Fitorja e Clinton-it pa performancë të jashtëzakonshme

Fitorja e Clinton-it pa performancë të jashtëzakonshme
  • 29 September 2016 - 09:48

Shkruan: Roger Cohen

Debati mes kandidatëve për president të SHBA-së

Trump-i i çrregullt dhe grindavec

Asgjë, që është thënë në debate, nuk ka mundur ta ndryshojë faktin që miliona amerikanë duan ndryshim e jo vazhdimësi dhe ata e shohin Trump-in si një kandidat potencial për të ofruar një ndryshim radikal nga politika e zakonshme

Diku nga mesi i debatit të tyre të parë, Hillary Clinton, duke folur për Donald Trump-in, ka thënë: “Mendoj që Donald-i sapo më kritikoi që jam përgatitur për këtë debat. Dhe, po, jam përgatitur. A e di edhe për çka tjetër jam përgatitur? Jam përgatitur për të qenë presidente dhe mendoj që është gjë e mirë”. Ky ka qenë njëri nga momentet e saj më të mira, një përsëritje e mungesës së përgatitjes së Trump-it për përgjegjësitë e Zyrës Ovale dhe kjo gjë e ka goditur qendrën e diskutimeve të tyre që nuk kishin ndërlidhje: Clinton ishte e matur dhe e siguruar, ndërsa Trump-i ishte i çrregullt dhe grindavec siç ka qenë gjithmonë, që prej fillimit të karrierës së tij. Kjo gjë ka funksionuar për të deri më tani dhe mund të funksionojë prapë në atë që është shndërruar në një garë të ngushtë. Një numër i madh amerikanësh duan ndryshimin, Trump-i sapo është futur në politikë, ndërsa Clinton-i është pjesë e ‘establishment’-it. Asgjë që është thënë në debate nuk ka mundur ta ndryshojë faktin që miliona amerikanë duan ndryshim e jo vazhdimësi dhe ata e shohin Trump-in si një kandidat potencial për të ofruar një ndryshim radikal nga politika e zakonshme.

Gjendja e mjerueshme e aeroporteve

Mirëpo, nëse qëllimi i Trump-it ka qenë të duket si presidencial, sa i përket gjykimit dhe dijenisë në lidhje me çështjet për të cilat po flitet, ai ka dështuar. Ai ka bërtitur më shumë sesa që është treguar i arsyeshëm. Ai i ka përsëritur të pavërtetat dhe është përsëritur e përsëritur. Natyrisht, votuesit e bazës së tij nuk interesohen për këtë gjë, mirëpo votuesit e pavendosur, të cilët mund ta vendosin këtë garë, i mendojnë këto gjëra. Clinton, në anën tjetër, është paraqitur e vendosur dhe e kujdesshme. Ajo i është vërsulur Trump-it për faktin që nuk i ka publikuar pasqyrat tatimore, duke iu kundërpërgjigjur, pasi që ai ka përmendur gjendjen e mjerueshme të aeroporteve, rrugëve, urave dhe tuneleve të Amerikës, me fjalët: “Ndoshta sepse nuk i keni paguar taksat federale për shumë vjet”. Ajo e ka shfrytëzuar mënyrën se si Trump-i i ka trajtuar femrat dhe e ka dërguar Trump-in në vrimë të miut, duke e detyruar që të zhytet në gënjeshtrat e tij qesharake. Kur Trump-i kalon në defensivë, ai bëhet i mërzitshëm, gjë e cila është dëshmuar edhe në kohën kur është sulmuar nga Clinton-i. Megjithatë, për Clinton-in, një kandidate e cila po e ka problem ta kalojë sfidën e mosbesimit nga një numër i madh i amerikanëve të rinj, kjo ka qenë një paraqitje e rafinuar e jo ndonjë performancë e jashtëzakonshme. Ajo ka thënë gjithçka që është pritur nga ajo. Mirëpo, votuesit hezitues po presin diçka të papritur nga ajo, një lloj lidhjeje njerëzore e jo vetëm lidhje politike. Ata do të duhet të vazhdojnë të presin. Ajo ka përjetuar momentin më të keq kur ka treguar se si “ekspertët e pavarur” e favorizojnë planin e saj ekonomik para atij të Trump-it dhe kur, më shumë se një herë, i ka nxitur shikuesit që të futen në ueb-faqen e saj dhe ta kontrollojnë në kohë reale nëse fjalët e oponentit të saj në të vërteta apo jo. Njerëzit nuk e kanë shikuar Clinton-in për t’u drejtuar drejt përpjekjeve të stafit të Clinton-it. Ata e dinë që kampanja e Clinton-it është kompetente.

