Nocioni i dashurisë, imitimi i stilit banditesk dhe imitimi i modelit rugovian për jetën

Nocioni i dashurisë, imitimi i stilit banditesk dhe imitimi i modelit rugovian për jetën
  • 23 October 2016 - 08:39

Shkruan: Skënder Mulliqi

Të sillesh dhe t'i imitosh strukturat politike të kriminalizuara dhe të korruptuara në pushtet është vesi më i keq i mundshëm

Dashuria nuk është nocion i ngushtë. Dashuria nuk është vetëm dashuri mashkull- femër, por ka edhe tjera relacione emotive. Kemi dashurinë ndaj atdheut, kemi dashurinë karshi nënës dhe babait, motër dhe vëlla, dashuria karshi një miku apo miqve. Shpesh dashurinë që kemi për dike e shprehim edhe me lot. Kur jemi këtu, kemi lot të gëzimit dhe lot të hidhërimit. Dashuria dhe gëzimi janë shoqërues të përbashkët, të cilat vijnë në shprehje karshi problemeve apo të mirave që na i sjellë jeta. Përmes dashurisë mund të analizojmë edhe shoqërinë çfarë e kemi. Ne shoqërinë më defekte, edhe dashuria është e kufizuar. Në shoqëritë e zhvilluara dhe demokratike niveli i dashurisë është më i lartë. Në sistemin komunist apstrahohet dashuria në nivel shoqëror. Gjithmonë kjo nuk vjen në shprehje, sepse edhe në shoqërinë kapitaliste dashuria mund të jetë sipërfaqësore, sepse dashurinë e mirëfilltë e mund lakmia pas të mirave materiale. Dikush edhe mund të jetë shumë i pasur, me shtëpi dhe vila luksoze, me oborre që janë mrekullia e vet, por nuk kemi kënaqësi brenda një familje të tillë, ose kemi dashuri me të meta. Varësisht së për çfarë sistemi bëhet fjalë mendoj unë, kemi edhe shkallën e depresionit. Nuk është njëjtë të jetohet mirë ose tepër keq brenda një shoqërie. Ata që jetojnë keq, kanë më pak dashuri brenda fëmijës, brenda rrethit ku jetojnë dhe më larg.

Rritja e zhgënjimit Kosova e pasluftës ka shpërfaqur shumë anën depresive të njeriut tonë, e kjo i qet në plan të dytë lumturinë dhe dashurinë si brenda fëmijës dhe mjedisit ku jetojmë. Dashuria si nocion ka degraduar në Kosovën e pasluftës, sikur ka degraduar edhe vetë jeta. Ka humbur dashuria dhe kujdesi për njëritjetrin si tipare me vlerë shoqërore dhe me vlerë të madhe kombëtare. Në atë vend ku jetohet keq, në vend të dashurisë dhe lumturisë, zë vend zhgënjimi i madh, vjen në shprehje depresioni, i cili pastaj po shndërrohet në vetëvrasje apo zënka brenda familjes me përfundime tragjike. Një statistikë flet se kemi shumë vetëvrasje të ishpjesëtarëve te UÇK-së dhe shumë vetëvrasje të tjera. Kjo është mjerimi ynë dhe mjerimi i kastës politike në pushtet, e cila në vend që të krijojë kushte për një jete normale, e ka pru gjendjen sociale në pikën zero. Nga shpresa së do të bëhet mirë, e vitet shpejt po kalojnë, po bëhemi imitatorë të jetës së mirë. Fenomeni i imitimit e ka përfshirë mbarë shoqërinë. Të rinjtë tanë gjithnjë e më shumë po i imitojnë pushtetarët. Kanë filluar të sillen dhe të vishen sikur njerëzit e politikës. 

Imitimet e gabuara Të sillesh dhe t'i imitosh strukturat politike të kriminalizuara dhe të korruptuara në pushtet është vesi më i keq i mundshëm. Të imitosh këto struktura pushtetare do të thotë të mendosh keq për jetën, për shtetin, vendlindjen dhe familjen tënde. Të imitosh këta do të thotë të jetosh me djersën dhe mundin e huaj. Të imitosh këtë kastë politike në pushtet do të thotë të vjedhësh, të plaçkitësh shtetin dhe popullin tënd. Një pjesë e rinisë sonë fatkeqë- sisht janë duke u bërë imitatorë të kësaj elite të degraduar politike. Të imitosh dike për së mbari nuk prishë punë. Të imitosh dhe të sillesh si ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, do të thotë të sillesh konform rregullave demokratike, do të thotë të jetosh ndershmërisht, do të thotë të bëhesh intelektual i rangut të lartë, i cili punon për shtetndërtim dhe popullin e vet pa asnjë hile. Modeli rugovian është gjeja më i mirë dhe e shëndetshme për rininë tonë, të cilët nga ky model do të përfitonin shumë në jetë. Imitimet e mira ia vlejnë, por gjithmonë duke mbetur vetvetja, pa u bëre kopje e keqe e askujt...

(Kosova Sot)