'Furtuzi' i politikës tonë

'Furtuzi' i politikës tonë
  • 10 January 2017 - 07:50

SHKRUAN: SHEFIK SHKODRA 

 

Të pavetëdijshëm për të nesërmen, kënaqen duke gërmuar (me abuzime pozitash) çdo skutë të pasurisë, e edhe buxhetin, duke ia përshtatur ligjet vetes - sundimtarëve! Njerëzit shkrryhen rrugëve për një kore bukë, Kuvendi i Bejlerëve kërkon ngritje pagash

 

Kjo shprehje ka mbetur në fjalorin arkaik, sigurisht më shumë si shprehje e ardhur nga gjuhët e huaja në shqipe. E kam dëgjuar duke shpjeguar laikët, përafërsisht mbeturina e një gjësendi. Një lëndë e eksploruar dhe e papërdorshme, që mund të hidhet. Në Ballkan bëhet politikë hedhurinash...kur kjo ka të bëjë me rehabilitime gjysmake, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarët. Evropianët thonë, Kosova është projekti ynë. Dhe është investuar nga ata. Askush nuk e mohon. Po, çfarë është ky projekt? Po nuk duhet ta kërkojmë fajtorin veç të tjerët. Kjo është përsëritje historie për shqiptarët.

Pa pritur e pa kujtuar është befasi

Duke përdorur mjetin e një ekonomie të tregut e një kapitali pa vlerë ekonomike - pjesën më të madhe nga importi, ishte rrëshqitje e paevitueshme, si në feudalizmin e vrazhdët të kohës së agallarëve dhe bejlerëve me pronat e përvetësuara. Këto qiflliqe i krijuan "bejlerët pa tëlina", si thuhej para njëqind vjetësh, duke plaçkitur çka patën mundësi. Krijuan monopol me kompanitë e tyre dhe eliminuan konkurrencën e tregut të lirë...Kështu u themelua Shteti Oligarkik pa menduar fare, duke i shfrytëzuar të gjithë resorët e asaj ekonomie të mbetur pas lufte. U shitën ndërmarrjet prodhuese e tregtare dhe punëtorët mbetën rrugëve. U krijua problemi social. Nuk u mor iniciativë në rritjen e mundshme të kapaciteteve për (ri)punësim të qytetarëve. E gjithë ekonomia, pothuajse u fal. Dhe s'ishte gabimi aq i madh i shitjes së lirë të asaj pasurie, sa shkaku i papërgjegjësisë për ringjallje. Bie fjala, shitet një fabrikë e vetme për prodhimin e duhanit, lirë apo shtrenjtë, kush e di? Pasi filloi për kohë të shkurtër (si të tjerat) heshtet, në mënyrë që oligarkët ta vijojnë importimin e "furtuz" cigareve, fitimi për kompaninë e kapitalistit...Ose, shitet kompleksi i fabrikës së tekstilit me mijëra punëtorë, në tri ndërrime, pasi vidhen edhe makinat, rrënohen lokalet mbi te vihet themeli i marketeve me kuzhina e kafe, demek moderne. Si Evropa. Mbushen me pandla dhe çokollata të mykura, që importohen nga Serbia e vende të tjera...me një numër shumë të vogël punëtorësh (shitës, kamerierë, rojtarë, etj.) që sigurisht nuk kalon shifrën e njëqind punëtorëve me paga minimale... Dhe ky avaz vijoi për shtatëmbëdhjetë vjet çdo kund në Kosovë. Deri në atë masë sa nuk mbeti më çka të shitet. Pjesa më e madhe e popullit e humbi durimin. Nisën ikjen nga vendi i tyre i dashur, aty ku kanë lindur, ku i shijuan të mirat e të këqijat; aty ku shpresuan një jetë të lumtur. Ky popull vuajti dhe duroi deri në sakrificë disa herë historikisht nga gjakësorët sundimtarë, po asnjëherë nuk u dorëzua sikur sot. Kush veproi në këtë mënyrë dhe përse...?

