Na e lanë kopilin te dera?!

Na e lanë kopilin te dera?!
  • 25 September 2016 - 08:24

Shkruan: Binak Maxharraj

Kishës Ortodokse Serbe nuk duhet në asnjë mënyrë t'i lejohet funksionalizimi i saj për qëllimet që edhe është ndërtuar, sepse Universiteti nuk është vend për kisha e xhamia

Kishës Ortodokse Serbe të ndërtuar mu në zemrën e Universitetit të Prishtinës, mu aty fill pas Rektoratit dhe shumë afër Bibliotekës Universitare, pa leje dhe dokumente përkatëse, nga regjimi fashist i Millosheviqit, të financuar nga kryekrimineli serb Arkani dhe Kryepeshkopi Pavle, rrafsh pas 20 viteve i doli gjumi, apo atë qëllimisht dikush ia nxori gjumin duke i thanë "zgjohu Simonide se boll fjete, tashti po na duhesh". Po na duhesh për disa favore karshi shqiptarëve. Marrë realisht kjo kishë nuk e ka vendin aty, sepse është kishë politike, kishë irrituese, që sjell vetëm të këqija. Këso kishash gjatë periudhës së viteve të 90-ta u ndërtuan në tërë Kosovën, pikërisht në lokacionet më të ndjeshme, u ndërtuan edhe atje ku popullata nuk kishte pa kurrë kisha në anën e tyre. Me fjalë tjera kjo kishë në zemrën e Universitetit qëndroi aty edhe gjate furtunave dhe tymnajave të luftës së fundit në Kosovë. Është shumë e çuditshme si se dikujt nga këta "çlirimtarët" tanë nuk i ra në mend, apo ishin të zënë me uzurpime të pronave të huaja, se kjo kishë nuk e ka vendin aty.

Ministrat ulen te Isa Mustafa, kokën e kanë në Beograd

Dihet se iniciativa për ta "zgjue"nga gjumi Kishën Ortodokse Serbe mu në zemrën e kampusit të Universitetit të Prishtinës erdhi nga 'Lista Serbe"dhe me siguri edhe nga zv.ministrat dhe ministrat serbë të cilët ulen në Qeverinë e Isa Mustafës sa për sy e faqe kurse kokën e kanë te Aleksandar Vuçiqi në Beograd, nga të cilët edhe i marrin urdhrat se si të sillen në Kosovë. Fill pasi këta harifa e zgjuan nga gjumi Simoniden, filluan në pikë të dritës të veprojnë. Erdhën aty me kove dhe fshesa në dorë, gjoja për të pastruar këtë kishë sepse ishte bërë e palarë që 20 vjet. Erdhën aty jo sepse kjo kishe ishte e ndyrë, sepse nuk kishte përfunduar kurrë se ndërtuari deri në fund. Erdhën aty, sepse dikush nga lart i kishte urdhëruar që ta bëjnë këtë punë, sepse tashti është koha për të përfituar disa favore karshi shqiptarëve. Dhe plasi sherri, u rrit indinjata te popullata shqiptare, u zgjuan shpirtrat fantazmë dikush në rrënimin e kësaj kishe, e dikush në moslejimin e funksionalizimit të saj.

