Demarkacioni kosovar, jugu i Shqipërisë dhe impotenca e Akademive të Shkencave

Demarkacioni kosovar, jugu i Shqipërisë dhe impotenca e Akademive të Shkencave
  • 28 August 2016 - 11:43

Nga: Ben Andoni

Do edhe pak ditë që Kosova të votojë demarkacionin. Nga ajo që ndiqet në mjedisin kosovar, shikohet se votimi pro i saj më 1 Shtator do të sjellë pasoja katastrofike për mbarëvajtjen e parlamentit, por edhe konsakrimin e një arrogance qeveritare Thaçi-Mustafa-Veseli, që në këto kohët e fundit ka kaluar çdo cak cinizmi. Dhe, pas skandalit të përgjimeve, ku përfshihet e gjithë kupola e PDK-së (për fat, më në fund është vendosur të hetohet), Kosova nuk e ka më luksin që të ngutet në çështje të tilla, siç është Demarkacioni. Ndoshta e gjithë kjo energji mund të shkojë shumë mirë në gjetjen e modaliteteve për shtyrjen e saj dhe jo në prodhimin e lajmeve boshe, ku manipulohet dhe duket se të gjithë të huajt VIP kërkojnë zbatimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Jo shumë larg, për të gjithë problemin e demarkacionit, u realizua një tryezë, ku gati u përfshinë të gjithë palët kosovare, por që në fund degjeneroj me ofendime dhe jo me përplasje argumentesh dhe konkluzione konstruktive. Në publik, duket se ka dy palë antagoniste, ndërkohë që qëllimi i bashkon të gjithë, të paktën de jure, në moslënien e asnjë centimetri trualli kosovar hapësirës territoriale malazeze.

Por, mbase argumenti ynë do të humbte në detin e fjalëve, akuzave, nëse nuk do thoshim argumentin kryesor: pse janë gati me gjysmë zëri, strukturat e institucioneve studimore kosovare? Edhe pse e dimë se politika është e tillë në Kosovë e Shqipëri që ta mbyll gojën më keq se në komunizëm, pasi të kërcënon me bukën e gojës, është e pafalshme, që institucionalisht strukturat e Kosovës nuk kanë një qëndrim jashtë politikës. Ashtu si në Shqipëri me problemin e kufirit detar të Jugut, kur që prej Akademisë së Shkencave, duke vazhduar tek universitetet dhe institutet e topografisë heshtën, i vunë minus staturës së tyre, por edhe çështjes kombëtare me qëndrimin inekzistent.,javanews

Me pak fjalë, nëse akademitë reciproke në Prishtinë e Tiranë nuk i kemi për probleme madhore, siç janë këto, kur duhet një mendim shkencor i argumentuar, po për çfarë na duhen vallë? Në rastin e Shqipërisë, do duhej një specialist në pension Myslim Pasha, që edhe pse e ofenduan, e nëpërkëmbën, arriti të tregonte dhe të argumentonte të vërtetën, atë për të cilën sot e kësaj dite nuk skuqet askush në Tiranë. Ndaj Kosova, në një rast të tillë, nuk e gjen gjë të presë dhe të merret me çështje reale, që e shqetësojnë vendin (vetëm 35 ligje të miratuara), kurse problemin e kufirit mund ta shtyjë, për t’u lënë vend specialistëve që të tregojnë dhe argumentojnë realitetin. Ku futet politika ka interesa, po ku janë specialistët atdhedashës, transmetohet besim. Nëse politikanët e dy vendeve tona nuk i respektojnë edhe në këto raste Akademitë e Shkencave, më mirë t’i mbyllin. Le t’i mbajnë ato maqedonët dhe malazezët, fqinjët tanë, për të na degjeneruar sistematikisht, me argumente që shpesh ua dhurojmë dhe vetë. Bëjeni politikanë! Shkencëtarët që nuk bëzajnë, u mjaftojnë ato privilegjet meskine për t’ua mbyllur gojën dhe për të firmosur gjithçka, që ju doni. Nëpërkëmbni të qetë dhe shkencën, mbase e meritojmë të poshtërohemi dhe nga indiferenca e të ashtuquajturit trurit tonë.

(Kosova Sot)