Lojaliteti i zorit, apo i natyrshëm për ne shqiptarët

Që pas luftës, në kohën e regjimit të statusit të KB-së, filluan kompromiset. Njerëzit tanë që na përfaqësonin, ata e kishin fjalën. Por, sikur e dimë, çdo herë ne shqiptarët kemi qenë shumë luajalë ndaj një regjimi. Kështu ishte në kohën e Perandorisë Osmane, me një grup me grada pushteti që sundonin (jo udhëhiqnin) popullin, duke ua grabitur pasurinë nga duart; duke i lënë të paemancipuar e të paarsimuar, të mbetur si njerëz të egër; duke i kthyer në bujkrobër të kohës. Po kështu ka ndodhur në kohën e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene (MSKS), e ndoshta edhe më keq, duke i lëshuar vatrat e veta popullata nga zullumi i regjimit, për çdo vit grupe-grupe të gjithë familjarisht për Turqi. Kështu, pothuaj, vijoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore (LDB), Kontrata turko-serbe e 1938 vijonte...me një ndryshim të vogël, shqiptarët tek tash fituan të drejtën për arsimim në Kosovë dhe viset e tjera të ish- Jugosllavisë. Por, padronët ishin nga radhët e këtij populli, sërish nëpër shkallët e pushtetit të kësaj kohe, një pakicë, e cila gjithashtu qëndronte padrone mbi kokën e kësaj popullate. Çuditërisht, kështu vijoi edhe pas këtyre luftërave ballkanike të fundshekullit XX, e që po bëhen dy dekada. Krejt çka kërkon Serbia, kjo elitë politike ia ka dhënë. Nuk e di çka do të mbetet për shqiptarët...

Qeverisja anarkike - dështim në kohë

ëMosuniteti e transparenca, kriminaliteti i organizuar, abuzimi me pozitën shtetërore, drejtësia e uzurpuar nga pushtetarët e të tjera, është dështimi historik i radhës, për të cilin pakkush ka menduar. Para shtatë- tetë vjetësh kemi shkruar herë në mënyrë indirekte apo direkt se, punët nuk janë në rregull. Shumë pak e gati hiç kush ka dashur të dëgjojë. Ne kemi institucione veç me emër. Kemi Kuvendin gjithëpopullor, plural, me njerëz gjëja të "zgjedhur", po fatkeqë- sisht ata nuk e kanë luajtur rolin e përfaqësimit asnjëherë. Që të gjithë kanë qenë për interesa personale e grupore - partiake. Ata nuk e kanë çuar zërin e këtij populli deri në instanca shtetërore që këta qytetarë u kanë besuar. Asnjëherë nuk është shtruar çështja e zhvillimit ekonomik, sepse partitë në pushtet nuk kanë pasur një projekt strategjik për të dalë nga kriza ekonomike e krijuar. Asnjëherë nuk është debatuar dhe nuk është marrë kurrfarë përfundimi, çka do të bëhet me punëtorët të cilëve u janë privatizuar ndërmarrjet ekonomike; asnjëherë nuk është mbajtur seancë e veçantë për çështje të të drejtës qytetare, ligjit me prokurorinë dhe gjyqësinë; asnjëherë nuk është shqyrtuar rrezikimi i tregut nga mafiozët dhe oligarkët, për konkurrencën e pabarabartë; asnjëherë nuk është folur për uzurpimin e të drejtave të punësimit, duke hedhur konkursin jashtë përdorimit; asnjëherë nuk është shtruar çështja e arsimit si vlerë primare shoqërore; asnjëherë nuk është diskutuar për shëndetësinë në mënyrë serioze, etj. Në të gjitha seancat e mbajtura ka pasur mosmarrëveshje dhe kundërshti - pozitë opozitë, të shumtën për çështje personale e partiake. Lirisht thuaje, Kuvendi i të çmendurve!...Politika e brendshme ka treguar se, këta njerëz që udhëheqin nuk dinë tjetër pos uzurpimit të shtetit dhe kërrusje të qytetarit me tatime e me keqpërdorime. Dhe kjo politikë mëhallësh e inatesh sot po na çon shtetin tonë në "derë të hasmit". Atje ku nuk e dëshirojmë. Çdo ditë lëshojnë nga një "grusht miza", që qytetarët të habiten dhe të merren me këtë çështje, që ndoshta nuk do të duhej fare të merreshin. Pasi të jetë amortizuar kjo, hedhin një tjetër spicë, në mënyrë që të mos ketë kohë të merren me çështje jetike, sepse këta përfaqësues nuk kanë gjetur dhe as që janë përpjekur ta zgjidhin problemin e papunësisë, atë social, etj. Kompanitë e tyre politike e ekonomike ndërtojnë pallate, uzurpojnë toka, importojnë mallra të prishtë dhe këtë kryesisht nga Serbia, duke u pasuruar me përfitime ekstra profite. Dhe për këtë të mjerët lavdërohen. 

