Demokratët duhet të bazohen te emocionet, e jo te logjika

 Demokratët duhet të bazohen te emocionet, e jo te logjika
  • 04 December 2016 - 16:21

Shkruan: Fareed Zakaria

Derisa demokratët janë duke analizuar humbjet e tyre në zgjedhjet e nëntorit, shumë prej tyre janë përqendruar te një zgjidhje. Ata besojnë se partia ka nevojë për më shumë politika populiste ekonomike. Por, kjo zgjidhje e huq në tërësi një realitet esencial - shumica e njerëzve nuk votojnë duke u bazuar te politikat.

Ekziston një kërkim i shkëlqyeshëm nga shkencëtarët politikë dhe psikologjikë rreth asaj pse votojnë njerëzit. Përfundimi është i qartë. Sikur që shkruan Gabriel Lenz në librin e tij të vitit 2012, “Follow the Leader?”, “votuesit nuk zgjedhin midis politikanëve duke u bazuar në qëndrimet e tyre politike, por votuesit duket se përvetësojnë politikat, të cilat i preferon politikani i tyre i preferuar”.

E, si i zgjedhin votuesit politikanët e tyre të preferuar? Ky është një vendim që ka të bëjë me instinktin, është më shumë emocional, sesa racional. Në pjesën më të madhe, ky vendim varet nga ajo se a identifikohen ata me atë politikan, në aspektin social dhe psikologjik.

Në një libër të rëndësishëm, të botuar tash vonë, “Democracy for Realists”, Christopher Achen dhe Larry Bartels tregojnë se “ataçmentet, lidhjet grupore” dhe “identitetet sociale” janë esenciale për ta kuptuar sjelljen e votuesit. Psikokogu Jonathan Haidt e përforcon këtë pikëpamje me shumë kërkime, të cilat tregojnë se njerëzit zgjedhin pikëpamjet e tyre politike të bazuar në ataçmentet klanore të tyre.

Demokratët duhet ta kuptojnë jo vetëm fitoren e Trump-it, por edhe valën më të gjerë

Problemi i Partisë Demokratike nuk është se politikat e saj nuk janë progresive apo mjaft populise. Ato janë tanimë progresive dhe më populiste sesa ato të Partisë Republikane gati në çdo dimension. Dhe, përkundër kësaj, gjatë dekadës së fundit, republikanët kanë kryesuar në postet e guvernatorëve, në Kongres, e tani edhe në Shtëpinë e Bardhë. Demokratët duhet ta kuptojnë jo vetëm fitoren e Trump-it, por edhe valën më të gjerë. Partia Republikane ia ka dalë që të përfitojë në kaq shumë nivele nga votuesit, meqë e ka gjetur mënyrën për t’u identifikuar emocionalisht me pjesëtarët e bardhë të klasës punëtore, derisa ata e shikojnë vendin e tyre duke u transformuar. Globalizimi dhe imigrimi, që të gjitha këto shkaktojnë ndryshime të mëdha sociale. Republikanët e regjistrojnë këtë në nivelin emocional, instinktiv, atyre nuk iu pëlqen ky ndryshim dhe duan që Amerika të mbetet ashtu si ka qenë. Për këtë shkak shtetet me popullsi më të vjetër, me më shumë votues të bardhë të klasës punëtore, sikur Ohajo, Miçigani apo Uiskonsini, që të gjitha kanë guvernatorë dhe përfaqësues republikanë.

Kjo pjesërisht është çështje e politikës, por kryesisht ka të bëjë me identitetin dhe ataçmentin, të bërë me anë të simboleve dhe sinjaleve. Në një ese perceptive në “Harvard Business Review”, Joan Williams shpjegon se pjesëtarët e klasës punëtore nuk u besojnë profesionistëve dhe se Partia Demokratike tani është një parti e profesionistëve. Këta profesionistë, në këtë ese, janë njerëz urbanë tepër të edukuar, me stil të lartë të jetës, që bëjnë punë ku manipulojnë me fjalë dhe shifra.

Në anën tjetër, thotë Williams, pjesëtarët e klasës punëtore duan pasanikët.

Pse e duan Trump-in?

Ata për shembull, e duan një ndërtimtar nga Kuinsi, i cili ndërton gjëra konkrete. Kur Donald Trump poston një fotografi në avionin e tij duke ngrënë pulë të thjeshtë, të pjekur, ai u thotë votuesve të tij: “Unë jam sikurse ju, vetëm se me shumë më shumë para”. Dhe, në fakt, Trump në shumë mënyra është mishërim i fantazisë së pjesëtarëve të klasës punëtore, si do të ishin ata po të kishin para. Nëse kjo lidhje emocionale është esenciale për t’i bërë njerëzit që të votojnë për ju, atëherë çka dmth ajo për Partinë Demokratike? Ajo i ka avantazhet e veta. Fillon me një bazë të fortë të njerëzve që identifikohen me të: profesionistët, gratë punuese, minoritetet, pjesëtarët e gjeneratës mileniale. Por, ajo ka nevojë që të joshë një pjesë më të madhe të pjesëtarëve të bardhë të klasës punëtore. Për ta bërë këtë, demokratët kanë nevojë për ta kuptuar politikën e simbolizmit.

Për shembull, kampanja e Hillary Clintonit do të duhej të ishte përqendruar rreth një teme të thjeshtë - se ajo është rritur në një qytet në afërsi të Çikagos dhe se kishte jetuar në Arkanzas për dy dekada. Mesazhi për pjesëtarët e bardhë të klasës punëtore do të ishte “Unë ju njoh, unë jam ju”. Kjo ishte tema e fjalimit të burrit të saj duke e prezantuar atë në konventën demokratike dhe suksesi i Bill Clintonit ka të bëjë shumë me faktin se, i mençur sikur që është ai, ai gjithmonë mund t’ua rikujtojë votuesve se i njeh ata. Sapo të sigurohen për këtë, votuesit më pas do të jenë të hapur për idetë e tij politike.

Barack Obama është një politikan tepër karizmatik. Por, ai mund t’i ketë bërë demokratët të harrojnë se tre demokratë të zgjedhur për në Shtëpinë e bardhë kishin ardhur nga jugu rural. Ata e njihnin atë botë, ishin pjesë e saj.

Me këto pikëpamje në mendje, ndoshta Hillary Clinton dhe demokratët do të duhej të bënin kampanjë jo me figurat si Beyonce dhe Jay Z, por me George Strait. E, nëse nuk e dini kush është ai, epo, kjo është një pjesë e problemit. 

(Kosova Sot)