E dimë çka ka bërë Rusia. Por, pse?!

E dimë çka ka bërë Rusia. Por, pse?!
  • 10 January 2017 - 10:11

Shkruan: Fareed Zakaria 

Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, asnjë vend i madh nuk e ka sfiduar sistemin e ri ndërkombëtar. Por, tani një strategji e një fuqie të madhe, e përcaktuar që të funksionojë e pavarur, mund të ketë sukses në mbjelljen e dyshimit, ndarjeve dhe mosmarrëveshjeve dhe të shkatërrimit në Perëndim.

Më vjen mirë që, përfundimisht, Donald Trump do të marrë informatat rreth konkluzionit unanim të agjencive amerikane të inteligjencës, se qeveria e Rusisë qëndronte prapa sulmeve kundër Komitetit Nacional demokratik dhe kreut të kampanjës së Hillary Clintonit. Por, ai po ashtu duhet të kërkojë, dhe të marrë, një informatë politike rreth Rusisë, që do të hidhte dritë në shkaqet e këtyre veprimeve ruse. Ne duhet ta kuptojmë pse Rusia veproi ashtu sikur që veproi. E tëra filloi me Pranverën Arabe. Demonstratat e papritura masive dhe kërkesat për demokraci e zunë pjesën më të madhe të botës në befasi. Sidomos, ato e tronditën Moskën në një moment të veçantë. Kremlini ishte në mes të menaxhimit të së ardhmes politike të vendit dhe ishte i shqetësuar rreth opozitës në vend. Zgjedhjet parlamentare duhej të mbaheshin pas më pak se një viti, të cilat do të pasoheshin nga zgjedhjet presidenciale. Asokohe Vladimir Putin nuk ishte president, pasi që këtë post e kishte lëshuar në pajtim me kushtetutën e Rusisë, duke lejuar Dmitry Medvedevin që ta merrte këtë post.

Frika nga protestat në rrugë

Roland Dannreuther nga Universiteti Westminster në Londër, thotë se "Krizat në Libi dhe Siri koinciduan me rritjen e opozitës pas rizgjedhjes së Putinit, me tubime të paprecedente, të mëdha në Moskë dhe në qytete të tjera ruse gjatë periudhës 2011-12". Ai thotë se Kremlin përcillte situatën në këto vende, derisa protestuesit e rrugëve u transformuan në një opozitë më të gjerë, duke krijuar jostabilitet, duke ndjellë vëmendjen dhe intervenimin e Perëndimit. Moska ishte e vendosur që një skenar i tillë të mos realizohej në Rusi, apo në ndonjërin prej vendeve të saj të afërta fqinje, sikur në Ukrainë. Në fakt, këtu pati një ndër mosmarrëveshjet e rralla midis Putinit dhe Medvedevit, rreth asaj se si të reagohej ndal Libisë. Putini me ashpërsi sulmoi presidentin e vet për shkak se nuk kishte përdorë veton në KS të OKB-së ndaj një rezolute e cila sanksiononte një intervenim në Libi dhe e akuzoi Perëndimin se po e fillonte një kryqëzatë kundër një vendi mysliman. Medvedev, i cili teknikisht ishte i ngarkuar me politikën e jashtme, e kundërshtoi atë, duke e quajtur retorikën e tij, të paarsyeshme. Disa njerëz në Rusi mendojnë se ky reagim vulosi fatin politik të Medvedevit, i cili shërbeu vetëm një mandat, për t'ia lëshuar postin e presidentit përsëri Putinit. Sido që të jetë, sikur që shkruan Dannreuther, "për elitat konservatore ruse, dëshmia e Pranverës Arabe konfirmonte se ndarjet e tilla fraksionare në kuadër të promovimit të demokracisë, çojnë vetëm te trazirat e brendshme, konfliktet sociale dhe te humbja e sovranitetit dhe integritetit të vendit. Rreth një vit më vonë, në vitin 2013, shefi i stafit të Forcave të Armatosura Ruse, gjenerali Valery Gerasimov, shkroi një artikull, i cili sugjeronte se sfida kryesore e Rusisë ishte reagimi ndaj dinamikës së Pranverës Arabe dhe 'revolucioneve me ngjyra' të Afrikës Veriore. Ai kërkonte që këto ngjarje të mos konsiderohen si jo ushtarake, meqë "një shtet i përkryer, brenda pak ditësh mund të shndërrohet në një arenë të konflikteve të ashpra ushtarake, të bëhet viktimë e një intervenimi nga jashtë dhe të mbytej në rrjedhën e kaosit, katastrofës humanitare dhe luftës civile". Ai thoshte që më mirë ishte sikur Rusia t'i zhvillonte metodat jo ushtarake dhe asimetrike, duke përfshirë operacionet speciale, luftën e informatave dhe përdorimin e opozitës së një vendi, për ta shkatërruar atë.

Rusia ka përdorur një strategji hibride

Që nga ajo kohë, Moska e ka vënë në qendër të saj luftën për informata, si pjesë qendrore të politikës së saj të jashtme dhe ushtarake. Duke e provuar veten në Gjeorgji dhe Ukrainë, Rusia ka përdorur një strategji hibride, e cila përfshin financimin e politikanëve vendorë dhe ndërkombëtar, lajmet e rreme dhe sulmet kibernetike. Politikanët kryesorë gjermanë dhe polakë vlerë- sojnë se Rusia është përfshirë në disa prej këtyre aktiviteteve në vendet e tyre, po ashtu. Dhe, tani kemi përzierjen e qartë në zgjedhjet amerikane. Ideja e luftës me informata nuk është e re. Bashkimi Sovjetik kishte zhvilluar dhe praktikuar strategjinë e dezinformimit gjatë Luftës së Ftohtë dhe lajmet e rreme dhe depërtimin te partitë politike në Perëndim. Por, ringjallja e kësaj çështjeje dhe mënyra agresive dhe tepër e të sofistikuara, rreth asaj sesi përdoren ato në mediet sociale. Kjo është prapavija politike prapa dëshmive teknike se Rusia ishte përzier në zgjedhjet e nëntorit. Kjo duhet të nxirret nga kornizat partiake dhe të shikohet në një kornizë partizane, në një kontekst shumë më të madh. Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, asnjë vend i madh nuk e ka sfiduar sistemin e ri ndërkombëtar. Por, tani, një strategji e një fuqie të madhe, e përcaktuar që të funksionojë e pavarur, mund të ketë sukses në mbjelljen e dyshimit, ndarjeve dhe mosmarrëveshjeve dhe të shkatërrimit në Perëndim. 

(Kosova Sot)