Pse do të fitojë Hillary?

Pse do të fitojë Hillary?
  • 25 October 2016 - 14:52

Shkruan: Paul Krugman 

Ajo është e vërtetë, reale, në një mënyrë në të cilën askush nga partia tjetër nuk mund të jetë.

Faktet e demantojnë supozimin se ajo gjendet këtu ku është vetëm falë fatit të rastit. Ajo është një figurë madhore dhe ka qenë e tillë gjatë tërë kohës.

Hillary Clinton është një kandidat i tmerrshëm. Këtë janë duke e thënë ekspertët që nga fillimi i kësaj kampanje të pafund. Duhet të kthehemi te Al Gore, në vitin 2000, për ta gjetur një politikan, i cili u ballafaqua me aq shumë tallje nga mediat, rreth çdo gjëje, që nga pohimet për mungesë të sinqeritetit, e deri te çështjet e stilit personal. Përkundër kësaj, zonja Clinton fitoi nominimin demokrat me lehtësi dhe tani, pasi që mbizotëroi kundërshtarin e saj në tri debate të njëpasnjëshme, është favorite bindëse për të fituar në nëntor, me gjasë me një dallim të madh. Si është e mundur një gjë e tillë? Dyshuesit e rëndomtë janë të gatshëm me përgjigjen e tyre - sepse ajo pati fat. Sikur, sipas tyre, republikanët të mos e kishin nominuar Donald Trump-in, ajo do të humbte keq. Por, ja edhe një mendim i kundërt: ndoshta zonja Clinton do të fitojë për shkak se posedon disa fuqi fundamentale politike. Pikë së pari, kë tjetër do të mund ta emërtonte Partia Republikane? Mos harroni se Trump mori nominimin e kësaj partie për shkak se këtë e deshi baza partiake, duke kanalizuar antagonizmin racor i cili ishte forca kryesore e suksesit të elektoratit republikan me dekada të tëra. E tëra që bëri ai ishte se tha me zë atë që konkurrentët e tij donin ta thoshin me rrotulla, gjë që tregon edhe pse ata ishin aq të paaftë që t'i kundërviheshin atij. Dhe, këta kandidatë të establishmentit ishin më shumë Trumpianë sesa ata që fantazojnë rreth një historie të ndryshme, p.sh. ku Partia Republikane do ta nominonte Marco Rubion. Por, shumë njerëz ende mbajnë mend rrenat e tij, të cilat në fakt e akuzonin presidentin Obama se, me qëllim, kishte dobësuar Amerikën. A është kjo më mirë sesa ajo që thotë Trump-i tani? Vetëm nëse mendoni se, fakti që ai nuk besonte në atë që thoshte, ishte dobësi e tij.

Shtirja e republikanëve Këtu, në fakt, qëndron problemi i përgjithshëm për republikanët e establishmentit. Sa prej tyre me të vërtetë besojnë se shkurtimet tatimore janë fuqi margjinale, se ndryshimet klimatike paraqesin një mashtrim të madh, se shqiptimi i fjalëve "terrorizëm islamik" do të ndikojë disi në mposhtjen e ISIS-it? Megjithatë, shtirja kinse besojnë në këto gjëra është çmimi i pranimit në klub. Edhe një gjë rreth z. Rubio: pse të imagjinohet që një njeri i cili pësoi kolaps para talljeve fëmijërore të Trump-it, do të triumfonte ndaj gruas e cila e ruajti qetësinë gjatë 11 orëve të "fërgimit" rreth rastit në Bengazi, duke i bërë hetuesit që të dukeshin si budallenj? Kjo na kthen përsëri te forcat që i posedon zonja Clinton. Kur analistët politikë lavdërojnë talentin politik, ajo që ata duket ta kenë në mendje, është aftësia e një kandidati për t'u përshtatur me një, apo me një numër të kufizuar të arketipave: lider heroik, njeriu i rëndomtë me të cilin do ta pijë një pije, oratori i madh. Zonja Clinton nuk është asgjë prej kësaj. Përkundër kësaj, ajo që me dhjetëra miliona shikues panë gjatë debateve të kësaj vjeshte, ishte impresive: një grua që e ka veten nën kontroll, një grua tepër e qetë edhe kur gjendet nën presion, një person tepër i përgatitur, sidomos rreth çështjeve politike. Dhe, ajo po ashtu punonte rreth një plani strategjik: çdo fitore në debat dukej më e madhe pas disa ditësh, sesa që do të mund të ishte dukur natën e debatit. 

Një kalkuluese gjakftohtë Dhe, fuqitë që ajo demonstroi gjatë debateve janë po ashtu fuqi të cilat do të ishin të mirëseardhura për të, si presidente. Dhe, ndoshta qytetarët e rëndomtë vërejtën të njëjtën gjë; ndoshta të qenit kompetente në situata stresuese mund të paraqesë një kualitet edhe nëse ai nuk përshtatet me nocionet konvencionale të karizmit. Për më tepër, ekziston edhe një gjë të cilën zonja Clinton e solli në këtë kampanjë, ku asnjë republikan i establishmentit nuk do të mund të matej me të: ajo me të vërtetë beson në çështjet kryesore të kampanjës së saj dhe beson në zgjidhjet të cilat i propozon. E di se shumë prej nesh e konsiderojmë atë tepër gjakftohtë dhe kalkuluese dhe, në disa çështje, sikur që është makroekonomia, ajo nuk duket mjaft bindëse. Por, kur flet rreth të drejtave të femrave, apo rreth padrejtësisë racore, apo rreth mbështetjes ndaj familjeve, përkushtimi i saj, apo ndoshta edhe pasioni, janë më se evidente. Ajo është e vërtetë, reale, në një mënyrë në të cilën askush nga partia tjetër nuk mund të jetë. Prandaj, le ta demantojmë një herë e mirë supozimin se ajo gjendet këtu ku është vetëm falë fatit të rastit. Ajo është një figurë madhore dhe ka qenë e tillë gjatë tërë kohës. 

(Kosova Sot)