Shqiptarët dhe ambasadorët e SHBA-së dhe BEsë e fituan "gjyqin"kundër politikës dhe drejtësisë së kriminalizuar

Shqiptarët dhe ambasadorët e SHBA-së dhe BEsë e fituan
  • 25 July 2016 - 08:14

Shkruan Skënder S. Kapiti

Pa dënimin e autorëve të padrejtësive dhe të krimeve të drejtësisë dhe të politikës, dhe pa kompensimin real të dëmeve për padrejtësitë e shkaktuara nga sistemi, regjimi dhe korrupsioni i politikës dhe i gjykatave nuk ka, pra, as qetësi dhe stabilitet, as shteti dhe as shoqëria.

1. Reforma për Drejtësinë ishte një "revolucion" institucional Antipadrejtësi i imponuar nga populli, diplomacia amerikane dhe evropiane dhe nga demokracia. Pas vetërënies së komunizmit në vitet '90 tranzicioni 25- vjeçar vërtetoi se në Shqipëri sundoi politika dhe drejtësia e kriminalizuar dhe e korruptuar, antihumane dhe antipublike , antishtetërore, antisociale dhe antiligjore. Shqipëria funksionoi në këto vite si një shtet apo sistem hibrid gjysmëdemokracie dhe gjysmëdiktature që i shkaktoi trauma dhe tragjedi popullit shqiptar e që shqiptarëve u ka kushtuar shumë shtrenjtë. Demokracia në Shqipërinë e këtyre viteve ka funksionuar si anarki, pasi demokracinë nuk e ka sunduar dhe ajo nuk është qeverisur nga standardet , vlerat dhe nga ligjet demokratike, dhe me këtë gjendje të Shqipërisë, të shtetit, të shoqërisë, të padrejtësisë dhe të demokracisë që e kishin paralizuar funksionimin e shoqërisë nuk u pajtuan vendet dhe shtetet demokratike euro-atlantike të SHBA-së dhe të BE-së cilat këmbëngulën me forcë dhe morën përsipër përgjegjësinë dhe rolin vendimtar për ta dekriminalizuar politikën shqiptare dhe për Kryerjen e Reformës së Drejtësisë në Shqipëri, pasi politika shqiptare e kriminalizuar dhe drejtësia e korruptuar e kishin rrënuar dhe prishur funksionimin e shtetit, të demokracisë dhe të shoqërisë. Shqiptarët edhe në këto momente si gjithmonë u ndihmuan nga BE-ja dhe sidomos nga SHBA-ja të cilët luajtën rolin e avokatit dhe të mbrojtësit të të drejtave politike, civile e juridike por edhe të interesave kombëtare shqiptare dhe të atyre integruese për në BE, me të cilat politika, përfaqësuesit e popullit dhe pushtetet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të deri më sotme vetëm sa kanë korruptuar, manipuluar dhe spekuluar e matrapazuar me to. 

