Fjalimi i Donald Trump-it: “Amerika e Para”, mirëpo një Amerikë e izoluar nga bota

Fjalimi i Donald Trump-it: “Amerika e Para”, mirëpo një Amerikë e izoluar nga bota
  • 26 July 2016 - 15:14

Shkruan: Christiane Amanpour

Kandidati republikan ka ngjallur drithërima në mesin e aleatëve të Amerikës

Tendenca të qarta të proteksionizmit dhe izolimit

Kërcënimet e Trump-it për të vendosur tarifa mbi Kinën kanë ngjallur shqetësime në Pekin dhe kanë nxitur ekonomistët të paralajmërojnë për recesion dhe humbje të vendeve të punës në regjion dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Slogani i tij është “Amerika e Para”. Të enjten mbrëma, Donald Trump e ka bërë të qartë që kampanja e tij nënkupton një Amerikë që nuk është pjesë e botës. Para se ta mbante fjalimin e tij të madh në mbrëmjen e së enjtes në Klivlend, Trump ka ngjallur drithërima në mesin e aleatëve të Amerikës, duke kërcënuar që do ta zhbëjë punën  madhe të bëra nga gjenerata të tëra që kanë qenë të angazhuar në politikat e jashtme të SHBA-së dhe duke kërcënuar prishjen e një tradite të gjatë republikane. Ai, për ‘The New York Times’ ka thënë që nuk garanton se SHBA-ja do t’u dilte në ndihmë aleatëve të saj në NATO në rast se, për shembull, ata pushtohen nga Rusia. Ai më tutje ka thënë që para se të ofronte mbështetje për ta, do t’i shqyrtonte pagesat që ato vende ia kanë bërë SHBA-së. Kjo qasje ndaj sigurisë kombëtare do të ishte një ndryshim masiv dhe, në fakt, ka nxitur reagim të menjëhershëm nga Estonia, presidenti i të cilës menjëherë ka bërë një postim në rrjetin social ‘Twitter’, ku ka thënë që ka shkuar në ndihmë të SHBA-së pas 11 shtatorit, pa bërë asnjë pyetje. Edhe lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, ka thënë që nuk pajtohet me Trump-in në çështjen e NATO-s.

 “I dëmshëm për SHBA-në”

E kam pyetur Mike Rogers-in, ish- kryetarin e Dhomës së Komitetit të Inteligjencës, se çka do të nënkuptonte një doktrinë e re e NATO-s. “Kjo, qartas, do të ishte shkelje e Kartës, nëse do t’i thuhej një shteti që nuk ke paguar dhe ne nuk do t’ju ndihmojmë”.  Proteksionizmi, ka thënë ai, do të ishte “i dëmshëm për Shtetet e Bashkuara dhe i dëmshëm për aleatët tanë”. Pastaj, ai ka thënë që shpreson që Trump-i nuk i mendon ato që i thotë dhe shpreson që do ta gjente një këshilltar të mençur, për t’i pëshpëritur në vesh. Trump-i, në fjalimin e tij në konventë, ka shpërfaqur tendenca të qarta të proteksionizmit dhe izolimit. Ai ka thënë që SHBA-ja do të “largohej” nga Marrëveshja e Amerikës Veriore për Tregti të Lirë, nëse negociatat do të dështonin të ofronin një “marrëveshje shumë më të mirë për Amerikën”. Ish presidenti meksikan, Vicente Fox, ka qenë shumë i ashpër kur e kam pyetur se çka do të nënkuptonte një tërheqje nga NAFTA. “Humbësi do të jetë SHBA-ja”, më ka thënë. “Meksika importon nga Shtetet e Bashkuara mbi 750 miliardë dollarë çdo vit. Ne importojmë, ne blejmë nga Shtetet e Bashkuara”. “Kjo nënkupton mbi 10 milionë vende të punës për qytetarët e SHBA-së. Pra, ju nuk humbni vende të punës nëpërmjet tregtisë. Ju përfitoni pasuri dhe mundësi për njerëzit tuaj”.  Kërcënimet e Trump-it për të vendosur tarifa mbi Kinën kanë ngjallur shqetësime në Pekin dhe kanë nxitur ekonomistët të paralajmërojnë për recesion dhe humbje të vendeve të punës në regjion dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trump-i dhe Lindja e Mesme

Trump-i e ka filluar pjesën e fjalimit të tij për politikën e jashtme me Iranin, duke thënë që me të Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar “njërën nga marrëveshjet më të këqija”. Ky pretendim i tij bie ndesh me realitetin, pasi që përgjatë vitit të fundit, kohë gjatë të cilës marrëveshja ka qenë në fuqi, Irani e ka mbajtur pjesën e vet të zotimit, duke kufizuar skajshëm programin nuklear dhe si rrjedhojë është rritur siguria globale. Është shmangur lufta. Teksa diagnostikonte luftën në Siri, Trump-i ka thënë: “Një tjetër poshtërim ka ardhur kur presidenti Obama ka tërhequr një vijë të kuqe në Siri dhe e gjithë bota e ka ditur që kjo nuk do të thoshte asgjë”. (Kjo, natyrisht, nënkuptonte zotimin të cilin presidenti Obama e kishte bërë kur kishte thënë se do të intervenonte në rast se Assad-i do të përdorte armë nukleare, zotim të cilin nuk e ka mbajtur, pasi që ai ka filluar me përdorimin e këtyre armëve). Mirëpo Trump-i thotë që ai nuk do ta ndiqte Assad-in para se ta shkatërronte ISIS-in, mirëpo ai vetë ka insistuar, në një intervistë në ‘CBS 60 Minutes’, që do të vendoste shumë pak trupa në terren për ta mposhtur Shtetin Islamik. Ai ka ofruar zgjidhje që përkufizohen me fjalët “do të kemi një inteligjencë të pabesueshme” dhe asgjë më ndryshe sesa strategjia e tanishme e administratës së Obama-s. Edhe sa i përket refugjatëve, Trump-i ka propozuar një shkurtim të dukshëm. Lufta në Siri ka prodhuar krizën më të tmerrshme të refugjatëve që prej Luftës së Dytë Botërore.

Trump-i: Nuk kemi të drejtë të mbajmë ligjërata

Ai në fjalimin e tij në konventë ka thënë që imigrimi nga çdo vend, që është i “zhytur në terrorizëm”, do të pezullohej menjëherë. Ai thotë që nuk ka asnjë mënyrë që ne të jemi në gjendje t’i identifikojmë refugjatët. Në fakt, zyrtarët e SHBA-së më kanë thënë që refugjatët sirianë u nënshtrohen kontrolleve më të rrepta në hyrje të SHBA-së. Ky segment i politikës së jashtme është pikërisht ajo që nuk do të ndodhte në presidencën e Trump-it.  Për dallim nga presidentët e mëhershëm republikanë – Reagan ose dy presidentët Bush – nuk ka pasur thirrje për lidership moral ose shpërndarje të lirisë apo demokracisë në botë. Përkundrazi, Trump-i insiston që SHBA-ja nuk ka të drejtë t’u mbajë ligjërata autokratëve si puna e presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij turk, Recep Tayyip Erdogan. “Mendoj që për momentin, kur flitet për liritë civile, vendi ynë ka shumë probleme dhe mendoj që është shumë e vështirë të përzihemi në shtete të tjera”, ka thënë ai për ‘The New York Times’. “Nuk e di nëse kemi të drejtë të ligjërojmë”.

(Christiane Amanpour është gazetare britaniko-iraniane dhe moderatore televizive. Ajo është korrespodent ndërkombëtare për ‘CNN’-in)