Të përkrahet deputetja e popullit Margarita Kadriu, e jo kuislingët si soji i Toptanëve

Të përkrahet deputetja e popullit Margarita Kadriu, e jo kuislingët si soji i Toptanëve
  • 30 August 2016 - 07:46

Shkruan: Reshat Badallaj-Zhuriani

Deputetja e pavarur zonja Margarita Kadriu, e zgjedhur me votën e lirë të popullit, ka vendosur të mos e tradhtojë elektoratin e saj që ia kishte dhënë votën. Ditë me parë, kjo Zonje e Hekurt, tipike si Margaret Thatcher, e bëri publike se nuk do të votojë për të shitur tokën e Kosovës, por do t´i mbetet besnike popullit. Më 1 shtator 2016, Kuvendi i Republikës së Kosovë do të rrethohet me forca të mëdha policore si në kohën e kasapit gjakësor, Slobodan Milosheviqit. Atëbotë tellallët titist, shqipfolës të paguar nga qarqet shoviniste serbiane lehnin si zagarët pas hënës duke thënë se ME NDRYSHIMET KUSHTETUESE KOSOVA NUK HUMB ASGJË!

Serbia e gëlltiti Kosovën dhe më vonë u bë kasaphanë

Këta shqipfolës nuk lënin gur e dru pa lëvizur për ta bindur popullin se vërtet Kosova nuk humb asgjë. Dhe, ç´ndodhi pastaj, Kosova i humbi të gjitha. Serbia e gëlltiti Kosovën dhe më vonë u bë kasaphanë duke vrarë, duke dhunuar, duke djegur çdo gjë të gjallë. Serbia në mars të vitit 1989, kishte rrethuar Kuvendin me policë të armatosur deri në dhembë, me topa dhe tanke dhe të prirë nga kryetradhtari i kombit, i droguari e kurvari, Rrahman Morina, Kosova i humbi të gjitha dhe u mbulua në gjak... Rasti tjetër i zi për kombin tonë janë edhe epoka e Esat Pashë Toptanit dhe Zogollit, që shiten Shën Naumin dhe disa pjesë të rrethit të Shkodrës. Shih për këtë, tamam si në kohën e tradhtarëve të Esat Pashë Toptanit, Zogollit dhe bandës së Rrahman Morinës, që në historinë tonë njihet si epoka e Rrahmanzinjve, ecin kësaj rruge edhe Toptanët, Zogollët, Rrahmanzinjtë e rinj të Qeverisë kuislinge, që nuk lënë gur e dru pa lëvizur se KOSOVA NUK HUMB ASNJË MILIMETËR TOKË!

Kadriu nuk u nënshtrohet presioneve

Deputetja e zgjedhur e popullit, zonja Margarita Kadriu nuk u nënshtrohet presioneve, nuk u shit, por vendosi t´i mbetet besnike popullit, të rreshtohet krah për krah me të gjithë popullin dhe t´i thotë JO, ne nuk kemi toka për t´u shitur të tjerëve. Kjo zonjë ka vendosur të mos bëhet hise dhe t´i këndohet kënga e tradhtisë me lahutë nga kreshnikët. Ndërkaq, të gjithë ata që do të ngrenë dorën, ose tinëzisht do të votojnë për t´i dhënë e për t'i shitur tokat tona Malit të Zi, do të futen në koshin e tradhtisë brez pas brezi. Dhe, krejt në fund fare, populli dhe mërgata shqiptare përkrah fuqishëm guximin, trimërinë e deputetes së popullit, Margarita Kadriu, që të mos votojë tradhtinë, por të rreshtohet me popullin. Zëri i saj është zëri i arsyes, zëri i popullit! Të lumtë, zonja Deputete e Popullit, Margarita Kadriu!

(Kosova Sot)