Ndërprerja e furnizimeve të ISIS-it

Ndërprerja e furnizimeve të ISIS-it
  • 09 January 2017 - 09:52

Shkruan: Lorenzo Kamel 

Rënia e Rakas do të shënonte një fitore të madhe kundër grupit terrorist, por ajo nuk do ta nënkuptonte rënien e grupit.

E ardhmja e ISIS-it ka të bëjë shumë edhe me Francën, vendin evropian, i cili ka më së shumti luftëtarë në këtë grup. Franca është vendi i vetëm evropian, krahas Belgjikës, i cili ndalon mbulesën e tërë fytyrës në shkolla publike.

Rënia muajin e kaluar e Alepos në duart e forcave të regjimit sirian, të mbështetura nga Rusia, ka nxitur një valë tjetër diskutimesh rreth perspektivave të dhënies fund të kësaj lufte civile. Përkundër armë- pushimit të arritur tash vonë në tërë vendin, të garantuar nga Turqia dhe Rusia, janë të shumtë ata që pajtohen me faktin se përfundimi i luftës ende është larg. Fundja, ISIS nuk ka pranuar asgjë, e as që do të pranojë. Këta vëzhgues kanë të drejtë në një gjë: lufta në Siri nuk do të marrë fund derisa të mposhtet ISIS. Por, është i gabuar mendimi se rënia e ISIS-it do të vijë pas rënies së kryeqytetit të tij, Raka. Është e vërtetë se, sipas fjalëve të historianit francez, JeanPierre Filiu, "Raka është qendra operacionale komanduese" për sulmet terroriste të ISIS-it, sikur që është vrasja e 12 njerëzve në Berlin muajin e kaluar, apo vrasja e 39 të tjerëve në një klub nate në Stamboll, ditën e Vitit të Ri. Por, konkluzioni i Filius dhe të tjerëve, se rënia e Rakas paraqet çelësin e përfundimit të sulmeve në Evropë, nuk i njeh mirë shkaqet e luftës civile të Sirisë, simptomat dhe zgjidhjen e saj.

Arabia Saudite, si burim ideologjie Në fakt, derisa perspektivat afatshkurtra të ISIS-it janë të lidhura me fatin e Rakas, mbijetesa e gjatë e saj dhe ndikimi, me gjasë do të vendosen me mijëra kilometra larg nga aty. Në shumë mënyra, Arabia Saudite është burim i ISIS-it. Sauditët janë të dytët për nga numri i luftëtarëve të huaj në Siri dhe Irak, kryesisht për shkak të një identiteti, të formuar nga dy zhvillime historike. Zhvillimi i parë ishte përfshirja e Muhammed ibn Saudit, themeluesit të shtetit të parë saudit, nga rryma e pikëpamjeve radikale "puritane" të Muhammed ibn Abd al-Wahhabit nga mesi i shekullit XVIII, pikëpamje të cilat më pas u bënë të njohura si Wahhabizëm dhe vazhdojnë që ta sfidojnë politikën dhe shoqërinë saudite. Zhvillimi i dytë ishte vendimi i mbretit Abdulaziz gjatë viteve '20 të shekullit të kaluar, për ta institucionalizuar vizionin origjinal të Wahhabit. Sipas pikëpamjes së shumë sauditëve, ngritja e ISIS-it paraqet një kthim te origjina e vërtetë e projektit Saudit-Wahhabist. 

70% të të burgosurve në Francë janë myslimanë Dhe, me të vërtetë, është Wahhabizmi ai që formon esencën e ideologjisë së ISIS-it. ISIS aktualisht shpërndan libra të shkruara nga Al-Wahhabi në pjesët e Irakut dhe të Sirisë, të cilat i ka nën kontroll. Nga një pikëpamje ideologjike, mposhtja e ISIS-it kërkon adresimin e rolit dhe trashëgimisë së Wahhabizmit në Arabinë Saudite. Nga një perspektivë operacionale, e ardhmja e ISIS-it do të vendoset kryesisht në Tunizi, në vendin, i cili ka dërguar numrin më të madh të luftëtarëve të huaj në Siri dhe Irak dhe në atdheun e sulmuesit të Berlinit. Kjo pjesërisht reflekton dështimin e autoriteteve për të ofruar mundësi të mjaftueshme ekonomike për popullatën e re të vendit. Sikur që thotë një plak tunizian, ISIS-i shihet nga të rinjtë si mënyrë e rikthimit të dinjitetit të tyre. Për këtë shkak, zvogëlimi i luftëtarëve që shkojnë për t'iu bashkuar radhëve të ISIS-it, kërkon integrime ekonomike dhe sociale të regjioneve të margjinalizuara. Në të kundërtën, tunizianët e rinj (dhe të tjerët) do të vazhdojnë që të jenë aq të dëshpëruar, sa që t'u bashkohen grupeve, si ISIS. E ardhmja e ISIS-it ka të bëjë shumë edhe me Francën, vendin evropian, i cili ka më së shumti luftëtarë në këtë grup. Franca është vendi i vetëm evropian, krahas Belgjikës, i cili ndalon mbulesën e tërë fytyrës në shkolla publike. Dhe, Franca është vendi i vetëm evropian që nuk ka marrë vlerësimin më të lartë për demokraci, sipas të dhënave të "Polity". 70% të të burgosurve në Francë janë myslimanë, gjë që u shkon për dore rekrutuesve ekstremistë.

Pse amerikanët nuk ballafaqohen me të vërtetën? Përcaktuesi final i mbijetesës së ISIS-it do të jetë gatishmëria e vendeve, sidomos në Perëndim, për të pranuar përfundimisht se regjimet shtypëse, sikur ato në Arabi dhe Egjipt, janë pjesë e problemit, e jo pjesë e zgjidhjes. Sikur që thoshte një ish-gjeneral izraelit: Pse amerikanët nuk ballafaqohen me të vërtetën? Për ta mbrojtur lirinë perëndimore, ata duhet ta mbrojnë tiraninë në Lindjen e Mesme". Rënia e Rakas do të shënonte një fitore të madhe kundër ISIS-it, por ajo nuk do ta nënkuptonte rënien e këtij grupi, apo ndërprerjen e sulmeve të tij terroriste, të cilat do të vazhdojnë edhe më tej, ndoshta në forma të reja. Për ta mundur ISIS-in njëherë e mirë, duhet të njohim dhe eliminojmë burimet e tij të shumta.

(Lorenzo Kamel është historian në Universitetin e Frajburgut) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot