Larg duart nga gazeta kombëtare numër Një, "Kosova Sot"

Larg duart nga gazeta kombëtare numër Një,
  • 29 June 2015 - 13:02

Shkruan: Riza Greiçevci 

TI, O PUSHTETARI ANALFABET, SHPESH MË DËRGON 'SELAME', POR KOT E KE:

I përulem vetëm Zotit dhe popullit tim! 

Populli kërkon punë! Populli kërkon qetësi e siguri! Populli kërkon zhvillim e mirëqenie! Boll më me "selame", duke kërkuar hiç më pak se kokën e gazetës më të madhe, "Kosova Sot"! Duke kërkuar kokën e gazetarëve me etikë e integritet profesional dhe të demokracisë. Milionerët hajdutë, të korruptuar e kriminelë po kërkojnë kokën e ligjeve, të Parlamentit, kokën e shtetit ligjor, të drejtësisë, Prokurorisë... ata duan të jenë mbi ligjin e Kushtetutën e vendit... 

(AI QË HIDHËRON NJË ZEMËR FËMIJE, HELMON NJË SHPIRT NËNE! AI QË PËRMBYS NJË DJEP, SHEMB NJË ATDHE! AI QË SHEMB NJË ATDHE, PËRMBYS NJË DIELL!) 

"Selamet" e një pushtetari të lartë gjysmanalfabet...

Nuk është hera e parë që, ky apo ai, ata ose ato, njerëz, bile edhe intelektualë i thonë vetes, madje edhe në hierarkinë e lartë të udhëheqjes së Kosovës, më dërgojnë "selame", duke u përpjekur ta frikësojnë arushën me shoshë...Janë ndër më të llojllojshmet "selame" që m'i dërgojnë me SMS, nëpërmjet miqve e shokëve të mi. Një "selam" më erdhi, me të cilin "selamxhiu" shakaxhi, interesohet deri kur unë do të shkruaj opinione për gazetën "Kosova Sot"? Sa lekë më jep botuesi i gazetës në muaj? Pastaj, ky far "selamxhiu" shakaxhi interesohet kush më nxit të shkruaj, siç thotë ai "zi e terr" për të korruptuarit, kriminelët, fajdexhinjtë, për hajdutët, për drejtësinë, për Prokurorinë? Deri kur, pyet ky "salepxhi" do t'i bëjë "pis" fytyrat e disa biznesmenëve oligarkikë, tyxharëve, rrenacakëve, mashtruesve, udhëheqësve të Qeverisë, të shtetit, të institucioneve, duke i pështyrë, mallkuar për hajni, për nepotizëm, për krime ekonomike e kontrabandë, për papunësi, për keqpërdorime me tenderë e licenca ...? O pushtetar analfabet, fëmijët tu i "edukon" me shembuj krimi, hajnie, me drogë, me rrena, me vese, huqe, si një prind i pasur pa meritë që je! Ti fëmijëve tu u ke blerë diploma, vila, karrierë politike, makina, kurse në pushime verore, në Spanjë, me vete ke marrë edhe qenin, macen, kurse fëmijët e skamnorit detin e kanë parë vetëm në hartën gjeografike...

I përulem vetëm Zotit dhe popullit tim!

