Çka dëshiron në të vërtetë Angela Merkel?

Çka dëshiron në të vërtetë Angela Merkel?
  • 25 September 2016 - 11:05

Shkruan: Daniela Schwarzer

KANCELARJA GJENDET NË NJË PRESION ENORM

Kritikët e saj më të ashpër janë populistët djathtistë

Ajo nuk pranon të lëshojë pe në lidhje me politikën e saj rreth refugjatëve

Një vit më parë, në kulmin e krizës evropiane të refugjatëve, në murin e një autostrade në distriktin e pasur berlinez të Grunevaldit u paraqit një grafit. Duke luajtur me thënien e kancelares Angela Merkel "Wir schaffen das" (ne mund ta bëjmë këtë), grafiti shkruante: "Merkel schafft uns ab" (Merkel është duke na zhbërë). Nuk kaluan shumë ditë dhe grafiti u mbulua me ngjyrë. Më pas, ai u shkrua përsëri dhe u mbulua përsëri. Artisti i këtij grafiti është këmbëngulës. Grafiti me katër fjalë është kthyer përsëri. Dhe, tani ka kundërshtime në lidhje me politikën e Merkelit edhe brenda partisë së saj, CDU-së konservative. Kancelarja gjendet nën një presion enorm, si nga Gjermania, po ashtu edhe nga partnerët e saj të jashtëm, në lidhje me vendimin e saj që ta hapë vendin ndaj refugjatëve, gjë që rezultoi me hyrjen e më shumë se 1.1 milion refugjatëve vetëm gjatë vitit 2015. Kritikët e saj më të ashpër janë populistët djathtistë të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Janë dashur katër humbje të njëpasnjëshme të CDU-së në zgjedhjet regjionale këtë vit, që Merkel ta ndryshojë qëndrimin e saj. Pas zgjedhjeve të fundjavës së kaluar në Berlin, në të cilat partia e saj u gjet e dyta, pas socialdemokratëve, ajo mori pjesën e saj të përgjegjësisë për humbjet e CDUsë. Dikur një parti me të vërtetë "popullore", që mund të pretendonte deri në 40% të votave, CDUja tani në disa regjione të Gjermanisë mezi arrin 20%. 

Durimi i votuesve është duke shteruar

Mea culpa e Merkelit është një pranim se gjermanët janë tepër të shqetësuar rreth imigrimit. Ata shqetësohen rreth imigrantëve që i kanë aty, e lëre më edhe rreth atyre që pritet të vijnë, përkundër faktit se numri i tyre ka rënë në mënyrë drastike qyshkur BE-ja, e udhëhequr nga Gjermania, arriti një marrëveshje me Turqinë në fillim të këtij viti. Nëse planifikon që ta udhëheqë CDU-në në zgjedhjet federale në shtator të vitit 2017, Merkel duhet t'i marrë këto shqetësime më me seriozitet. Durimi i votuesve është duke shteruar - sidomos pas sulmeve terroriste në Gjermani, këtë verë. Në fjalimin e saj pas mposhtjes në Berlin, Merkel pranoi se kishte mbivlerësuar aftësinë e Gjermanisë për ta absorbuar një numër aq të madh të refugjatëve. Ajo tha se do të donte të mundte ta kthente historinë prapa, jo në lidhje me vendimin e saj për t'i ftuar refugjatët sirianë, që kishin ngelur në Hungari, por për ta përgatitur më mirë dhe më herët terrenin për ta. Tani kur AfD është e pranishme në dhjetë legjislatura shtetërore, ajo pranoi se "Wir schaffen das" mund të tingëllojë më shumë si kërcënim të kufijve pambarimisht të hapur, sesa një afirmim të besimit të saj te institucionet e Gjermanisë dhe te qytetarët. Por, Merkel befasoi si miqtë, po ashtu edhe armiqtë, duke refuzuar që të lëshonte sado pak pe në lidhje me dy vendimet e saj më të kontestueshme: hapjen e derës së Gjermanisë dhe angazhimin për një zgjidhje evropiane, të bazuar në solidaritet. Ajo ka të drejtë, meqë kriza e vitit të kaluar tani është shuar në pjesën më të madhe të saj. Nga jashtë, marrëveshja midis BE-së dhe Turqisë ndihmoi në zvogëlimin e numrit të refugjatëve të rinj. Përbrenda, autoritetet ia kanë dalë që të regjistrojnë, shpërndajnë dhe strehojnë refugjatët e ardhur vitin e kaluar dhe t'i kthejnë në atdhe ata të cilëve nuk do t'iu pranohet azili. Po ashtu, interesat e qeverive evropiane janë pasqyruar në bashkëpunimin në lidhje me zvogëlimin e numrit të imigrantëve. Megjithatë, ende ka ndarje serioze rreth asaj se si të arrihet kjo. Hungaria dhe Austria prijnë në trendin e kthimit të kontrolleve kufitare, gjë që Merkel së koti u përpoq që ta pengonte. Ajo po ashtu dështoi që ta siguronte mbështetjen nga shtetet e Evropës qendrore dhe lindore rreth shpërndarjes së refugjatëve bazuar në kuotat nacionale. 

Populistët djathtistë lulëzojnë

Çështja kyçe tani është se sa kriza e refugjatëve, ngritja e AfD-së dhe rritja e tensioneve brenda CDU-së dhe partisë së saj simotër në Bavari, CSU, e kanë dëmtuar pozitën e Merkelit para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Në fakt, kundërshtimi më i rëndësishëm ndaj saj nuk vjen nga socialdemokratët, që aktualisht janë partnerë të koalicionit të Merkelit, por nga brendësia e kampit të saj politik. Lideri i CSU-së, Horst Seehofer, vazhdon që të insistojë në një limit për imigrantët. Por, dhënia fund e luftës së brendshme është mu ajo që i nevojitet Merkelit për ta shtyrë AfD-në. Populistët djathtistë lulëzojnë kur votuesit hetojnë humbjen e sensit të kontrollit dhe ndarjen brenda elitave politike. Merkel ende nuk është deklaruar se a do të kandidohet përsëri. Por, duke pasur parasysh qëndrimin e saj parimor dhe moral rreth një politike, e cila tani duket sikur projekti përcaktues i mandatit të saj si kancelare, zor se mund të pritet që ajo të heshtë. Kritikët që thonë se Merkel do të hyjë në histori si kancelari, i cili ia dha Gjermanisë së pas luftës partinë e parë populiste djathtiste, nuk ia qëllojnë aspak. Parti të ngjashme janë në rritje edhe në vendet e tjera demokratike perëndimore, duke përfshirë edhe shoqëritë me një numër shumë më të vogël të refugjatëve. Ky nuk është një fenomen krijesë e Merkelit. Në vend të kësaj, kemi të bëjmë me një kundërshtim më të gjerë ndaj globalizimit, tregtisë së lirë dhe rrjedhave financiare, të cilat nga votuesit shihen si të pakontrollueshme. Por, një gjë është e sigurt. Se a do të fitojë Merkel për të katërtën herë në zgjedhje, a do të mposhtet, apo do të tërhiqet nga kandidatura, do të ketë reperkusione edhe jashtë Gjermanisë. Derisa ajo ende duket të jetë një garantuese e rëndësishme e stabilitetit, fuqia e saj, brenda vendit dhe në Evropë, do të varet nga aleatët dhe partnerët e saj, ku disa prej tyre aktualisht janë kritikët e saj më të zëshëm. 

(Autori është drejtor i Programit Evropian në Fondin Gjerman "Marshall")

(Kosova Sot)