Ku do të mbesin ata që e kundërshtuan Specialen?

Ku do të mbesin ata që e kundërshtuan Specialen?
  • 29 June 2015 - 08:03

Shkruan: Reshat Sahitaj 

RAPORTI I DICK MARTY-t NUK AKUZON UÇK-NË

Votimi në Kuvend

Disa nga deputetët që votuan "Jo" Gjykatës Speciale, janë të manipuluar, disa nuk kanë aspak njohuri për çka votuan, por votuan për të treguar se vota e tyre është e vlefshme dhe se ishte hera e parë që ata e fituan ndjenjën se janë deputetë dhe marrin rrogë për këtë punë, ngase deri atë ditë askush nuk i ka pyetur sa shkon tërshana. Prej tërë këtyre deputetëve, jam i bindur se përveç dhjetë apo pak më shumë prej tyre, të tjerët nuk e dinë se pse është krijuar Gjykata Speciale 

Kundërshtimi i Gjykatës Speciale nga shumica e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka krijuar një konfuzitet në opinionin tonë, duke i ndarë shqiptarët në pro dhe kundër. Opinioni shqiptar cilido qoftë ata "pro ose kundër", kanë shumë pak njohuri për t'i mbrojtur apo sulmuar kundërshtarët e tyre. Para se të komentohet seanca e 26 qershorit 2015, ku i tha "Jo" Speciales, do të ishte mirë të kthehemi disa vjet pas, kur Dick Marty ishte në qendër të vemendjes në vitin 2010 dhe kur në seancën e janarit 2011, në Këshillin Europian, u shqyrtua ky raport në hollësi. Ato ditë shkrimi im i botuar në "Kosova Sot" titullohej: "Dick Martypro serb, neutral, objektiv...? ". Ishte një analizë e ime objektive mbi raportin e Dick Marty-t dhe konsekuencat negative apo pozitive mbi shtetin e Kosovës. Asokohe deputetët dhe "analistët" tanë nuk treguan maturi diplomatike, nuk treguan aftësi për të analizuar ngjarjet politike para dhe pas perdeve, ngas kjo është detyra e dy palëve: analistëve dhe deputetëve. Reaguan pa e lexuar kurrë raportin e Dick Marty-t. Reaguan për politikën ditore dhe u vetëkënaqën, duke shitur mend në televizione si analistë që dinin çdo gjë , siç shesin mend edhe sot. Shkruanin se: "Dick Marty na quan kanibal", "Dick Marty po e njollos UÇK-në dhe tërë popullin e Kosovës", madje se ishte i paguar nga serbët dhe rusët etj. 

Gjykata Speciale nuk është kundër UÇK-së

Bazuar në raportin e Dick Marty-t, ne nuk mundemi ta gjejmë asnjë fjali që akuzohet UÇK-ja, e aq më pak populli shqiptar. Në pikën 6 të raportit fletë për krimet dhe dhunën barbare të ushtrisë serbe që kanë bërë mbi shqiptarët dhe e akuzon sistemin Millosheviqin ku thuhet veç tjerash:" ... në një anë, serbët të këqij (agresiv përkth im), e në anën tjetër shqiptarët skajshmërisht të pafajshëm". Në pikën 30 faqe 12 thuhet: " Dhuna shtazarake që ka bërë ushtria dhe policia serbe, të cilët tentonin ta nënshtronin, pastaj ta shpërngulnin popullsinë shqiptare nga Kosova, janë të njohura prej të gjithëve". Në pikën 31 "Rëndësia e elementeve dhe provave që ne kemi mbledhur, përmban ndoshta e para së gjithash fakte kundërthënëse me imazhin e tërheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët burrërisht luftuan për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të tyre që të jetojnë në territorin e vetë. Pika 32 "Në është e pakontestueshme se një numër i madh i ushtrisë (UÇK-së) ishin të guximshëm, të gatshëm të shkonin në luftë, t'i bënin ballë kundërshtarit, dhe në rast nevoje të vdisnin për çështjen e atdheut të tyre Kosovën e pavarur, kjo nuk do të thotë se shumica ishin të tillë". Pika 35 " Në anën tjetër një numër i komandantëve të lartë të UÇK-së, nuk kanë munguar që nxjerrin përfitime nga lufta, sidomos fitime materiale personale...". Në raportin e Marty-t bën fjalë për fatin e të zhdukurve, të cilët ende nuk u gjenden varret dhe eshtrat që familjet e tyre të mund t'i vajtojnë. Flitet se numri i të zhdukurve është shqiptar dhe ende komuniteti ndërkombëtar dhe vendor nuk bëjnë sa duhet për zbulimin trupave të tyre, por ne ketë mes kërkon edhe një numër simbolik të të zhdukurve serbë. Nuk mund ta klasifikojmë jo humane dhe pro serbe, nëse kërkon gjetjen edhe të zhdukurve serbë, siç e kërkon me këmbëngulje edhe të zhdukurit shqiptarë. 