Devollët, sipas këtij horri, janë vetë shteti! Janë vetë Qeveria! Janë mbi ligjin e Kushtetutën. Ata kanë takat ta blejnë krejt Kosovën, bre? Devollët qenkan zot e përmbi zot? Interesohet ky qyqar si u bë që unë (R.G.) që l7 vjet pas Luftës Çlirimtare, ende banoj me qira? Interesohet ky farë zgjebaniku pse s'kam marrë tenderë për t'u bërë edhe unë milioner? Do ta dijë ky analfabet në "zemër" të institucioneve të Kosovës, flet nga majat e pozitave më të larta të pushtetit, pse qëkur jam gjallë udhëtoj (eci) këmbë? Pse nuk paskam blerë makinë 100 mijë euro, sikur edhe ai analfabeti? Analfabeti me pushtet i shtetit të Kosovës interesohet: pse shkruaj? Pse kam shkruar gjithë ata libra letrarë? Kush i lexon? Betohet hajni pushtetar se fëmijës së tij kurrë libër shqip s'i ka blerë! Dhe, ndjehet krenar, mjerisht, edhe si prind. Më bën thirrje të heq dorë nga gazeta "Kosova Sot", sepse, shkrimet e mia ia paskan zbehur imazhin shtetit dhe pushtetarëve të Kosovës... Po rrënuakan imazhin e institucioneve shtetërore: gjyqësisë, Prokurorisë, Partive Politike, e po e frikuakan edhe popullin, veçanërisht po i frikuakan pushtetarët, shkrimet e mia, si thirrje për t'i rrëzuar ata nga pushteti?! Ti, o analfabeti milioner, më njeh mirë mua, të kujtohet, ishe edhe ti aty, kur unë me djem dhashë betimin para flamurit të kombit, te barakat e Vasilevës së Drenicës, në prani të komandantit Fehmi Lladroci: I përulem vetëm Zotit dhe popullit tim!

Analfabeti, edhe doktor shkence...

O Çervish! Selamet tuaja i mora! Selame paç! Ç'përgjigje po pret prej meje? Do përgjigje? Asnjë shkronjë! Asnjë fjalë të vetme! As ty, as kujt tjetër! I jap përgjigje dhe i përulem vetëm Zotit dhe popullit tim! UÇK-së së vërtetë! Kosovës! Për hir të lexuesve aq të shumtë që kam në Kosovë dhe jashtë saj, unë vetëm po i njoftoj ata kush ishte dje dhe kush është sot ky "selamexhi": Dje ishte , sikur edhe sot është, puro analfabet! Kur krisi pushkë çlirimtare, edhe doli në mal. E vërteta: Tërë kohën ishte në radhët e UÇK-së. Mbaroi lufta. UÇK-ja korri fitore. Shpërtheu analfabeti si një vullkan. Mbylli grushtin. E ngrehu lartë. Tha: "Edhe unë jam Kosovë! Edhe unë jam çlirimtar! Edhe unë kam hise në liri". Ashtu edhe ndodhi. Synoi të hynte në institucione të larta të Kosovës. Por, kishte hall: analfabetizmin! Mirëpo, për habi, sot i ka të gjitha: Edhe shkollën fillore, edhe të mesmen, edhe fakultetin, e po flitet shpejt do të bëhet doktor shkence! Pse jo, analfabeti ia di lirisë lezetin (kimetin!) analfabeti me shkollë, milioner pa meritë, vetëm i bie karadyzenit!

Faqen e zezë ia qite ti vetes, miqve, shokëve e fëmijëve tu...!

Ti je një analfabet i radhës, që merr pagë të majme në institucione të Kosovës, pa ditur të punosh asgjë! Mbyll gojën palaço! Po! Luftë do, luftë bën, dhe luftë do të bëjë gazeta numër Një "Kosova Sot", kundër gjysmanalfabetëve në institucione të Kosovës, kundër hajnive, korrupsionit e krimeve ekonomike, kundër kriminelëve... "Kosova Sot" bën luftë kundër çdo gjëje që është e zezë, e hidhur, e dëmshme, e pamoralshme! Bën luftën kundër papunësisë e varfërisë, korrupsionit të zyrtarëve dhe krimit të organizuar, paligjësive, dallavereve... Luftën e bën kundër bukës nga mielli i grurit për derra! Kundër qumështit pluhur dhe i dyshuar...E do Kosovën të ndërtuar, të zhvilluar, demokratike, do sundimin e ligjeve, do luftë kundër varfërisë, hileve e kileve...O Çervish Çervishi! Ti je vetë njëri nga ata personazhet e shkrimeve të mia që mbi shtatë vjet në faqet e gazetës "Kosova Sot". Dhe, ruana Zot, as unë s'të bëra hajn, nuk ta qita faqen e zezë. Të gjithë e dinë, edhe zogu i pulës, faqen e zezë vetes, miqve e shokëve, veçanërisht fëmijëve tu, s'ua qiti gazeta "Kosova Sot", (as shkrimtari, publicisti R.G.), por faqen e zezë ua qite ti me dorën tënde. Ti e rrope Kosovën, e vrave moralin dhe shkele e poshtërove bërthamën e familjes tate dikur në zë. Ti sot shpreson se je zot dhe mbi ligjin? Larg qoftë prej gojës sime. Andaj ,larg duart tua të pista nga gazeta e madhe "Kosova Sot"...! S'të ka faj kjo gazetë, jo! Ti vërtet je milioner, por njeri nuk je. Ti Zotin e mban në gojë, por në zemër jo kurrë! Po flitet se po bën namaz kudo që gjendesh. Ti rren veten, familjen, fëmijët tu i more në qafë. 

