Vendit i duhet një lëvizje e re

Vendit i duhet një lëvizje e re
  • 11 January 2017 - 07:56

SHKRUAN: FADIL MALOKU

1. Kosova si një shtet ("sui generis") i ri që gjendet ende në një proces të vetëkërkimit, verifikimit, vetëdëshmimit dhe organizimit të jetës shtetërore dhe asaj sociale, duket që ka nevojë edhe për një nxitjet tjetër të re, që shquhet dhe identifikohet si deliberalizim. Deliberalizimi do ta ndihmonte pa mëdyshje jo vetëm identifikimin, por edhe qartësimin e disa çështjeve ekzistenciale, që i takojnë sferës së interesit kombëtar, siç janë: asociacioni, definimi (demarkacioni) i qartë i kufijve me Serbinë, heqja e dilemave rreth (mos)bashkimit me Shqipërinë, ndarja e Kosovës, kyçjes në BE, profilizimin kulturor dhe ideologjikë, konsolidimin e demokracisë, etj. Pra një seri çështjesh fondamentale, të cilat në periudhat e ardhshme (dez)integruese në rajon dhe më gjerë, do të mund të shërbenin si përgjigje adekuate dhe koherente me kërkesat e kohës.

2. Duke parë që shumica e objektivave kombëtare (demokracia, sovraniteti, pavarësia) dhe atyre qytetare (barazia, drejtësia, mirëqenia, etj.) nuk u arritën as përmes: "Lëvizjes paqësore" (LDK), e as "Lëvizjen e luftës" (PDK), atëherë formimi i një "lëvizjeje" të re që do të përmbushë këto objektiva dhe katarsisin e nevojshëm gjithëshqiptar, duket se është i nevojshëm dhe i paevitueshëm!

3. Pra, një lëvizje e re, me përmbajtje identike alternative, sikurse: ajo e viteve 90-ta, dhe ajo e fundshekullit të kaluar, që arritën të përmbysin mjeshtërisht dhe në stilin e një katarsisi POLITIK (një alternativë obskurante qeverisëse), SOCIAL (një raport tërësisht ndryshe me qytetarinë), e sidomos EKONOMIK (një modeli të ri të barazisë dhe drejtësisë) rrethanat e kontaminuara, krizën morale, korruptimin e sistemit dhe vlerat e formacionit komunist.

4. Kjo lloj lëvizjeje e re alternative na duhet fillimisht në Kosovë shkaku i improvizimit, që partitë dhe elitat politike ia bënë shtetësisë (së paqenë), sovranitetit (të cunguar) dhe demokracisë (së munguar), gjatë gjithë viteve të pasluftës, për ta vazhduar më tutje në Shqipëri dhe në Maqedoni...!

5. Tani, kjo lëvizje në formë të një alternative të re politike, sociale e ekonomike, është e kuptueshme që nuk mund të dalë nga "kuzhinat" e vjetra, që në shpinë akoma mbajnë mëkatet e së kaluarës, por nga një karizëm e re emancipuese qytetare, e zhveshur tërësisht nga hipoteka e luftës (që prodhoi edhe pseudopatriotë!), dhe ajo e paqes (që prodhoi mashtrues ordinerë institucionalistë). Thënë më thjesht, karizëm që do ta prodhojnë rrethanat e reja të "kaosit" dhe rreziqeve permanente: lokale, rajonale e globale...! 

(Kosova Sot)