Politika ditore e disa deputetëve tanë

Një pjesë e madhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët me votën e tyre i thanë "Jo" Speciales, mendoj se janë të rrëmbyer nga euforia e famës së vetëkë- naqësisë popullore që e fituan këto ditë duke "vajtuar" gjoja për fatin e popullit, gjoja për ushtarët e UÇK-së që do jenë viktimë e Speciales, gjoja në mbrojtje cenimit të sovranitetit të Kosovës... Nuk është e nevojshme të flitet në emër të popullit dhe të cenimit të Pavarësisë së Kosovës, ngase Gjykata Speciale nuk ka për qëllim cenimin e sovranitetit të shtetit tonë, i cili u krijua më bekimin e euroamerikanëve. Në intervistat televizive të këtyre ditëve të fundit shkëlqejnë disa deputetë e deputete si largpamëse në politikën tonë kombëtare, duke u ekspozuar se janë në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe ato kombëtare. Ndonjë tjetër pa asnjë rezervë të gjithë ata që votuan pro Gjykatës Speciale i quan antikombëtarë dhe se në bazë të vlerësimeve te tij, nga sot e tutje populli i Kosovës do të ndahet në dyshë siç ishte ndarë gjatë viteve të luftës. Disa nga deputetët që votuan "Jo" Gjykatës Speciale, janë të manipuluar, disa nuk kanë aspak njohuri për çka votuan, por votuan për të treguar se vota e tyre është e vlefshme dhe se ishte hera e parë që ata e fituan ndjenjën se janë deputet dhe marrin rrogë për këtë punë, ngase deri atë ditë askush nuk i ka pyetur sa shkon tërshana. Prej tërë këtyre deputetëve, jam i bindur se përveç dhjetë apo pak më shumë prej tyre, tjerët nuk e dinë se pse është krijua Gjykata Speciale. Mirëpo vlen të theksohet edhe kjo se nëse e dinë pse është krijuar Gjykata Speciale dhe votuan kundër, atëherë shtrohet pyetja se këta nuk dëshirojnë një Kosovë ku sundon ligji dhe mbrohet i dobëti- populli. 

Kush duhet të shkojë në këtë gjykatë që shumica i thanë-Jo?

Të gjithë ata që janë të dyshuar se direkt ose indirekt kanë vepruar në kundërshtim më ligjet ndërkombëtare dhe vendore, duhet të përballën më këtë gjykatë speciale. Në mesin e tyre janë katër pesë emra me poste të larta që kanë pasur në UÇK dhe tani në poste larta në Kosovën e pavarur. Të mos harrojmë se këta janë vetëm të dyshuar, të cilët më dëshmitë e tyre mund të tregojnë pafajësinë. Pjesa tjetër për të cilët dyshohet se kanë ndihmuar direkt apo indirekt në: vrasje, kidnapime, maltretime... po ashtu kanë mundësi të dëshmojnë se ato janë fakte të fabrikuara nga Beogradi nëse është ashtu siç po pretendohet. Pse po fshihen pas UÇK-së kur këtu do bëhet fjalë për individë të cilët e kanë keqpërdorur emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?! Në raportin e Dick Marty-t thuhet se UÇK-ja nuk ka pasur hierarki. Pse në raport shkruan se nuk ka pasur hierarki UÇK-ja? Raporti bazohet në deklaratat më shkrim dhe me fjalë të vetë personaliteteve të UÇK-së të cilët në Hagë deklaronin se kishin vepruar pa ndonjë hierarki. Në këtë rast, kush duhet të akuzohet? Pse personalitetet tona të UÇK-së para popullit thonë se ishin shefa të luftës dhe madje vetës dhe familjeve te tyre ua siguruan statusin e veteranit, e në Hagë deklaronin krejt ndryshe?! Pse deklarojnë se Gjykata Speciale po e njollosë luftën e drejt të UÇK-së, kur ne fakt disa prej tyre e kanë njollosur duke vjedhur pasurinë e popullit të Kosovës në Kosovën e Pavarur?! Pse deklarojnë se po cenohet pavarësia, kushtetuta kur të gjithë jemi të vetëdijshëm se cenohet vetëm liria e atyre që e keqpërdorën lirinë tonë, dhe njohjen e shtetit tonë edhe nga shumë shtete tjera që të bëhemi pjesë e OKB-së?! Nëse të dyshuarit janë të pafajshëm, pse frikësohen nga kjo gjykatë speciale?! Formimi i Gjykatës Speciale nuk duhet të nënkuptohet si spastrim siç u tha në Parlamentin e Kosovës nga një deputet, por si një vënie para drejtësisë ndërkombëtare të disa të dyshuarve për trafikim organesh, krim të organizuar politik dhe ekonomik etj. Cili qytetar i Kosovës dëshiron një shtet ku deputeti bëhet milioner brenda natës?! Cili qytetar i Kosovës e dëshiron një Kosovë ku edhe pas shkollimit fëmija i tij nuk ka punë? Cili qytetar i ynë dëshiron një Kosovë ku nuk ka sigurim shëndetë- sor?! Pra, deputetë të mos deklarojnë se po e mbrojnë Kosovën dhe popullin tonë, por më mirë do të ishte të thonë se po e mbrojnë pasurinë e tyre ilegjitime, krimin dhe korrupsionin që ka ngulur rrënjë deri në Presidencë. 