Njësoj si në dy luftërat botërore

Këtyre partive tona (për intelektin që kanë), sikur t'ua rekomandonte armiku këtë metodë. Shqiptarët mbeten edhe kësaj here duke përcjellë lëvizjen e gjendjes nëpër botë. Kush është më i forti!? Duke kërkuar "super ligën". E fshin Rilindjen Kombëtare, e pranuan atë më të shpejtën, më të rëndën, më të kushtueshmen. Atë që nuk janë të përgatitur për të, pos nga ndonjë teori që janë të lansuara si një duq paçavuresh, të papopullarizuara në ambientet e këtij terreni. Çdo gjë këta politikanë të padijshëm kërkojnë ta gjejnë të gatshme e klishe. Imitime - kozmopolitizëm! E quajnë vetën meritokrat, por janë shndërruar në dembelë aristokratë. Duke punuar me një nepotizëm dhe duke u përpjekur gjithnjë në mënyrë egoiste inatesh, me shumë primitivizëm kanë dërguar njerëz nëpër kanale diplomatike shumë injorantë. Të pavetëdijshëm për të nesërmen, kënaqen duke gërmuar (me abuzime pozitash) çdo skutë të pasurisë e edhe buxhetin, duke ia përshtatur ligjet vetes - sundimtarëve! Njerëzit shkrryhen rrugëve për një kore bukë, Kuvendi i Bejlerëve kërkon ngritje pagash. Hëh! Këta kritikojnë shtresa e personalitete të të kaluarës shqiptare si të gabueshme. Po për tjetër s'janë këta. Veç pallavra - Shtëpi çmendurie! 

Serbia e ka kartën e vjetër, po nuk e ka besën

Vetë e nisën politikën ekonomike ilegale me Serbinë, nëpërmes serbëve të Veriut të Kosovës. Jo për shtetin, por për interesat e tyre personale. Kështu tregtia u solli edhe të mira të tjera kriminelëve serbë. Kërkuan të rehabilitohen dhe të amnistohen prej krimeve që kishin bërë te shqiptarët, jo aq larg kohë në luftën e fundit. Këtë kërkesë e plotësuan institucionet shqiptare. Ndërsa, qytetarët shqiptarë mund të arrestohen edhe me Europol apo Interpol, kudo që gjenden, gjoja për krime lufte. Kjo është një çudi e shekullit tonë. Dukemi të mençur, por në fakt jo aq sa e mendojnë veten disa njerëz tanë!...Kurrë nuk ka qetësi me ta. Serbët veç frikën e dinë hak. Po pse t'u frikësohen shqiptarëve?! Këta janë të ndarë në çdo pikëpamje. Ashtu u konvenon injorantëve që udhëheqin, fitimi është më i mirë. Kështu kanë dështuar në LPB, kështu edhe në LDB, kështu si duket do të dështojnë edhe në këtë kohë, sepse një grumbull injorantësh të pagdhendur apo të ndikuar nga një sistem monist - komunizmi, apo nga shërbimet tjera sekrete, tash nuk dinë kah e ka dhia bishtin. Më lehtë është të bëhet zhurmë në mes veti, e edhe të vriten, sesa të mendohet për rrezikun e ri. Nuk kanë platformë të përbashkët, kur është interesi kombëtar. Ndonjë maçok thërret përditë se, sipas teorisë të këtij e atij që "i kam lexuar" duhet që kosovarët të jenë kështu e ashtu. Dhe kjo kështu e ashtu ka qenë pandërprerë te ky popull i mjerë. Një tjetër maçok thërret nëpër ato dritaret publike se, ne duhet veç urtë e butë, sepse ligjet evropiane e parashohin këtë e atë dhe jo ndryshe. Evropianët e lejojnë Serbinë të fusë spica ditë e për ditë me një politikë të amortizuar, si ndonjë veturë e mbetur karoseri. Sot bisedon në Bruksel, nesër thur mure ndarëse, si në atë mesjetën e kishës së tyre. Këndej ta burgos pjesëtarin e madje me fletë- arreste nëpërmes Europolit a Interpolit, në anën tjetër t'i sjellë grupe qytetarësh për "vizitë" vendeve e "kishës së shenjtë" nëpër Kosovë, të njëjtit që kanë bërë krime mbi këtë popullatë prej shekujve e deri më sot. Fatkeqësisht (për naivët dhe atyre që u konvenon kjo gjendje), Serbia ka të njëjtën kartë si në shek. XIX, dhe besë nuk ka, po edhe për të tjerët besa s'është asgjë. Kjo është vetëm në kodin etik të shqiptarëve, që tash e kanë humbur në mes veti, si të moderuar që ua ka ënda ta mbajnë veten - kozmopoliten! Tash Serbia e bën kryq e tërthor nëpërmes të Kosovës. Sipas asaj që është parë deri më tash.

