Kaine, kompetent për çështjet ndërkombëtare dhe ato të sigurisë

Kaine, kompetent për çështjet ndërkombëtare dhe ato të sigurisë
  • 25 July 2016 - 11:33

Shkruan: Richard Wolffe

Një zgjedhje e pjekur

Kaine gjatë karrierës së tij politike është dëshmuar si një person i përshtatshëm

Clinton e ka zgjedhur Kaine-n si një ish koleg nga Senati, me një temperament dhe pikëpamje të ngjashme, që do të përshtatej me lehtësi përbrenda ekipit të saj në Shtëpinë e Bardhë. Trump ka zgjedhur Pence-n, një person të cilin nuk e ka njohur më herët, për të përfaqësuar çdo gjë që ai nuk mund ta përfaqësojë

Njëri kandidat fliste vazhdimisht për mundësitë që kishte për zgjedhjen e kandidatit për zëvendëspresident, i postonte mendimet në ‘Twitter’ dhe fliste për kualifikimet e tyre. Kandidatja tjetër e mbante konfidenciale listën e saj të ngushtë dhe nuk i shpërfaqte opinionet e veta. Njëri është penduar menjëherë për vendimin e tij. Tjetra gjithmonë dukej sikur po shkonte drejt destinacionit të njëjtë. Njëri kishte nevojë për një kandidat të sigurt, për ta balancuar paqëndrueshmërinë e tij. Tjetra ka bërë një zgjedhje të menduar, pasi që personi i zgjedhur është shumë i ngjashëm me të. Kandidatët e përzgjedhur nga Donald Trump dhe Hillary Clinton hapin edhe një tjetër betejë mes Partisë Republikane dhe asaj Demokrate. Mos u mashtroni nga dukja e jashtme. Mike Pence dhe Tim Kaine mund të duken sikur politikanë të ‘establishment’-it, që anojnë nga qendra, e që janë të butë e të sjellshëm. Mirëpo këta dy mund ta ofrojnë njërën prej betejave më të ashpra për pozitën e zëvendëspresidentit në historinë moderne. Mirëpo, ngjashmëritë e tyre marrin fund këtu. Kaine gjatë karrierës së tij politike është dëshmuar si një person i përshtatshme për të ngjallur joshje për demokratët në një territor që dikur ka qenë konservativ. Fillimisht si guvernator i Virxhinias e tani edhe si senator, Kaine ka demonstruar se si demokratët mund të fitojnë në shtetet jugore, që kanë ndryshuar më së shpejti në dekadën e fundit.