Reagimi studentor

Të parët reaguan ata që u desh, pra reagoi ashpër Komuna e Prishtinës në krye me Shpend Ahmetin dhe i ndaloi punimet e mëtejme. Por, forca më e madhe e reagimit erdhi nga ata që duhet të vinte, nga vetë studentët. Ata reaguan, protestuan për këtë objekt te shëmtuar që po e prish bukurinë e Universitetit. Reaguan me të drejtë, por në momentin kuar ata deshën të afrohen ta lënë një pankartë, vetëm një pankartë ishte, reagoi policia, u vërsul mbi studentë sikur bishat, i arrestuan disa. Unë ngre zërin fort deri në qiell se askush nuk ka të drejtë t'i rrah studentët, sepse ata po reagojnë për një çështje të drejtë, për këtë kopil që ua lanë me qëllim te dera. Studentet janë djalëria dhe vajzëria me e bukur e kombit, janë pjesa me e shëndetshme e kombit, janë pjesa më e dashur e kombit. Studentet në tërë botën janë të parët që reagojnë ndaj të këqijave që ndodhin në shoqëri, ata reagojnë ashpër edhe ndaj regjimeve diktatoriale dhe të korruptuara, me reagimet e tyre ata kanë rrëzuar qeveri dhe diktatura të ndryshme në botë. Studentët haptas manifestuan qëndrimin e tyre se në kampusin e tyre nuk duan as kisha e as xhamia, nuk duan te dëgjojnë as kambana e as altoparlantë në tempullin e tyre të dijes. Pra, me fjalë të tjera studentët janë pjesa ma progresive e shoqërisë. Dhe kështu dhe vetëm kështu duhet të kuptohet edhe reagimi i studentëve tanë karshi kësaj ikone të shëmtuar që u mboll dhunshëm mu në zemrën e Universitetit. Bëri mirë, bile shumë mirë, që reagoi edhe vetë Rektorati i Universitetit, duke kërkuar qe t'i kthehet prona e uzurpuar me dhunë e Universitetit. Si çdoherë në situata të ngjashme, reagoi edhe komandant Remi, një figurë bukur kontroverse, duke deklaruar, duke theksuar se Kisha duhet të qëndrojë aty për t'u shërbyer besimtarëve ortodoks nëse ka. Por, i gjori harron se edhe nëse nuk ka serbët i krijojnë nga dheu dhe i dërgojnë në meshë (sic).

Reagimi i tepruar i presidentit

Por, reagimi më i ashpër erdhi mu nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili me një ton të lartë dhe akuzues thotë se"Kisha Ortodokse Serbe e ndërtuar pa leje dhe dokumente të nevojshme NUK GUXON TË PREKET. Vërtet një deklaratë për kuriozitet, por shumë dëshpëruese. Z. Thaçi sikur ka harruar vitin jo fort të largët të marsit 2004, kur në tymnajën shkatërrimtare, që kishte dorë edhe partia e tij, me sigurimin e saj të brendshëm, u dogjën dhe u shkatërruan hiq ma pak se 34 Kisha Ortodokse Serbe. Atëherë nga goja e tij nuk u regjua asnjë reagim sikurse tashti. Rreth kësaj situate reaguan edhe partitë e tjera politike, shoqëritë civile, shoqatat e ndryshme, por edhe qytetarët, të cilët u deklaruan pro dhe kundër qëndrimit të Kishës Ortodokse Serbe në kampusin e Universitetit. Unë mendoj se kjo kishë nuk ka kurrfarë vlere të trashëgimisë kulturore serbe dhe mu për këtë nuk ka asnjë status mbrojtës. Por, pasi që na ka mbetur KOPILI TE DERA, duhet të jemi aq të mençur që ta menaxhojmë këtë problem në mënyrën më të mirë të mundshme, rreth kësaj duhet të krijohet një konsensus me të gjithë aktorët e interesuar. Unë mendoj dhe propozoj se duhet të veprohet me mençuri në këtë mënyrë: 1. Kisha Ortodokse Serbe e vendosur aty në mënyrë të dhunshme nuk duhet të rrëzohet; 2. Kishës Ortodokse Serbe nuk duhet në asnjë mënyrë t'i lejohet funksionalizimi i saj për qëllimet që edhe është ndërtuar, sepse Universiteti nuk është vend për kisha e xhamia, nga aty nuk guxojnë të dëgjohen as kambana e as altoparlantë, sepse ky mjedis është vendi i dijes dhe prosperitetit shoqëror; 3. Kishës Ortodokse Serbe duhet t'i hiqet vetëm kryqi dhe objekti i saj të shndërrohet në objekt institucional, pra të shndërrohet në muze të luftës, ku aty të ekspozohen vlerat e luftës tonë çlirimtare, t'u shërbejë gjeneratave që janë dhe që do të vijnë për holokaustin, gjenocidin serb të bërë gjatë gjithë historisë mbi popullin shqiptar.

(Kosova Sot)