A mund të evitohet krijimi i Gjykatës Speciale?

Do të ishte më mirë të thuhej: a ka pasur mundësi të evitohej formimi i kësaj gjykate, sepse tanimë është shumë vonë për format e tjera lidhur me evitimin e krijimit të Gjykatës Speciale. Kushtet për ta evituar formimin e kësaj gjykate kanë ekzistuar qysh në fillim të vitit 2010, por personalitetet tona politike nuk i kushtuan vëmendje. Ne shqiptarët nëse nuk na kap zori menjëherë nuk mërzitemi çka bëhet më vonë. Bota Perëndimore bëjnë plane strategjik për 50 100 vite të ardhshme. Ne shqiptarët sot për nesër. Para një kohe një mik i im, është përpjekur t'i paralajmërojë disa nga personalitetet tona duke u telefonuar dhe shkruar si: Jakup Krasnqin, Visar Ymerit, Kadri Veselit (madje K.Veseli kur ishte herën e fundit në Strasburg e thirr në telefon, por tani është vonë për të vepruar) dhe shumë personalitete tjera, që të veprohet kundër Speciales. Ç'u bë konkretisht kundër Speciales?! Asgjë! Vetëm fjalë bishe për opinion tonë. Çka është dashur të bëhet?! Në fakt krijimi i Speciales ishte i paevitueshëm, por i pranueshëm sikur pala jonë të kërkonte qe në fillim që të akuzohen të gjithë kriminelet serbë që bënë krime dhe masakra mbi popullsinë e pafajshme shqiptare. Të akuzohej Serbia për gjenocid dhe masakra të kryera nga ushtria e saj mbi popullsinë civile shqiptare. Të kërkohej nga institucionet ndërkombëtare krijimin një Gjykate Speciale në Prishtinë për t'i gjykuar kriminelet serbë në vendin ku e kanë bërë krimin. Kush po e pengon Kosovën që ta themelojë në Prishtinë Gjykatën Speciale për krime lufte për të gjithë kriminelet serbë? Pse të gjykohen në Beograd ata që kryen masakrën mbi familjet shqiptare? Cili gjykatës serb shqipton dënime të rënda një serbi që ka vra shqiptarë?! Kush i ka pengoi personalitetet tona politike që të kërkojnë gjykimin dhe themelimin e një gjykate për t'i dënuar kriminelet serbë dhe në këtë mënyrë të vihej në balancë çdo propozim kundër shqiptarëve. Ç'kërkuan personalitetet politike shqiptare qe çonin pluhur në seancën e së premtes?! Ata/ato folën me emocione, për t'i rrëmbyer votuesit e tyre të ardhshëm, se vetëm ata/ato janë mbrojtës të sovranitetit dhe të UÇKsë. 

Kur policia speciale ruse do t'i burgosë çlirimtarët?

Refuzimi i Speciales nga shumica e deputetëve, i ka hapur rrugë Rusisë që në një të ardhme ndoshta jo të largët të veprojë legalisht në territorin tonë. Amerikanët dhe evropianët do të përpiqen end të bëjnë çmos që Rusia të mos ketë implikim në formimin e Gjykatës Speciale, mirëpo kur ne refuzojmë çdo gjë që vjen nga miqtë tanë, ata kanë interesa tjera më madhore si p.sh. problemi në Ukrainë, Irak, Siri etj, dhe do të detyrohen t'i japin të drejt Rusisë. Çka do të thonë këta deputetë e deputete që të premten e kaluar i thanë jo Speciales, kur të burgosët ndonjë çlirimtar nga policia e Rusisë në qendër të Prishtinës?! Si do të dinë të arsyetojnë gjestin e tyre kur votuan kundër Gjykatës Speciale?! Kur një polic rus do të vijë me urdhërarrest për filan çlirimtarin, a nuk është cenim i sovranitetit të shtetit tonë?! Më lehtë pranojmë të na burgosë një amerikan sesa një polic i Rusisë. Më e lehtë është plaga e mikut se e armikut tonë shekullor Rusisë. Mendoj se nuk cenohet Kushtetuta e as pavarësia sikur të ishte votuar GJ. Speciale nga Kuvendi ynë, sepse në këtë mënyrë kishim treguar maturi politike, duke i dëshmuar botës se ndoshta dikush është i dyshuar për krime lufte, por drejtësia duhet të vijë në vend. Madje sakrifica e individëve e shton madhështinë e shtetit. Për interesa të shtetit të Kosovës, dikush duhet të sakrifikohet e jo veç të pasurohet!