Edhe Kaine i ka problemet e tij

Si një ish-misionar, që flet rrjedhshëm gjuhën spanjolle, Kaine thotë që personalisht është kundër abortit, mirëpo është mbështetës i të drejtës së femrave për të zgjedhur. Si guvernator ai ka lejuar 11 ekzekutime, megjithatë ka marrë vlerësimin më të ulët të mundshëm nga Shoqata Kombëtare e Armëve. Pence, në anën tjetër, nuk është kaq i ndërlikuar. Guvernatori i Indianës është një mbështetës i lëvizjes konservatore, që dëshiron t’i japë fund të drejtës për abort dhe mbështetet nga rrejti konservativ i vëllezërve Koch. Trump ka pasur nevojë për Pence-n për ta joshur bazën e partisë së tij me dikë që e ka folur gjuhën e tyre konservative. Nëse Clinton-i do të kishte pasur nevojë për ta tërhequr mbështetjen e bazës së partisë së saj, ajo do ta kishte zgjedhur Elizabeth Warren-in, senatoren nga Masaçusets, ose Tom Perez-in, sekretarin e punës që do të kishte qenë latino-amerikani i parë që do të përfshihej në një biletë presidenciale. Mirëpo, përzgjedhja e Kaine-t nga ana e Clinton-it tregon që ajo beson se ajo mund të mbërrijë në shtetet republikane, që sondazhet veçse janë duke u dukur pozitive. Në Virxhinia, Clinton po udhëheqë me rreth 9 për qind në bazë të sondazheve të fundit. Në Karolinën Veriore, përparësia e Clinton-it është përbrenda margjinës së gabimit, mirëpo vazhdon të jetë dallim më i madh sesa margjina me të cilën presidenti Obama kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2008 – më pak se 1 për qind. Trump, në anën tjetër, vazhdon të besojë që mund të jetë një konkurrent i denjë në Nju-Jork dhe Kaliforni, ku është prapa Clinton-it për plot 18, respektivisht 24 për qind. Strategjistët republikanë në konventën e kësaj jave në Klivlend janë dukur të irrituar nga llogaritjet e Trump-it, që thoshte se udhëheqja e Clinton-it në shtetet kryesore po vinte si rezultat i reklamave të shumta televizive. Pence nuk do të bëjë asgjë për ta rregulluar këtë strategji iluzionare, meqë ai është i kufizuar vetëm në shtetet, në të cilat Trump-i veçse dihet se do t’ia dalë mirë. Për të qenë më i saktë, edhe Kaine i ka problemet e tij. Ai është nga ata politikanët të cilët Trump ka dëshirë t’i cilësojë ‘me energji të ultë’, ndonëse ai mund ta ndezë turmën, kur kjo gjë i nevojitet. Dhe, është e paqartë se si do të ndihmojë ai për t’u afruar me votuesit e Sanders-it, kur është e qartë që ai ka qenë mbështetës i tregtisë së lirë.

Proces interesant

Mirëpo, Kaine gjithashtu kërcënon ta zbulojë njërën prej dobësive më të shndritshme të biletës së partisë kundërshtare. Ai është kompetent për çështjet ndërkombëtare dhe ato të sigurisë, pasi që ka shërbyer në komitetet e Senatit që kanë mbikëqyrur shërbimet e armatosura dhe marrëdhëniet e jashtme. Trump-i, në anën tjetër, krijon përshtypjen që ka nevojë të ulet dhe të lexojë shumë për këto çështje. Kaine është i përshtatshëm edhe për shkak të aftësisë së tij për t’u lidhur me të gjitha llojet e audiencave: një aftësi kjo që vjen nga fakti që ai është rritur në Kansas duke qenë i biri i një salduesi. Në vitin 2008 Kaine ka qenë njëri nga senatorët e parë që kishte dalë kundër bazës së partisë duke mbështetur Barack Obama-n para Hillary Clinton-it. Sa i përket Pence-t, ai e ka mbështetur Ted Cruz-in në primare, mirëpo Donald Trump ka vendosur që ta lë këtë gjë anash, ndonëse është i përkushtuar që ta vazhdojë luftën kundër Cruz-it. “Nuk e dua mbështetjen e tij”, ka thënë Trump pas konventës në një konferencë për medie të premten, me Mike Pence-n përkrah tij. “Nëse ai më mbështet, unë nuk do ta pranoj”. Këtu, pra, qëndron dallimi më i madh në mes të dy zëvendëspresidentëve potencialë. Clinton e ka zgjedhur Kaine-n si një ish koleg nga Senati, me një temperament dhe pikëpamje të ngjashme, që do të përshtatej me lehtësi përbrenda ekipit të saj në Shtëpinë e Bardhë. Trump ka zgjedhur Pence-n, një person të cilin nuk e ka njohur më herët, për të përfaqësuar çdo gjë që ai nuk mund ta përfaqësojë si në temperament ashtu edhe në pikëpamje. Njëra është një zgjedhje e pjekur; tjetra e pamenduar. Siç ndodhë shpesh me vendimet pseudo-presidenciale, procesi i përzgjedhjes së kandidatit për zëvendëspresident ka qenë shumë më interesant sesa vetë të zgjedhurit.

Richard Wolffe është kolumnist në ‘The Guardian’.