Shoqëria vuan me meritë prej gabimeve të pakorrigjueshme që ajo bën Tani populli e ka në dorë dhe ta tregojë forcën dhe pushtetin e vet të pasfidueshëm që ja jep demokracia, atë që me votën e tij ta ndëshkojë dhe ta dëbojë nga politika dhe nga autoriteti e pushteti i pamerituar këtë klasë politike, ndërsa Drejtësia e Reformuar duhet t'i ndëshkojë ligjërisht të gjithë shkelësit, të korruptuarit dhe të gjithë ata që kanë abuzuar me postet, detyrat me interesat e qytetarëve, të kombit shqiptar dhe me ligjin. Nëse shoqëria shqiptare nuk e merr në dorë dhe tani fatin e vet për ndëshkimin e politikës së kriminalizuar me votë demokratike dhe të konsolidimit të demokracisë kur atë po e mbështesin fuqishëm shtetet demokratike perëndimore të SHBA dhe të BE ku ne duam të integrohemi, atëherë vetë shoqëria do të jetë fajtore nëse gjërat dhe fenomenet e këqija si korrupsioni, krimi, tradhtia, varfëria, papunësia, padrejtësitë, eksodi dhe mosintegrimi do të vazhdojnë të vijojnë apo edhe të përsëriten tani e në vazhdimësi. Tani jemi ndërgjegjësuar besoj se shoqëria është fajtore, dhe vetë ajo vuan me meritë prej gabimeve të pakorrigjueshme që ajo bën, kur shoqëria gabon duke u mashtruar nga gënjeshtrat dhe mashtrimet e politikës, kur politika korruptive shqiptare manipulon me varfërinë e njerëzve duke edhe ua blerë votën njerëzve të varfër edhe me 50 euro apo një thes miell. E them këtë pasi nuk mund të thuhet se nuk është fajtore shoqëria shqiptare për këtë politikë të sotme dhe të kësaj gjendjeje të sistemit të drejtësisë, pasi nuk kemi parë ndonjë reagim serioz të shoqërisë civile kundër dhe për ta ndryshuar këtë gjendje përveçse të sondazheve dhe të opinioneve personale, pra nuk kemi parë ndonjë reagim edhe pas ftesës së ndërkombëtarëve për të mos i votuar përfaqësuesit parlamentarë dhe vendorë me rekorde kriminale të cilët u votuan madje nga votuesi. Për reformën në Drejtësi meritën më të madhe e kanë SHBA dhe BE të cilët e detyruan duke ushtruar një presion të paparë demokratik mbi politikën shqiptare që ajo ta miratojë Reformën në Drejtësi. Dhe politika shqiptare edhe në këtë rast ka hipotekuar turpin historik të saj të radhës , politikë e cila nuk mund t'i shpëtojë gjykimit publik të tanishëm dhe as atij të së ardhmes.

2-DUKE PRETENDUAR PËR NJË ANALIZË DHE ARGUMENTIM TË SHKURTËR MBI DOMOSDOSHMËRINË DHE DETYRUESHMËRINË E ZBATIMIT TË REFORMËS NË DREJTËSI Më në fund fal përpjekjeve, këmbënguljes dhe presionit të diplomacisë euroatlantike të SHBA dhe të BE u bë e mundur që parlamenti shqiptar me dt.. 21 07 2016 të miratojë Reformën në Drejtësi. Në këtë betejë apo revolucion paqësor ANTIPADREJTËSI populli shqiptar i tradhtuar nga politika 25 -vjeçare, politikë e cila montoi një sistem institucional krimi, korrupsioni, tradhtie publike dhe të interesave kombëtare, shqiptarët më në fund e fituan "gjyqin" apo betejën kundër politikanëve të vet dhe kundër drejtësisë së padrejtësisë vetëm pasi ata patën si avokat mbrojtës të dinjitetit dhe të interesave të tyre, diplomacinë perëndimore, sidomos ambasadorët e SHBA dhe të BEsë në këtë gjyq beteje demokratike, publike e mediatike kundër politikës e pushtetit dhe të tërë sistemit korruptiv të regjimit pseudodemokratik të instaluar në Shqipëri. Politika e kriminalizuar dhe drejtësia shqiptare e korruptuar kishin marrë peng Shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Ato janë autorët që pothuajse koeficienti i besueshmërisë së popullit te drejtësia ishte 0 ( ZERO). Aq e rëndësishme ishte kjo Reformë në Drejtësi sa miq dhe shtete mike dhe dashamirës të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, diplomatë perëndimorë e krahasonin Reformën në Drejtësi si një revolucion demokratik të rëndësishëm sa ai i Rënies së Komunizmit, si një ndërmarrje me rëndësi jetike për shqiptarët dhe si kryereforma për integrimin e Shqipërisë në BE.