Sheh rrushi - rrushin e piqet...! Heu!

Kështu i ndodh secilit njeri në botë, që në gjakun e tij, në moralin e tij, në gjenin e tij kur mbizotëron qeliza me emrin: Pasuri e Pangopësi! E kush janë sot fëmijët e milionerëve hajdutë: Hajna! Rrenacakë! Kërcënues e të dhunshëm! Pa moral! Pa fytyrë! Pa edukatë! Analfabetë. Të droguar! Nëpër burgje! Enden rrugëve, pa shkollë, pa dije, pa kulturë. Fëmijët e milionerëve pa meritë shpesh i dëgjojnë njerëzit, duke mallkuar prindërit e vet milionerë: Heu, mjerë ne kë kemi babë! Na mori në qafë! Hej, or ti, analfabeti e hajni i institucioneve të shtetit të Kosovës, je vrasës? Kë vrarë njeri? Me pushkë jo, sepse, të njoh nga lufta çlirimtare, ti je një lepur! Po, po, ke vrarë, ke vrarë, më në fund fëmijët tu, për së gjalli? Moralin! Rritën! Shkollën! Dijen ua ke vrarë fëmijëve tu...! O mjeran, o analfabet, ty sot askush s'të beson, nuk të merr lakmi, nuk të bën as mik, as shok, sepse, ti rrove djersën e popullit, ty edhe fëmijët tu të quajnë rrenacak, hajn, i pafe, pa atdhe, faqezi...Qe, pra, nuk të ka gjë faj gazeta "Kosova Sot", as unë, publicisti e shkrimtari R.G. Një urtësi popullore thotë: "Po ta pështysh në fytyrë rrenacakun, përgojuesin, hajdutin, vrasësin, kjo nuk do të thotë se u ke dhënë dënimin e merituar, sepse, pështyma në fytyrën e tyre vetëm sa e ka qullur ndyrësinë e fytyrës së tyre". 

Boll më me "selame", duke kërkuar kokën brilante të gazetës "Kosova Sot"!

