Pse mungon Dita e Kërpudhave në Kosovë?

Pse mungon Dita e Kërpudhave në Kosovë?
  • 28 September 2016 - 08:01

Shkruan: Florim Zeqa

Në mëshirën e fatit

U shitën apo jo kërpudhat, i shtien "turrshi" apo i hedhin të nesërmen në plehra, prapë mbetet problem i shtresave më të varfra dhe më të pambrojtura të vendit tonë

Këtyre viteve të fundit qytetarët e vendit tonë, me të hapur televizionin, në emisionin e mëngjesit apo në lajmet e mbrëmjes dëgjojnë për Ditën ndërkombëtare të tokës, ujit, rrushit, mollës dhe artikujve tjerë ushqimorë,..Ditën e demokracisë, Ditën e paqes, Ditën e viktimave,...e deri të shënimi i gjërave më banale që s'kanë të bëjnë fare me jetën e qytetarëve tonë. Ditë më parë presidenti i vendit ishte në një fshat të komunës së Istogut (Kovragë) për shënimin e Ditës së mollës, me ç'rast, atë ditë nga pemëtarët e Kovragës i është ndarë mirënjohje presidentit Thaçi për "kontributin e tij për zhvillimin e sektorit të bujqësisë" në Kovragë dhe Istog,...përderisa në anën tjetër aktivistë të lëvizjes 'Vetëvendosje' e mirëpritën presidentin me pankartën: "Pushtetarët "Pronto", mollët rritën më mirë e më shumë pa ju"!

Kërpudhat e maleve janë kryekëput dhuratë e natyrës

Edhe pse deri më sot, askush nga pushtetarët nuk e përmendi Ditën e Kërpudhës, shiu i parë që bie në muajin shtator, është dita që më së shumti i gëzon banorët e varfër të fshatrave malore të Kosovës, e në veçanti të Rrafshit të Dukagjinit,...të cilët për disa ditë e javë rresht sigurojnë kafshatën e gojës nga mbledhja e kërpudhave nëpër luginat dhe majat e maleve më të ngjeshura me lloj-lloj drunjsh, ku në mesin e tyre ndodhen edhe lloj-lloj zvarranikësh të rrezikshëm për jetën e njeriut. Për dallim nga mollët e Kovragës, që janë produkt i punës së pemëtarëve të vyeshëm të asaj anë, kërpudhat e maleve janë kryekëput dhuratë e natyrës, të cilat mbijnë e rritën gjatë natës në malet tona, pa pasur nevojë për përkujdesje të askujt. Edhe pse mbledhja e kërpudhave nuk është aq punë e lehtë dhe pa rreziqe, shkaku i prezencës së madhe të gjarpërinjve,...të varfrit, të harruarit e shtetit, nga mëngjesi i hershëm e deri në mbrëmje vonë ia mësyjnë zonave malore ku llogaritin të gjejnë sa më shumë kërpudha. Edhe puna e kërpudhave është sikurse puna e gjuetisë, dikujt i buzëqesh fati më shumë e kujt tjetër më pak. Me t'u kthyer në shtëpi, problem u mbetet shitja e tyre, ngase nuk kanë ndonjë pikë të caktuar të shitjes. Si çdoherë mbetën në mëshirën e fatit, se kush do të vijë i pari në fshat për blerjen e kërpudhave të tyre, ngase me kalimin e orëve kërpudhave u bie vlera, derisa edhe dëmtohen tërësisht.

Heshtja si mbulesë para një kontrabandimi

Në mungesë të ndonjë pike të rregullt grumbulluese, kërpudhat e mbledhura me mund e me djersë shiten lirë,...për t'u kontrabanduar disa herë, derisa të mbërrijnë tek destinacioni i fundit, i cili e fiton dhjetëfishin e çmimit të blerjes. Mbase dikujt mund t'i duket banale çështja e kërpudhave, por biznesi profitabil me kërpudhat sikurse edhe bizneset e tjera kanë ekzistuar vite me radhë para luftës, për të vazhduar edhe në ditët e sotme. Ky lloj biznesi është realizuar dhe realizohet në bashkëpunim me biznesmenët serbë, që destinacion të fundit e kanë tregun evropian. Nuk është se pushtetarët dhe Policia e Kosovës nuk janë në dijeni për këtë lloj biznesi mjaft profitabil, jo që nuk i dinë dilerët dhe destinacionin e tyre,...e kanë zgjedhur heshtjen si mbulesë para një kontrabandimi të tillë të mundit dhe djersës së qytetarëve të varfër të këtij vendi. Se sa është i lartë çmimi i kërpudhave në shtetet perëndimore, po ua ilustroj me një shembull të thjeshtë të tregut të shitjes në Itali, ku vetëm 10 gramë kërpudha të terura në shitoret italiane kushton më shtrenjtë se 1 kg i blerjes së të njëjtave në Kosovë! Andaj do të ishte mirë, që presidenti Thaçi dhe kryeministri Mustafa bashkë me kryetarin e Mitrovicës, Bahtirin, t'i vizitojnë këto ditë banorët e fshatrave malore të rrafshit të Dukagjinit,...në mos "mirënjohje", nga ta mund të marrin si shpërblim nga 1 kg kërpudha sa për ta shënuar Ditën e Kërpudhës, e munguar deri më tani në ditarin e atyre që merren me shënimin e "ditëve" të veçanta në vendin e paradokseve më të mëdha në botë, të quajtur me emrin Kosovë. Megjithatë kjo nuk ka gjasa të ndodhë, ngase liderët e sipërpërmendur shtetërorë, shkojnë aty ku flitet për miliona, e nuk e çajnë kokën për mirënjohje dhe as për hallet dhe peripecitë e qytetarëve të varfër të vendit të tyre. U shitën apo jo kërpudhat, i shtien "turrshi" apo i hedhin të nesërmen në plehra, prapë mbetet problem i shtresave më të varfra dhe më të pambrojtura të vendit tonë.

(Kosova Sot)