Ta respektojmë betimin!

Ta respektojmë betimin!
  • 28 August 2016 - 08:40

Shkruan: Margarita Kadriu

Të jesh përfaqësues i popullit, deputet i zgjedhur me votën e lirë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përveçse privilegj, është detyrim dhe përgjegjësi e lartë. Shumë vendime të rëndësishme që ndikojnë në jetën e qytetarëve, në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit, varen nga vota e ligjvënësve. Kur kjo votë është në shërbim të interesave të ngushta partiake, grupore, klanore, atëherë shmanget misioni i deputetit për të qenë në shërbim të publikut. Rasti i demarkacionit me Malin e Zi është një test vendimtar për integritetin e një parlamentari. Është mirë që para se të votojë, secili prej nesh, që jemi përfaqësues të popullit, të rikujtojmë betimin që e kemi bërë. “Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.”

Të votosh një marrëveshje që dyshohet se e cenon tërësinë territoriale, është shkelje e betimit, thyerje e ligjit, veprim antikombëtar. Kuvendi i Kosovës është para një vendimi me rëndësi strategjike, por edhe në një gjendje konfuze për shkak të jotransparencës qeveritare. Edhe nënpresidenti i SHBA-së Joe Biden, e kritikoi Ekzekutivin se nuk kishte arritur ta qartësonte demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke nxitur kështu reagime të njëpasnjëshme sidomos nga qarqet shkencore, gjeografë, demografë, historianë, juristë. Mbajtja në fshehtësi e procesit trevjeçar gjatë të cilit Komisioni Shtetëror i krijuar nga Qeveria kosovare negocioi me palën malazeze, nxiti dyshime të forta, kur u bë publik version zyrtar i demarkacionit. Presioni i Qeverisë  për të legjitimuar dhe për të legalizuar një marrëveshje, që sipas argumenteve të kundërshtarëve të këtij demarkacioni ia shkëput Kosovës 8200 hektarë tokë, ngriti pikëpyetje të mëdha. Kufijtë nuk caktohen përditë. Kufijtë ndërshtetërorë, në mijëra shembuj, janë burim konfliktesh, luftërash, përgjakjesh, ndasish.

Republika e Kosovës, si një shtet i ri, duhet të jetë e kujdesshme në çdo hap, duke respektuar miqtë ndërkombëtarë, por sidomos edhe duke mbrojtur interesat nacionale e shtetërore. Një deputet, që është përfaqësues i popullit, nuk do ta votonte një marrëveshje të paqartë, të dëmshme dhe plotësisht jotransparente. Komisioni Shtetëror veproi si të ishte duke ndarë një parcelë, duke u bazuar në parimin kadastral, edhe pse e drejta ndërkombëtare përcakton kritere të tjera në rastin e caktimit të vijës kufitare mes dy shteteve. Ne parlamentarët duhet të jemi të vetëdijshëm, se kjo votë është vendimtare. A është më mirë ta rishikojmë një proces të dyshimtë, apo ta hapim një plagë të re?!

Vota ime, sigurisht nuk është në favor të një marrëveshjeje të tillë. Se duhet bërë demarkacioni me Malin e Zi dhe të gjitha shtetet fqinje është e padiskutueshme. Unë jam për demarkacion me Malin e Zi si shtet fqinj , mirëpo i them jo kësaj marrëveshjeje të paqartë, të dëmshme dhe plotësisht jotransparente.

Rrugëdalja është krijimi i një komisioni të ri, më kompetent dhe gjithëpërfshirës, si dhe garantimi i transparencës së bisedimeve.

Më duhet të theksoj se është e pavërtetë që nëse dështon demarkacioni me Malin e Zi, do të izolohemi, siç kërcënon pushteti.  Luftimi i krimit dhe korrupsionit është kriteri kryesor i paplotësuar që na mban larg rrugës evropiane. Duke qenë gjithmonë kundër jotransparencës, pushtetit korruptiv, pazareve me territor dhe politikës antikombëtare, natyrshëm votoj edhe kundër një marrëveshjeje, e cila na sjell telashe të mëdha, tensione të panevojshme dhe nuk e zgjidh problemin, përkundrazi.

Është më se e qartë se Komisioni Shtetëror aktual nuk ka negociuar delimitimin dhe demarkimin e vijës kufitare me palën malazeze dhe si rrjedhojë demarkacioni është i njëanshëm. Një komision i ri, ku edhe opozita duhet të dërgojë ekspertët e saj, duhet ta rishikojë marrëveshjen për të shmangur pasojat territoriale.

Si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, jam shumë e vetëdijshme për peshën e këtij vendimi, të kësaj vote. Nëse secili prej nesh, përfaqësuesve të popullit, do të veprojmë si të tillë, duke mos iu nënshtruar asnjë lloj presioni, atëherë do ta marrim vendimin e duhur dhe do të japim një shembull shprese për qytetarët e  këtij vendi.

Deri sot, për mendimet dhe vendimet e mia, nuk i jap askujt llogari,përveç qytetarëve, ligjeve dhe Kushtetutës së  vendit tim. Unë si deputete e pavarur jam zë i qytetarëve të Kosovës dhe jap përgjegjësinë e plotë vetëm para qytetarëve për çdo veprim dhe votë timen.

Edhe pse nganjëherë është më mirë të heshtësh e të mos merresh me gjithfarë krrokamash të dashakëqijve, mercenarëve, banditëve, sepse edhe kur i përgënjeshtron shpifjet e tyre, me gjasë, veç trimërohen të dezinformojnë edhe më shumë, unë për hir të opinionit publik, dua sërish të jap një shpjegim, realisht një rithënie të së vërtetës, që në fakt dihet, ndonëse dikush përpiqet ta njollosë, ta mjegullojë, ta shtrembërojë, sipas interesave të caktuara, personale, grupore, klanore, kriminale. Për arsye të bazuara pikërisht në atë se pse kam dalë nga PDK-ja, e të cilat prapaskena një ditë do të bëhen tërësisht publike në formë të librit, bashkë me fletëvotimin tim, unë kam vendosur që pikërisht në seancën për zgjedhjen e Presidentit të marrë pjesë, pasi paraprakisht u vërtetova se në sallë janë 81 deputetë dhe publikisht të jap vendimin tim, gjegjësisht votën time KUNDËR, gjë për të cilën edhe e kam dëshminë!

Edhe pse një votë është vetëm një votë dhe nuk çon peshë në mesin e 120 votave, unë e kam parë të arsyeshme se kapitulli im me përvojën politike dhe prapaskenat në partinë ku kam qenë disa muaj ta mbyll pikërisht me votën kundër, edhe atë në mënyrë të dëshmuar!

(Autorja është deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës)

(Kosova Sot)