Pse shtatë milionë shqiptarëve nuk u lejohet gjuha shqipe në Turqi?

Pse shtatë milionë shqiptarëve nuk u lejohet gjuha shqipe në Turqi?
  • 20 July 2016 - 08:13

Shkruan: Reshat Badallaj-Zhuriani

Ditë më parë, Turqia u turbullua dhe u bë lesh arapi, duke u vrarë e prerë me brisk berberi dhe bile edhe me sakicë trari e hanxhar, u bë kasaphane që është për të ardhur keq. Shih për këtë, disa shqiptarë dolën rrugëve për të përkrahur PASHALLARËT E SULLTAN SULEJMANËVE TE TOP-KAPISË! Duke u përzier në punët e brendshme të tyre. Si i thonë fjalës hapur u treguan më turq se turqit. Ç´është e vërteta, askush nuk e pëlqen këtë kasaphane, por populli shqiptar duhet ndërruar udhë, për të kërkuar hapjen e shkollave shqipe. Eh, çuditërisht u dalldisën shqiptaro-turqit, që nga Edvin Kristaq Rama e deri te Hashim Thaçi i Burojës së Drenicës. Nejse është puna dhe e drejtë e tyre secili bën mik dhe vëlla kë ia do shpirti! Nga anët tona në Zhur të krahinës së Lumës thuhet: "Mik, mik,por secili në vendin e vet dhe mik me hile nuk dojmë...". Në këtë shkrim nuk dua të lidh bashkë gjuhën me fenë. Ata kanë besimin e vet dhe unë kam besimin tim në fe. As arabi i Mekës, as turku i Stambollit, as romaku i Romës, nuk janë më afër Zotit se unë. Të gjithë jemi bijtë e tij dhe vetëm i Madhi Zot i gjykon e askush tjetër. Këtë e theksova qëllimisht, sepse ka ndonjë zemërprishur që nuk i dallon këto dy fenomene.

Lejohet gjuha ruse e jo shqipe

Brumi i këtij shkrimi është se një popull nuk shtypet barbarisht qoftë me hu gardhi, hu biki e bile as me sakicë e hanxhar. Këtë e kanë provuar shumë pushtues shekullorë që nga mesjeta e deri sot, që nga osmanët, dërgutët, zhabarët, serbianet... Por, një popull shtypet në mënyrën mizore, duke ia ndaluar gjuhën e tyre dhe duke e asimiluar si në rastin e Turqisë kundër shqiptarëve. Në Turqi jetojnë jo më pak se shtatë milionë shqiptarë dhe nuk kanë asnjë shkollë ose katedër në gjuhën shqipe. Bile, bile shqiptarëve nuk u lejohet të flitet shqipja as në pazar (treg) të Kapeliçarshisë! Kur i takon atje, mbyllen në dyqanin e tyre dhe përqafohen dhe flasin shqip! Kush e di turqit "modern" e kanë amanet nga dërgutët e osmanët që gjuha shqipe dhe flamuri është armiku më i përbetuar i tyre, por harrojnë se "yzmet" këtij "Yçmeti" i kanë bërë 40 ministra e zv.ministra, bile kishte pretendentë edhe për BASHBAKAN! Do të ishte mirë që Qeveria kuislinge e Isa Mustafes dhe ajo Edvin Kristaq Ramës të kërkojë nga bashbakanët e Stambollit që në këtë milenium të ri dhe 2016, të kërkohet lejimi i gjuhës dhe shkollave shqipe në Turqi, që është i vetmi vend në tërë planetin që nuk lejohet gjuha dhe shkolla shqipe, aty ku jetojnë shtatë milionë shqiptarë. Dhe krejt në fund fare, një pyetje e thjeshtë, por shumë logjike: Pse lejohet gjuha ruse dhe gjuhet sllave dhe nuk lejohet gjuha shqipe, ajo shihet si dushman!? Edhe shqiptarët t´i thonë nënës-nënë dhe jo Ana...!

(Kosova Sot)