregut.

Çështja e largimit të Britanisë në BE është vendosur. Tani, e ardhmja e saj ekonomike varet në atë se çka do të bëjë ky vend me pavarësinë e saj të re.

(Martin Feldstein është profesor i ekonomisë në Universitetin Harvard)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”