Ja çka mund ta mësojë Nixon-i Trump-in për humbjen

Ja çka mund ta mësojë Nixon-i Trump-in për humbjen
  • 26 October 2016 - 10:01

Shkruan: Mark K. Updegrove 

Kontestimi i procesit zgjedhor do të ishte një goditje për demokracinë evropiane.

"Nuk mund ta mendoja ndonjë shembull më të keq për vendet e tjera në rast se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të merreshin me pretendimet që vetë presidenca mund të merret falë vjedhjeve në vota", kishte thënë Nixon.

Richard M. Nixon, presidenti i parë që ka dhënë dorëheqje, mund të konsiderohet pishtar i integritetit moral në këtë çështje, ndonëse nuk është se ka qenë i tillë në fushat e tjera. Nixon madje nuk ka qenë as përtej demagogjisë së zbrazët të kohës, gjë e cila dëshmohet nga portretizimi që ia kishte bërë Helen Gahagan Douglas-it, kundërshtares së tij në garën për senat të vitit 1950, kur e kishte quajtur "Zonjusha Rozë". Megjithatë, presidenti i 37-të, sado kontrovers që ka qenë, ofron një shembull të mirë për Donald J. Trump-in mbi rëndësinë e vendosjes së vendit para egos dhe ambicieve personale në Ditën e Zgjedhjeve. Kur zotëri Trump, pas pretendimeve që procesi zgjedhor është i manipuluar, është pyetur në debatin e së mërkurës nëse do t'i pranonte rezultatet e zgjedhjeve, është përgjigjur duke pështyrë në fytyrë demokracinë amerikane. "Do t'ju tregoj me kohë. Do t'ju lë duke pritur", ka thënë ai. Të nesërmen, para një turme në Ohajo, ai ka thënë që do t'i pranonte rezultatet e zgjedhjeve - në rast se do të fitonte.

Fitorja e ngushtë e Kennedy-t Ai do të bënte mirë sikur t'i shikonte zgjedhjet e vitit 1960, kur Nixon, i nominuari i Partisë Republikane dhe zëvendëspresidenti në detyrë, po garonte kundër rivalit të tij demokrat, senatori i Mesaçusetsit, John F. Kennedy. Që të dy kandidatët kanë pasur kampanja madhështore, pjesë e të cilave kanë qenë edhe katër debate, shumë të shikuara, që kanë kulmuar me zgjedhjet e 8 nëntorit. Rezultati ia kishte dhënë një fitore tejet të ngushtë Kennedy-t, që kishte mbledhur 49.7 për qind të votave dhe 303 vota elektorale, kundër 49.5 për qind të votave dhe 219 votave elektorale, sa kishte marrë Nixon. Nga 68 milionë votat, vetëm 119,000 më shumë kishin bërë që Kennedy të fitonte. Ai e kishte fituar Illinoin dhe Minesotën me margjinë shumë të ngushtë. Megjithatë, pak kohë pas humbjes së Nixon-it ndaj Kennedy-t, të cilit ia kishte uruar fitoren me një telegram të dërguar në orët e hershme të mëngjesit të 9 nëntorit, kishin filluar të shpërfaqeshin pretendimet për manipulim të votave në Illinoi dhe Teksas në të mirë të Partisë Demokratike. Në Çikago, në njërin rast, 121 vota ishin numëruar pasi që kishin votuar vetëm 43 persona, ndërsa në Teksas ishin grumbulluar 6,138 vota, përkundër faktit që kishte vetëm 4,895 votues të regjistruar. 'Establishment'-i republikan e kishte sfiduar rezultatin e zgjedhjeve në medie dhe në nivele të ndryshme, duke kërkuar rinumërim. Presidenti Dwight D. Eisenhower madje kishte ofruar ndihmë për Nixon-in që të grumbullonte fonde për t'i mbuluar shpenzimet e betejave ligjore. Gjatë javëve në vijim, republikanët kishin ngritur akuza për parregullsi në votimet në Illinoi dhe 10 shtete tjera, duke supozuar që, sikur supozimi i tyre të dilte i vërtetë në këto shtete, ata do ta detyronin rinumërimin edhe në shtetet tjera. 

Mbrojtja e procesit elektoral Mirëpo, për dallim nga retorika e sotme e zotëri Trump-it, ata i kanë bërë përpjekjet në terma patriotik; Eisenhower insistonte që ai dëshironte t'u tregonte të gjithëve që qeveria federale "nuk i bishtnon" detyrës kur kemi të bëjmë me procesin elektoral. Për dallim nga zotëri Trump, ata kishin filluar nga pozicioni i vendosjes së besimit mbi sistemin, duke u përqendruar në akuza për keqpërdorime specifike, e jo duke deklaruar që i gjithë procesi zgjedhor ka qenë "i manipuluar". Megjithatë, Nixon-i, ndonëse në agoni nga humbja e pësuar, kishte vendosur që të mos i bashkohej kësaj kauze. Të paktën publikisht, ai ka mbajtur qëndrimin e një burrështetasi, duke lënë anash ambiciet e tij për hir të vazhdimësisë së qeverisë, duke u siguruar që vendi i tij të mos futej në një mungesë balance në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin në mes të një Lufte Civile me Bashkimin Sovjetik. "Nuk mund ta mendoja ndonjë shembull më të keq për vendet tjera në rast se Shtetet e Bashkuara të Amerikës merreshin me pretendimet që vetë presidenca mund të merret falë vjedhjeve në vota", kishte thënë ai. (Natyrisht, ai priste të kishte një karrierë të gjatë politike). Ndonëse nuk dihet nëse ai, privatisht, ka inkurajuar këto përpjekje, për dallim nga zotëri Trump, ai e kishte kuptuar që provat ishin në duart e palës tjetër dhe se duhej të ekzistonte besimi në procesin elektoral dhe në tranzicionin paqësor të pushtetit, gjë që duhej të dëgjohej nga vetë kandidati që kishte humbur. Pra, ai dëshironte të linte të kuptohej që fati i vendit ishte shumë më i rëndësishëm sesa ai i një personi. Kur Kennedy e kishte marrë detyrën në një ditë të ftohtë janari, dy muaj e gjysmë pas ditës së zgjedhjeve, ai kishte dalë me një qëndrim të ngjashëm: "Mos pyesni se ka bën vendi për ju, pyesni se çka mund të bëni për vendin". Në fakt, Nixon ka qenë një mbështetës i hershëm i Donald J. Trump-it. Pasi që kishte dëgjuar për të nga bashkëshortja e tij, Pat, ai i kishte shkruar zotëri Trump-it në dhjetor të vitit 1987. "Nuk e kam parë programin", i kishte thënë ai, duke iu referuar emisionit "The Phil Donahue Show", "megjithatë zonja Nixon më ka treguar që keni qenë mbresëlënës. Ajo është një eksperte në politikë dhe parasheh që kurdo që garoni për një detyrë publike, do të fitoni". Natyrisht, është temë e hapur për diskutim nëse Nixon sot do ta mendonte të njëjtën gjë për Trump-in. Megjithatë, ka pak hapësirë për të dyshuar që, nëse Zotëri Trump del të jetë humbës më 8 nëntor, Nixon, përkundër të metave të shumta në karakterin e tij, do ta këshillonte që t'i vinte interesat e vendit para atyre personale. Çdo gjë më pak se kaq vjedhë një pjesë të madhështisë nga Amerika.

(Mark K. Updegrove është historian dhe autor i librit)

(Kosova Sot)