Koalicioni i uzurpimeve

Koalicioni i uzurpimeve
  • 29 September 2016 - 07:57

Shkruan: Faton Mehmeti

Derisa PDK-ja i ka uzurpuar pronat publike, së bashku me LDK-në e kanë uzurpuar Kosovën, duke e kthyer në kënetë dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen. Monopolet u favorizuan nga PDK-ja, por u çimentuan kur iu bashkua edhe LDK-ja.

Koalicioni PDK-LDK është jonatyral dhe pikërisht nga kjo shumë njerëz u habitën kur një gjë e tillë ndodhi para dy vitesh. Deklarata e kreut të PDKsë, Kadri Veseli, se dikush po tenton që edhe në Kosovë t'i kthejë pamjet e Sirisë, duke komentuar largimet e banorëve nga banesat e uzurpuara në "Dardani", ka ngjallur reagimet nga partneri i koalicionit, LDK-ja. Është kreu i LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, ai i cili ka thënë se edhe klani i Veselit janë ata që e kanë uzurpuar Kosovën. Sa më afër fundit të mandatit të këtij koalicioni thumbimet ndaj njëri-tjetrit vetëm sa do të shtohen, kur dihet se këto dy parti janë antagonizma në qenie të tyre, së paku kështu ishte derisa Isa mori drejtimin e LDK-së. Derisa PDK-ja i ka uzurpuar pronat publike, së bashku me LDK-në e kanë uzurpuar Kosovën, duke e kthyer në kënetë dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen. Monopolet u favorizuan nga PDK-ja, por u çimentuan kur iu bashkua edhe LDK-ja.

Ne sot jetojmë me ligje të xhunglës Rasti në fjalë, të cilit i referohet Kadri Veseli, daton që në vitin 2005, ku NPB ka paditur palët dhe ka kërkuar lirimin e banesave të 'Dardanisë' për ta përfunduar projektin dhe për ta dorëzuar pronën tek pronarët. Në vitin 2012, gjykata ka vendosur në favor të NPB në të gjitha shkallet, duke thënë se uzurpimi është uzurpim pa marrë parasysh rrethanat. Tash Gjykata ka vendosur ta zbatojë vendimin. Vlerësoj se çdo pronë e uzurpuar duhet të lirohet, Veseli do të duhej të mbështeste këtë aksion e jo të përmende Sirinë, duke demonstruar naivitet dhe mungesë zgjuarsie. Sigurisht Kadriut i dhemb kur pronat e uzurpuara lirohen, pasi klani i tij është i kyçur direkt në uzurpime. Kujtojmë këtu rastin e Azem Sylës dhe plot e plot zyrtarë të lartë të PDK-së të përfshirë direkt në pronat publike të uzurpuara. Edhe sot ka shumë të tillë, por mungesa e drejtësisë nuk i prek të "fortët". Kujtojmë se procesi skandaloz i privatizimit, që ka nisur në Kosovë, pas luftës nga UNMIK-u dhe më pas e vazhduan pushtetarët, vendorët ia kanë parë hairin me përfitimet milionëshe. Mbrapa oligarkëve të bizneseve të ndryshme, që po ngrihen dhe krijojnë monopole në Kosovë, qëndrojnë të fortët e politikës në pushtet të paprekur nga drejtësia. Deklarimi i Haxhi Avdylit se "Kosova do duhet të aprovojë sa më shpejt ligjet e Xhunglës, ku më të fortit do uzurpojnë, përvetësojnë dhe do të mbrohen me ligjin e xhunglës së Kadri Veselit. " konstaton faktin se ne sot jetojmë në xhungël, ku ligji i saj është "vrit ose do të vritesh", ku ligjet bëhen për të dobëtit dhe zbatohen kundrejt tyre, ndërsa ndaj atyre të ashtuquajturve "luanëve" ligji i vetëm është hesht përballë së keqes ose të gllabëroj me fuqinë e mbretit të xhunglës.

Lojërat politike do të shtohen me afrimin e mbarimit e koalicionit Uzurpimi i shtetit të Kosovës nga klani "Pronto", të cilit i është bashkuar edhe LDK-ja e z. Avdylit, është shumë më kompleks dhe i trisht sesa uzurpimi i një hapësire publike. Klanit "Pronto" hipjen në pushtet ia mundësoi një parti dikur e madhe politike, e cila ende bën be në filozofinë rugoviane. LDK-ja ia qiti në pjatë PDK-së të gjitha mundësitë për ta marrë nën kontroll administratën publike, sektorin e privatizimit dhe në fund edhe bordet. Kush nuk do ta besonte se një parti e cila për vete thotë se është e vlerave dhe që udhëhiqet nga një akademik do t'i bëhej argat kaq i vyeshëm PDK-së. Vlerat me të cilat është lavdëruar duket se u shuan që në çastin kur krejt zyrtarët e saj të lartë vendosën t'i kapërdinin të gjitha sharjet, fyerjet dhe ofendimet që ia kishin bërë PDK-së dhe SHIKut dhe të shndërroheshin në mbrojtësit e vetëm të politikës së mbrapshtë të Thaçit. E kemi vërejtur në disa muajt e fundit se më të zëshëm janë përfaqë- suesit e LDK-së në mbrojtjen e marrëveshjeve për asociacionin dhe për demarkacionin sesa vetë PDK-ja. Nuk është e ndershme nga ana e Haxhi Avdylit te akuzojë PDK-në për krejt të këqijat ndaj vendit, përderisa e kanë zgjedhur për koalicion dhe është pikërisht partia e z. Avdyli, që është shndërruar në patericë të PDK-së. Këto lojëra politike do të shtohen me afrimin e mbarimit e koalicionit, e pastaj pas zgjedhjeve prapë do t'i ndajnë interesat me njëri-tjetrin. Pafytyrësi se jo mahi…

(Kosva Sot)