Politika dhe politikëbërja në Kosovë, si pacienti në vdekje klinike

Politika dhe politikëbërja në Kosovë, si pacienti në vdekje klinike
  • 02 July 2015 - 08:19

Shkruan: Ragip Guraziu

KËTË GJYKATË NUK KA FUQI MË KUSH TA NDALË

Themelimi i Gjykatës Speciale

Kosova vuan nga dergja e tmerrshme e politikëbërjes dhe politikës. Tekembramja, nuk mund të pritet më shumë e as gjendje tjetër nga kjo që është, kur dihet se qeveritarët tanë duhet ta kuptojnë se kështu nuk shkohet më

Ndërkombëtarët kur kanë menduar për Gjykatën Speciale në Kosovë nuk kanë menduar se kujt po ia ka ëndja Gjykatë Speciale në Kosovë e kujt jo?! Kjo është arsyeja se faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë ndryshime në projektligjin për Gjykatën Speciale, siç po mendohet tani nga dikush se kjo Gjykatë Speciale do ta hajë ''foren'' për ndryshime të një projektligjit që kjo Gjykatë Speciale për Kosovën e kishte përpiluar vetë.

Ndryshimet në projektligjin e Gjykatës

Qeveria e Kosovës thuhet se ka këmbëngulur që të ndryshohen deri në momentet e fundit, që të ketë ndryshime në projektligjin për Gjykatën Speciale në Kosovë, siç po duket BE-ja nuk do t'i marrë parasysh. Burime të afërta me procesin thonë se kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, akoma këmbëngulin që në proceset gjyqësore të vlejnë vetëm ligjet e Kosovës, të përcaktohet afati kohor për hapjen e arkivit dhe materialeve të tjera, ku hyn edhe çështja e dëshmitarëve, për të cilën BE-ja këmbëngul që Kosova të mos mund të ketë qasje. Kjo nuk do koment se kemi dështuar në politikë dhe politikëbërje për Kosovën që kaherë tani vonë na ka dalë gjumi duke menduar se jo të gjithë do të hynë në këtë ''rentgen'' të kësaj Gjykate Speciale në Kosovë që nuk ka fuqi më kush ta ndalë, e aq më pak të dirigjojmë këtë Gjykatë Speciale të veprojë sipas tekeve tona... Në të tria këto çështje projektligji për Gjykatën Speciale i propozuar nga Bashkimi Evropian e parasheh krejtësisht të kundërtën. Sa u përket ligjeve, sipas të cilave duhet të bëhet gjykimi, projektligji thotë se Dhomat e specializuara zbatojnë të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe Ligjin penal material të zbatueshëm në Kosovë, përderisa ai është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare që ka qenë i zbatueshëm në kohën që janë kryer krimet. Ndërsa në kapitullin për statusin, privilegjet dhe imunitetet e Dhomave të specializuara në Kosovë, thuhet qartë se "objektet prona, fonde, pasuria, arkivat dhe të dhënat e Dhomave të specializuara, zyrës së regjistrimit dhe Prokurorisë së specializuar, kudo që janë të vendosura dhe nga kushdo që mbahen, janë të paprekshme dhe ka imunitet nga bastisja, sekuestrimi, marrja, konfiskimi, shpronësimi, qasja publike ose nga çdo formë tjetër e ndërhyrjes, qoftë me veprim ekzekutiv, administrativ, gjyqësor apo legjislativ".

Sa më shumë krizë dhe telashe, aq më pak mend ka në një shoqëri

Të parën gjë që e bëjnë të uriturit, në një vend me krizë buke, është thyerja e furrave. Aty, natyrisht, nuk gjejnë as bukë, as miell dhe as furrxhinj. Prandaj, rëndom, ata ia vënë zjarrin furrave, në shenjë të një hakmarrjeje dhe të ushtrimit të drejtësisë së çoroditur Ky është njëri prej shembujve që përdoret shpesh në shpjegimin e dukurive politike në një vend, i cili kaplohet prej trazirave të mëdha sociale, të cilat janë në varëshmëri të drejtpërdrejta me mungesat e llojllojshme në një shoqëri, në një treg, në një ekonomi. Këto mungesa shfaqen edhe në trajtë të një deficiti të madh të logjikës dhe të arsyeshmërisë politike. Sa më shumë krizë dhe telashe, aq më pak mend ka në një shoqëri. Kështu disi thjeshtësohet kjo punë në politikë, në teori së paku. Kjo Gjykate Speciale, politikën dhe politikëbërjen kosovare dhe institucionale, Qeveri, Presidencë, Kuvend etj., i ka qitur në ''nokdaun'', por nuk di a do të ngrihen më për vazhduar lojën aty ku mbeti?! Kthesat e tilla, prej një krahu në krahun tjetër politik, prej një qeverie dhe një koalicioni në qeverinë dhe koalicionin tjetër, ishte gjithsesi e mundur po të jetë e dëmshme. Por, ne jemi larg të qenit një demokraci e qëndrueshme. Jemi ende në kërkim e sipër, për shkaqe fare mirë të njohura, të stabilizimit të brendshëm politik që njeh integritetin e vendit si një arritje tashmë të siguruar. Jo fort të vëmendshëm të zhvillimeve politike në vend, ishte e qartë që politika kosovare po shkon rrëmbyeshëm kah goditja e murit me kokë. Politika e sotme kosovare nuk ka kaçik për të ndaluar Gjykatën Speciale, e më pak për të sugjeruar.... Siç e dimë të gjithë ne, do të jemi më të ndërlikuar se rëndom, në vijim me këtë Gjykatë Speciale, më se e rëndësishme jetike për shtetin e Kosovës, ku shumëç- ka do të matet pastaj me kandarin, duke përfshirë këtë edhe raportet reale politike në skenën e vendit, midis partive që grumbullojnë politikanët shqiptarë.

Autori është gazetar, analist i pavarur