“Car” Llazari po korr fitoret e para në Kosovë gjashtë shekuj mbas vdekjes

“Car” Llazari po korr fitoret e para në Kosovë gjashtë shekuj mbas vdekjes
  • 24 September 2016 - 08:18

Shkruan: Dr. Ardian Muhaj

Pse ne gjallojmë kundër vetes?

Nuk është turp të jesh skllav apo i shtypur, por është turp e marre ta duash skllavërinë e shtypjen

Kur u mor vesh se statuja gjigante e Car Llazarit me dorën ngritur lart në drejtim të Fushë-Kosovës do të vendosej në sheshin kryesor të Mitrovicës veriore, reaguam me një shkrim për të ndihmuar në davaritjen e një debati absurd dhe plotësisht të pakuptimtë.

Duhet thënë se reagimet e para të opinionit shqiptar qenë mjaft të drejta, duke e parë këtë si një provokim dhe si një sulm ndaj shqiptarëve. Mirëpo nuk vonoi edhe u shfaq kundërpërgjigja e fshehur filoserbe. Mësues letërsie rankoviçistë, gjoja historianë titistë, analistë konfuzë e deri edhe politikanë të përhumbur, u turrën me ngut të paparë për të madhëruar veprën e lavdishme të princukut serb, i cili në terminologjinë e induktuar edhe në Kosovë, thirret hiperbolikisht “Car”. Kujt ia merrte mendja se vetëm një dekadë mbas gjenocidit serb në Kosovë, bash në pragun e mijëvjeçarit të tretë, do të dilnin të mbijetuar nga ai gjenocid, që do të flisnin e tjerrnin argumente të pakuptimta rreth vëllaznimit serbo-shqiptar ndër shekuj, duke mos e vrarë mendjen fare se kështu thjesht po i japin një ndihmë të madhe propagandës edhe ashtu të fortë e të mirëorganizuar serbe rreth Kosovës. Kjo lajthitje e pastër, synonte të pasqyronte evoluimin i idesë së bashkim-vëllazërimit mes serbëve e shqiptarëve, përmes paraqitjes së  “carit” serb si bamirës ndaj shqiptarëve. Pikërisht, kjo është një nga dramat tona më të rënda që po përjetojmë si shoqëri. Ne gjallojmë kundër vetes. Ky është shkaku pse zvogëlohemi e tkurremi pa u ndalë. Pas çdo cope që na hiqet nga tërësia jonë, ne ushqejmë specialistë, kryesisht historianë, por edhe letrarë e intelektualë të tjerë që na bëjnë ta harrojmë atë copë të shkëputur dhunshëm prej nesh dhe ta shikojmë si diçka që kurrë nuk ka qenë e jona.

Historianët titistë

Në vend që rasti i Llazarit të na shërbente për të kujtuar, shtjelluar, përditësuar, përkujtuar e analizuar historinë mijëvjeçare të politikës gjenocidale të zinxhirit të shteteve serbe ndaj nesh, ne përkundrazi u dalldisëm, u çoroditëm, u trullosëm me shpikjen e historisë së paqenë të bashkim-vëllaznimit mes serbëve e shqiptarëve. Ta bëjmë të qartë: Nuk është turp të jesh skllav apo i shtypur, por është turp e marre ta duash skllavërinë e shtypjen. Nuk është turp të kesh pasur fatin tragjik për të pasur fqinjë që kanë synuar pandërprerë farëshfarosjen tonë, por turp e marre është që farëshfarosjes, gjenocidit t’i thuash aleancë ballkanike, bashkim-vëllaznim.

Gjithë kjo përpjekje në fund të fundit nuk shkonte përtej një politike të mirëmenduar serbe për ta amnistuar krejt politikën gjenocidale të ndjekur nga serbët ndaj shqiptarëve që nga shekulli gjashtë e deri në shekullin e XV, por më së shumti politikën gjenocidale të shtetit serb pikërisht në ditët tona. Tash po del e qartë se “cari” Llazar megjithëse një dështak epik në fushën e betejës, po korr fitore të reja në Kosovën që e humbi para gjashtë shekujsh. Fitorja e parë ishte simbolike, dhe i detyrohet askujt më shumë e askujt më pak sesa atyre që përmes pakuptimësive e zbutën reagimin e fortë të shqiptarëve kundër vendosjes së shtatores. Disa mësues letërsie rankoviçistë, disa gjoja historianë titistë dhe ndonjë politikan i përhumbur, arritën ta sjellin aq bukur debatin në favor të “carit”, saqë në diskutim nuk qe më se a duhej vendosur busti i tij në Mitrovicë, por se a duhej vendosur ai në sheshet e qyteteve të tjera të Kosovës, se a duhej vendosur përkrah Skënderbeut apo Zahir Pajazitit!

