Debati dhe një çështje e frikshme

Debati dhe një çështje e frikshme
  • 22 October 2016 - 15:12

Shkruan:Gail Collins 

KANDIDATI REPUBLIKAN KA FILLUAR TË BËHET I FRIKSHËM

Donald Trump nuk dëshiron që të premtojë se do t'i pranojë rezultatet e zgjedhjeve
Nëse humb, Trump nuk ka premtuar se do t'i njohë rezultatet e zgjedhjeve dhe, nëse fiton, ai do ta marrë kontrollin mbi armët bërthamore

O.K., Donald Trump nuk dëshiron që të premtojë se do t'i pranojë rezultatet e zgjedhjeve. Kjo me të vërtetë paraqet një... shkak për t'u shqetësuar. "Do t'ju tregoj me kohë... dua t'ju mbaj as andej, e as këndej", i deklaroi ai moderatorit të debatit të së mërkurës, Chris Wallace. U përmend edhe fjala "manipulim". Hillary Clinton vuri re se Trump është i prirë që të supozojë se, sa herë që ai humbë diçka, sistemi është i korruptuar: "Bile, në një rast, ai nuk e mori çmimin 'Emmy' për emisionin e tij televiziv tri herë me radhë dhe filloi të thoshte se çmimet 'Emmy' janë të mashtruara". "Do të duhej ta merrja atë çmim", vërejti Trump. Këtë do të duhej ta prisnim se do të ndodhte, në momentin kur moderatori i emisionit "The Celebrity Apprentice" u bë i nominuar për garën presidenciale. Por, kjo çështje është serioze. Trump refuzoi që të pranonte se ishte e mundur që ai ta humbte një garë fer. Në një moment, ai tha se zgjedhjet janë të mashtruara, meqë aty garon Hillary Clinton. ("Ajo kurrë nuk do të duhej lejuar që të kandidonte për presidente, duke ditur se çka kishte bërë me emailat"). Momenti kur u fol rreth mashtrimit të zgjedhjeve, la nën hije çdo gjë tjetër në debat, gjatë të cilit Trump bënte grimasa të çuditshme derisa fliste Clinton, por ia doli që të mos dilte tërësisht nga binarët. A e bën kjo atë të suksesshëm? Përsëri jemi ballafaquar me problemin e një "pragu" (kriteri) tepër të ulët, por, përkundër kësaj, jo, kjo nuk mund të konsiderohet sukses për të.

Prapë fyen gratë

Ai ia doli, sidomos në pjesën e parë të debatit, që t'i injoronte përpjekjet e Clinton-it për ta zemëruar atë. Kur ajo tha se Trump-it iu kishte zënë fryma gjatë takimit me presidentin e Meksikës, ai e ruajti qetësinë. Edhe pse Trump tha, çuditshëm, se kur flitej për imigrimin, nën presidentin Obama "me miliona njerëz kanë dalë nga ky vend... Ajo nuk dëshiron që ta pranojë këtë, por kjo edhe ndodhi". Ata patën edhe një argument rreth, qëllojani kujt? Vladimir Putinit! "Mesa mund të shoh, Putin nuk ka ndonjë respekt për këtë person", deklaroi Trump, duke iu referuar Clinton-it. Lufta vazhdoi për një kohë, derisa ajo me mjeshtëri ia doli që ta drejtonte diskutimin kah tema e "vendosjes së gishtit të Trump-it mbi butonin bërthamor". O.K., kemi dy pika kritike. Nëse humbë, Trump nuk ka premtuar se do t'i njohë rezultatet e zgjedhjeve dhe, nëse fiton, ai do ta marrë kontrollin mbi armët bërthamore. Ekzistojnë vetëm dy gjëra rreth të cilave iu duhet që të mendoni përgjatë dy javë e gjysmë të ardhshme. Edhe më parë kemi qenë përgjatë kësaj rruge të debatit dhe, ende pa filluar, ne e dinim se, kur Trump e kishte pyetua atë prej sulmeve ndaj grave, ai mohoi të gjitha, duke ia hedhur tërë fajin Hillary-t, e më pas përmendi përsëri çështjen e emailave. E, kur u përmendën emailat, Clinton përmendi mënyrën sesi Trump kishte ofenduar meritat luftarake të John McCain-it, si dhe të prindërve të heronjve të rënë. "Sa grua e keqe - e rrezikshme", tha Trump në një moment. Derisa debati vazhdonte, ai bëhej edhe më i vrazhdët, me shprehje edhe më bizare. Një gjë tanimë e kemi mësuar me siguri, gjatë përcjelljes së tri debateve, e kjo është se ai ka problem serioz me qëndrueshmëri. Hillary Clinton ka shumë të meta. Ajo është e prirë që të japë përgjigje të gjata, të mërzitshme. Kurrë nuk është mësuar se si ta trajtojë çështjen e emailave. Por, ajo ka një qëndrueshmëri shumë më të madhe gjatë takimeve të tyre në debate. 

Republikanët e establishmentit në hall

Po ashtu, ajo e bëri më se të qartë se do t'i pranojë rezultatet e zgjedhjeve edhe nëse humbë. Clinton nuk ishte edhe aq e mirë derisa mbronte Fondacionin "Clinton". Por, u duk e drejtë nga ana e saj që ta përmendte faktin që Trump kishte përdorë ca nga paratë e fondacionit të tij për ta blerë një portret gjigant të vetvetes. ("Kush tjetër e bën një gjë të tillë?") Por, çka ndryshoi kjo? Ai nuk tha se do t'i pranonte rezultatet e zgjedhjeve në rast se do të humbte. Më pas, për CNN, menaxheri i kampanjës së tij tha se Trump do t'i pranojë rezultatet e zgjedhjeve, meqë "ai edhe do t'i fitojë zgjedhjet". Kjo nuk ishte aq ngushëlluese. Nëse nuk e keni shikuar këtë ngjarje, atëherë ndoshta do të donit ta dinit se askush nuk i shtrëngoi duart, se Clinton-it iu desh një orë për të përmendur se Trump kurrë nuk ka publikuar kthimet tatimore dhe se, sa herë që ajo thoshte se Trump kishte blerë të njëjtin çelik dhe alumin nga kinezët, për të cilët thotë se janë duke e shkatërruar ekonominë, Trump thoshte se ky ishte faji i saj, pse nuk i kishte ndryshuar ligjet. Ajo e përmendi deklaratën e tij se "mis Universi është e trashë", por ai nuk deshi që ta diskutonte këtë temë. Ai premtoi se do ta udhëheqë vendin ashtu sikur që e udhëheqë kompaninë e tij, ku një pjesë e madhe e publikut ishte në dijeni se kishin të bënin me njeriun i cili gjashtë herë kishte deklaruar falimentimin e kompanisë. Por, nëse edhe këtë e kemi harruar, atëherë një gjë ka rëndësi. Ky njeri thotë se nuk do t'i pranojë rezultatet e zgjedhjeve. Të gjithë ata republikanë të establishmentit që kishin shpresuar ta kalonin këtë katrahurë vetëm duke mos bërë zë dhe duke bërë një fytyrë të pikëlluar , tani kanë punë për të bërë. Edhe atë shumë shpejt. 

(Kosova Sot)