Clinton-i është një kandidate shumë më e përgatitur për të qenë presidente

Për më tepër, jo të gjitha faktet e Clinton-it kanë qenë të drejta. Nën presion nga fjalët e Trump-it për faktin që i ka ndryshuar mendimet për marrëveshjen tregtare të Partneritetit Trans-Paqësor – Clinton e ka mbështetur para se të kthehej kundër saj – ajo ka thënë që “Ka shpresuar se do të ishte marrëveshje e mirë”. Në fakt, ashtu siç ka insistuar Trump-i, ajo ka thënë që marrëveshja ishte me ‘standardet e arit’ sa i përket marrëveshjeve tregtare.  “Epo, Donald, e di që jeton në realitetin tënd, mirëpo këto nuk janë fakte”, ka thënë Clinton gjatë diskutimit për tregtinë, që ka përbërë momentet më efektive të Trump-it. Ndryshimi i mendimit të Clinton-it për tregti të lirë e ka lënë atë me pika të dobëta dhe e ka detyruar që të mbrojë pozicione për të cilat edhe vetë nuk është plotësisht e bindur. Bernie Sanders e ka shtyrë Clinton-in gjatë diskutimeve për tregtinë dhe tani ajo ka mbërritur në cep. Mirëpo, ky ka qenë një moment i shkurtër i epërsisë së Trump-it. Derisa Clinton është nxjerrë shumë mirë sa i përket përdorimit të serverit privat gjatë kohës kur ka qenë sekretare e shtetit, duke thënë që ka bërë gabim, Trump-i assesi nuk mund ta shqiptonte këtë fjalë. Gabimi dhe kandidati republikan nuk jetojnë në të njëjtin univers. Ai e ka përsëritur gënjeshtrën që fillimisht e kishte kundërshtuar luftën në Irak, i ka mohuar qëndrimet për ndryshimet klimatike, ka folur broçkulla për taksat e tij, ka treguar injorancë totale sa i përket efektivitetit të marrëveshjes nukleare me Iranin dhe është futur në një zonë të padëshirueshme duke sulmuar Rezervat Federale të SHBA-së. Clinton i ka siguruar aleatët amerikanë që traktatet e mbrojtjes së përbashkët do të respektohen. Trump, në anën tjetër, është i bindur që mund ta rizbulojë botën pa e studiuar atë – një iluzion i rrezikshëm. Trump-i ka thënë që mendon se ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të udhëhiqen nga dikush që i kupton paratë. Mirëpo, edhe nëse Trump-i e kupton se si funksionojnë paratë, një supozim i pasigurt, kjo gjë nuk mjafton për të qenë i përgatitur për ta udhëhequr botën e lirë. Nga fundi, Trump-i e ka vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e Clinton-it. Përgjigjja ka qenë e menjëhershme: “Epo, kur ai të udhëton në 112 shtete dhe të negociojë marrëveshje të paqes, armëpushimit, lirimin e disidentëve, hapjen e mundësive të reja në kombet përreth botës, ose i kalon 11 orë duke dëshmuar para një komiteti të kongresit, ai mund të vijë dhe të flasë për qëndrueshmëri”. Një mohim brilant i aluzionit të Trump-it. Në një kampanjë normale do të dukej e qartë që Clinton-i është një kandidate shumë më e përgatitur për të qenë presidente. Mirëpo, kjo nuk është një kampanjë normale. Clinton-i ka fituar në mbrëmjen e së hënës, në bazë të të gjitha llogarive. Mirëpo, se a do të fitojë edhe më 8 nëntor, vazhdon të jetë e paqartë.

Roger Cohen është gazetar dhe autor. Ai është kolumnist në ‘The New York Times’.