 

Mst/ Rindërtimi i xhamisë shekullore në veri të Ibrit

Që prej kësaj dite, “cari” Llazar ka korrur fitore të njëpasnjëshme në Kosovë, ani pse sa qe gjallë dështoi në gjithçka. Mes bëmave të tij të deritashme, dy mund të përmendim më kryesoret: Ndalimin e rindërtimit të xhamisë në veri të Ibrit të djegur nga serbët gjatë luftës, dhe vazhdimin e ndërtimit të kishës ortodokse në mes të Prishtinës të pashkatërruar nga shqiptarët.

Ata që po i ndihmojnë dhe do t’i ndihmojnë me nder “carit” e “carëve” janë tarafi i njëjtë me ata që turbulluan opinionin publik shqiptar me përrallat me koalicione serbo-shqiptare në mesjetë të udhëhequra nga Llazari. Janë të njëjtët që e propagandojnë nën zë e me zë se xhamia në veri të Ibrit e djegur nga serbët le të mos rindërtohet se mjaft xhamia kemi në Kosovë. A thua serbët nuk kanë mjaft kisha edhe ata në Serbi e në Kosovë? Janë dhe do të jenë po ai soj mësues letërsie rankoviçistë, gjojahistorianë titistë dhe ndonjë politikan i përhumbur që shqiptarëve u thonë ruhuni nga lëkura e tharë e luanit osman për t’i çuar sa më të freskët bash në gojën e ujkut serb. Janë ata që propagandojnë nën zë e me zë që të mos rindërtohet xhamia shekullore në veri të Ibrit e djegur nga serbët dhe të vazhdojë ndërtimi i megakishës serbe që kurrë nuk ka qenë në atë vend.

Përpara se të ndërtohet diçka e paqenë duhet rindërtuar ajo që ka qenë. Rindërtimi i xhamisë shekullore në veri të Ibrit është kusht i panegociueshëm që i duhet vendosur Serbisë e serbofilisë. Ajo xhami u ndërtua në kulmin e fuqizimit të autonomive shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, dhe ekziston përpara se të ekzistonte çfarëdolloj formacioni politik serb.

Këmbëngulja e faktorit politik dhe publik shqiptar në Kosovë duhet përqendruar pikërisht tek testimi i gatishmërisë së serbëve për të shlyer krimin e bërë përmes djegies së xhamisë shekullore, dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë t’u bëhet e qartë se mbi një krim nuk mund të një lind një e drejtë. Megakisha e tyre nuk mund të kalojë. Madje është pikërisht ky momenti të cilin shqiptarët duhet ta ekspozojnë përpara botës, duke i kujtuar të gjithëve se përpara huliganizmit të të rinjve shqiptarë të marsit 2004, ka qenë gjenocidi shtetëror serb i viteve 1998-1999.

Ta mbrojmë trashëgiminë kulturore!

Ashtu siç është paraparë që xhamia shekullore e djegur e përcëlluar nga serbët të mos rindërtohet, le të prapashihet që kisha serbe, ‘fastfood politik’ i Milosheviçit, akoma i pagatuar, të mos vazhdojë të ndërtohet. Ashtu sikurse në vend të xhamisë shekullore në veri të Ibrit është paraparë nga ekipi negociator që të ndërtohet një rrethrrotullim rrugor, le të bëhet edhe kisha serbe në oborr të Universitetit një rrethrrotullim rrugor, e të lehtësojë trafikun që është më i rënduar në Prishtinë se në Mitrovicën veriore, e cila më tepër i ngjason një azili pleqsh sesa një gjysmëqyteti.

Atyre që ua zë qiellin rindërtimi i xhamisë shekullore në veri të Ibrit, do ishte mirë t’u sqarohet se përmes zhdukjes së çdo gjurme të trashëgimisë dhe pranisë shqiptare në veri të Ibrit, synohet pikësëpari përvetësimi tërësor i kompleksit xeheror të ‘Trepçës’ nga serbët. Nuk do të vonojë të dalë në sipërfaqe kërkesa që  krejt ‘Trepça’ të ndahet mes Republikës së Serbisë si trashëgimtare e Jugosllavisë dhe Zajednicës serbe, gjoja si palë e përfaqësuese e Republikës së Kosovës. Në thelb, shtetit të Kosovës ka për t’i mbetur vetëm pagesa e rrymës për ‘Trepçën’, ndërsa xehet e pasuritë e saj do të ndahen mes serbëve të Kosovës si përfaqësues të Kosovës e serbëve të Serbisë si përfaqësues të ish-Jugosllavisë.

Ta mbrojmë trashëgiminë kulturore përpara se të jetë vonë dhe përpara se të ndërtohen “ex nihilo” megaprojekte politike. Nëse nuk mbrojmë atë çka kishim, nuk do të dimë të mbrojmë as atë çka kemi. Ndërkaq serbët po dinë të mbrojnë atë çka nuk e kanë pasur, por të cilën duan ta kenë. Është absurde të mendohet se për një shekull pushtim Serbia nuk mundi ta ndërtonte një megakishë në Prishtinë, dhe po e arrin ta ndërtojë tash pa kaluar as një dekadë nga pavarësia e Kosovës. Nuk kundërshtohet kisha politike nëse na duket turp të mbrojmë xhaminë shekullore, trashëgimi kulturore.