Reciprociteti apo më lehtë - hi syve publikut?!

Nuk e dimë se kush ishte dhe kush qëndronte pas një reklame për policët tanë, të cilët i zënë në kufi serbët dhe i shkërryenë për tokë për dëshpërim. Nga Serbia hyjnë "ministra" për Kishën Ortodokse Serbe pa pyetur askënd, duke pallur me shumë afsh kafshërie, se, 'ky vend është Serbi'! Në Serbi ndalet shqiptari duke kaluar dhe burgoset. Në Kosovë thonë, vijmë për Krishtlindje në kishat tona. Kur protestohet nga shqiptarët se, në atë mes "turistësh" ka edhe kriminelë të luftës jo të largët, reagojnë ambasadat e huaja, reagon BE-ja. Thuhet se shqiptarët i kanë fajet. Bisedohet në Bruksel, brenda jave ngritët muri si ai i Berlinit pas LD-së, Institucionet tona janë shurdhmemece dhe të verbëta. Një maçok thotë se, kjo s'ka qenë bisedë në Bruksel, tjetri, jo është biseduar në mes disa "zyrtarëve" serbë e shqiptarë. Kush i bie në fije këtij lëmshi?! Ku çon kjo rrugë pa krye? Cili është ai projekt i evropianëve? Çfarë pret populli shqiptar nesër? A do të jemi sërish monedhë për kusuritje? Qysh ka thënë ai zyrtari evropian dikur, përafërsisht: 'shqiptarët i lamë keq, po paqen e bëmë në Ballkan'. Kush do të jetë përgjegjës për këtë histori të kësaj periudhe të papërcaktuar? Guximi, vonesa, e "kajshmja", përherë ka qenë mikrobi i trupit shqiptar. Ndoshta s'është çare pa u përdorur reciprociteti, por nuk duhet të pritet në fund të fundit. Modestia, kulturimi, bujaria, besa mund të kushtojë shumë shtrenjtë. Serbia nuk ka cilësi të tilla. Në momente të caktuara është shumë e vrazhdët. Atëherë kur nuk frikësohet, vepra e saj tashmë është e njohur. Asaj që nuk ka lidhje me njerëzoren. Prandaj, për këtë kemi shkruar disa herë. Por, frika e njerëzve tanë nga patroni - BE se, do të largohen nga postet, mund të gjykohen e të futen në burgje, këtë e kanë hetuar serbët. Ata dinë çdo ditë hedhin nga një gur në rrugë. Merren me etiketime të ulëta. I plasojnë në botën e jashtme në disa gjuhë. Qe pra, sa vështirë është të bëhesh shtetar i një vendi, e pastaj pushtetar!..

(Kosova Sot)