Një porosi e një dijetari thotë: "Bëhu i drejtë, sepse drejtësia është bazë e gjinisë njerëzore! Bëhu i mirë, sepse mirësia i lidh të gjitha zemrat! Bëhu i mëshirshëm, sepse vetëm i ligu jeton me qenie, të cilat janë po aq të liga sa edhe ai! Bëhu i butë, sepse mirënjohja e ushqen mirësinë! Bëhu modest, sepse kryelartësia i hidhëron qeniet, të cilat janë të mira e të drejta!" Në cilin vend të botës ka aso Qeverie që nuk ia prish tymin e duhanit: as hajnit, as vrasësit e kriminelit , as rrënuesit, as rrenacakut, as përgojuesit, as hafijes, as...! Në atë vend ku punëtori pendohet pse ka punuar! Në atë vend ku intelektuali pendohet pse është shkolluar! Në atë vend ku luftëtari çlirimtar pendohet pse ka luftuar! Populli është ngopur me pushtet e pushtetarë...me kryeparë...me bajraktarë... me sundimtarë ...me liderë...me tenderë... Populli kërkon punë! Populli kërkon qetës e siguri! Populli kërkon zhvillim e mirëqenie! Boll më me "selame", duke kërkuar kokën e gazetës se popullit dhe shtetit ligjor "Kosova Sot"! Ju në të vërtetë po kërkoni kokën e shtetit të së drejtës, po kërkoni kokën e drejtësisë, po kërkoni me e hedhur në litar qafën e ligjeve, Prokurorinë dhe Gjyqësorin e mirëfilltë, që ende nuk e kemi. Ju po kërkoni kokën e demokracisë, ju po kërkoni kokën e moralit dhe etikës ...Duke u përpjekur për ta eliminuar luftën e saj kundër të keqes së shtetit të kriminalizuar...Gazeta "Kosova Sot" bën luftë për më shumë punësim, për më shumë mirëkuptim, për më shumë zhvillim e mirëqenie, për më shumë drejtësi, për më shumë liri, për më shumë dashuri e respekt për qytetarët, për më shumë sundim të ligjit, për më shumë Qeverisje të mirë, për më shumë zë demokratik të shtetit demokratik nga Kuvendi - për më shumë kontroll dhe hedhje para drejtë- sisë të të gjithë atyre që janë bërë milionerë pa meritë e përmes korrupsionit e krimit të organizuar, kontrabandës e evazionit ..., sot, kur mungon punësimi, e punëtori s'gjen punë krahu as për dy euro mëditje! Sot, kur sofra e vëllezërve tanë skamnorë është shtruar me një copë bukë të thatë...Sot, kur biznesmeni dërgon në pushime verore, në Antali, edhe qenin, edhe macen, edhe dashnoren, edhe balldeskën... 

Populli u ngop me bajraktarë, me tenderë, me liderë e sundimtarë...!

Të arsyetosh (të mëshirosh) dikë që ka braktisur arsyen, ka shmangur udhën e Zotit, të ligjeve, të Kushtetutës, të demokracisë moderne, ka hedhur pas shpine drejtësinë, miq e shokë... Të arsyetosh dikë që me votën e popullit është bërë parlamentar, por shpesh të tjerëve u dërgon "selame", duke kërkuar kokën e demokracisë se një- mendët, të medieve, të luftëtarëve të paepur për drejtësi, për sundim të ligjit, për punësim më të madh, për më shumë bukë në sofër të skamnorëve, njësoj e ke, si t'i japësh ndihmën e mjekut një të vdekuri! Bota është si një pasqyrë: shikon ti me inat, të shikojnë ty me inat, shikon ti me të qeshur, të shikojnë ty më të qeshur. Kujt t'i besosh? Atij që shkel besë-liridemokraci, apo atij që thërret për xhihad-ndarje- përçarje? Cili njeri më i keq: Ai që të "vret", apo ti që ia jep thikën vrasësit të të vras ty? Ai që para syve të shfaqet meleq, pas shpine të shfaqet dreq? Ku dhe pse ndodh gjithë kjo padrejtësi, ky turp? S'ke se si të mos besosh se kjo llahtari dhe absurditet i llojit të vet në fillimshekullin e ri, ndodh vetëm në atë vend ku punëtori pendohet pse ka punuar! Në atë vend ku intelektuali pendohet pse është shkolluar! Në atë vend ku luftëtari çlirimtar pendohet pse ka luftuar! Një gjë tashmë po qartësohet publikisht: Popullit u ngop me pushtet të keq e pushtetarë...me kryeparë, me bajrajktarë...me liderë...me tenderë...me sundimtarë të shekullit 21... Populli kërkon punë! Populli kërkon qetësi e siguri! Populli kërkon zhvillim e mirëqenie! Populli kërkon drejtësi, kërkon barazi, demokraci...