Drejtësia e derisotme ka bërë padrejtësi Me miratimin e kësaj Reforme në Drejtësi fitoi populli shqiptar i përkrahur dhe i mbështetur nga SHBA dhe BE. Shqipëria dhe shqiptarët që të çlirohen nga vargonjtë e politikës së kriminalizuar, së pari popullit i nevojiten zgjedhje qoftë dhe të parakohshme të lira dhe të ndershme që ta ndëshkojë ashpër demokratikisht këtë kastë politike të kriminalizuar dhe që është autore e të gjitha padrejtësive dhe të tradhtive publike e kombëtare në dëm të interesave të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare; autore e korrupsionit dhe të krimeve të pronave, të atyre politike, ordinere, të kontrabandës politike, ekonomike dhe të lloj-lloj trafikimesh të qenieve njerëzore, droge, armësh etj., si autore e varfërisë dhe mjerimit, e papunësisë , eksodit dhe largimit të shqiptarëve nga Shqipëria, autore dhe shkaktare e humbjeve të mijëra e mijëra jetëve njerëzore si dhe autore e mosintegrimit të Shqipërisë për në BE. Reforma në Drejtësi është fillimi i gjyqit që i duhet bërë politikës dhe tranzicionit në Shqipëri të këtyre 25 viteve dhe ajo duhet të çmontojë antishtetin dhe antiligjin që janë ngritur si një sistem paralel që e kanë sfiduar dhe paralizuar shtetin ligjor dhe shoqërinë shqiptare. Pa ndëshkimin dhe largimin nga politika dhe nga pushteti, pra pa bërë fillimisht pastrimin e politikës me votë nuk mund të zbatohet Reforma ne Drejtësi; dhe së dyti nuk mund të pretendohet se me miratimin e reformës në drejtësi u krye gjithçka. Kryesore mbetet zbatimi i Reformës në Drejtësi, pra zbatimi i ligjit njëlloj dhe barabartë për të gjithë, që fillon së pari me ndëshkimin dhe vënien para drejtësisë të të gjith pushtetarëve të sotëm dhe atyre të mëparshëm qofshin këta presidentë, kryeministra, prokurorë, gjyqtarë, kryebashkiakë, deputetë, drejtorë etj. të kriminalizuar dhe të korruptuar. Pa u vënë në vendin e duhur të drejtat civile, pronë- sore dhe juridike, pa u bërë kompensimi nga shteti i të drejtave të mohuara nga komunizmi si dhe këtyre të drejtave të tjera të këtij tranzicioni të nëpërkëmbura, të vjedhura dhe të grabitura edhe nga sistemi dhe padrejtësia e sistemit të sotëm nuk do të ketë qetësi, stabilitet, as ndërtim të shtetit ligjor dhe as integrim evropian. Moszbatimi i ligjit dhe Reformës në Drejtësi do të ishte një dështim tjetër i madh për shtetin dhe për shoqërinë shqiptare. Kjo nuk mund të ndodhë më falë krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimi si dhe të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit . Zbatimi i Reformës do ta çlirojë drejtësinë dhe ligjin dhe do ta vë në funksion shtetin ligjor dhe shoqërinë demokratike. Të gjithë atyre qytetarëve që shteti dhe drejtësia e derisotme u ka bërë padrejtësi, ata duhet t'i drejtohen gjykatave të reja dhe institucioneve të drejtësisë së reformuar për të akuzuar dhe dënuar autorët e dhënies së vendimeve të padrejta kundër tyre si dhe të kërkojnë për t'i fituar të drejtat dhe dëmet e ardhura prej padrejtësive të drejtësisë. Pa dënimin e autorëve të padrejtësive dhe të krimeve të drejtësisë dhe të politikës, dhe pa kompensimin real të dëmeve për padrejtësitë e shkaktuara nga sistemi, regjimi dhe korrupsioni i politikës dhe i gjykatave nuk ka, pra, as qetësi dhe stabilitet as shteti dhe as shoqëria. Historikisht, por edhe fatkeqësisht edhe në 100 vjet shtet shqiptarët gjithnjë kanë vuajtur dhe e kanë pësuar nga padrejtësitë si të pushtuesve të huaj por jo më pak edhe nga politikanët e pushtetarët e vet. Ne duhet të ndahemi njëherë e mirë nga padrejtësitë por edhe duke i ndëshkuar ligjërisht edhe autorët e shkaktarët e tyre të djeshëm, por edhe të sotëm. 

(Kosova Sot)