Ku gjendet Evropa tani, me Trump-in dhe Putin-in?

Ku gjendet Evropa tani, me Trump-in dhe Putin-in?
  • 11 January 2017 - 10:43

Shkruan: Natalie Nougayrede

Liderët evropianë vazhdojnë që të jenë të hutuar, duke mos ditur çka të presin nga Trump

Kryeqytetet evropiane kanë qenë të zëna duke dërguar emisarë diskretë në Nju- Jork, për të kuptuar qëllimet e Donald Trump-it. Angela Merkel, e cila më 9 nëntor dha një vërejtje rreth presidentit të zgjedhur, dërgoi këshilltarin e saj të afërt, Christoph Heusgen, që të takohej me gjeneralin Michael Flynn, këshilltarin e ri të sigurisë kombëtare. François Hollande, i cili gjatë kampanjës parazgjedhore në SHBA kishte thënë se komentet e Trump-it i ngjallnin neverinë, dërgoi këshilltarin e tij diplomatik, Jacques Audibert. Tani, Theresa May ka bërë të ditur se do të udhëtojë në Uashington që të takohet direkt me Trump-in, takim që pritet të mbahet diku në pranverë. Por, liderët evropianë vazhdojnë që të jenë të hutuar, duke mos ditur çka të presin nga Trump. Shumica e deklaratave rreth politikës së jashtme bëhen në Twitter. "Ne jemi në një botë tjetër", më tha tash vonë një zyrtar gjerman, pasi vuri në pah se sa për së afërmi kishte punuar Merkel me Obam-an rreth çështjes së Ukrainës dhe rreth çështjeve të tjera. Çdo gjë që është shqetësuese për amerikanët liberalë rreth Trump-it, është edhe më shqetë- suese për evropianët demokratikë, kryesisht për shkak të shqetësimeve gjeopolitike. Në një kohë kur pritet inaugurimi i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë dhe kur Putin errë e kthjell në Kremlin, Evropa gjendet e zënë midis hekurit dhe çekanit, respektivisht midis tendencës së Trump-it për t'i diskredituar aleancat dhe për të manifestuar simpati ndaj politikanëve evropianë dhe midis pritjeve të Putin-it për më shumë oportunizëm në lidhje me qëllimet e tij të politikës së jashtme.

Nuk kryen punë as sllovenia

Zërat që vijnë nga Evropa qendrore se Trump do të jetë i interesuar për këtë regjion, për shkak se gruaja e tij vjen nga Sllovenia, janë ose ironike, ose të bëra në dëshpërim e sipër. Evropën e presin dy rreziqe. I pari ka të bëjë me parimet në të cilët mbështetej lidhja transatlantike që nga themelimi i saj në vitin 1949 në formë të NATO-s, duke përfshirë edhe përkushtimin për ta nxitur dhe mbështetur demokracinë, liritë e njeriut dhe sundimin e ligjit. Rreziku i dytë ka të bëjë me atë se Evropa mund të jetë dëshmitare e kthimit të sferave të ndikimit, gjë që historikisht e ka dëmtuar atë. Një gjë e tillë rrezikon që të fortit të bëjnë çka të munden, derisa të dobëtit të vuajnë në heshtje. Në këtë aspekt nuk duket të ketë dallime midis Trump-it dhe Putin-it. Nëse kjo është 'gjendja e re normale', atëherë Evropën e pret një kaos i paparë, ku qeveritë e çdo vendi mundohen që t'i sigurojnë interesat e veta, pa marrë parasysh çfarë kostoje mund të ketë kjo për vendet fqinje dhe për dështimin e tërë kontinentit. Putin-i do t'i presë dorëhapur të gjithë ata që, qoftë për shkak të admirimit, apo frikës, mund të tentojnë ta kompensojnë tërheqjen strategjike amerikane, duke kërkuar arritjen e marrëveshjeve me fqinjin e tyre të madh të Lindjes. Largimi i Evropës nga Amerika është një qëllim, të cilin ai e ka bërë të ditur shumë kohë më parë. Një Evropë e fortë dhe e koordinuar është në interes të Putin-it vetëm nëse i përshtatet në aspektin ideologjik, me nativistët kulturorë sikur Marine Le Pen, Geert Wilders dhe Viktor Orbán në ballë të saj. Nëse demokracia liberale do t'ia dalë që të rezistojë, sidomos në Francë dhe Gjermani, atëherë ai do të vazhdojë që të punojë për dobësimin dhe përçarjen e Evropës. 

Hakimet ruse

Këtu qëndron edhe sfida imediate. Figura të larta, duke përfshirë edhe krerë të inteligjencës në Berlin, kanë dhënë publikisht alarmin rreth strategjisë ruse për pengimin e zgjedhjeve të ardhshme në Gjermani, me anë të dezinformatave dhe hakimit. Zyrtarët në Paris nuk kanë qenë kaq të zëshëm, por janë po aq të shqetësuar. Ka rëndësi që partitë demokratike të Gjermanisë janë konsultuar rreth asaj sesi të reagojnë në ndonjë rast të sulmit masiv ndaj emailave. Duket që qëndrimi është te përbetimi se përmbajtja e kampanjës nuk do të shfrytëzohet nga ta. Por, me një president amerikan të gatshëm që të dënojë çdo kritikë apo ekspozim ndaj aktiviteteve kibernetike të Rusisë, politikanët evropianë gjenden në zgrip. Kjo nuk është hera e parë që Evropa ka probleme me një president amerikan. Invadimi i George W Bushit në Irak kishte bërë që kontinenti evropian të përçahej keq, Guantánamo dhe torturimi i njerëzve aty, ndikuan në një rënie të madhe të imazhit të SHBA-së. "Risetimi" i marrëdhënieve të SHBA-së me Rusinë gjatë kohës së Obam-as zor se bindi ndokënd. Për më tepër, dështimet e mëdha të Obamës në Siri kanë pasoja edhe për Evropën, jo vetëm për shkak të krizës së refugjatëve, por edhe për shkak të hapësirës strategjike që ai ia dha Putinit, duke e fuqizuar atë për ta sulmuar Ukrainën në vitin 2014. Shumëçka varet nga rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Francë As bërja e "marrëveshjeve" me Putin-in, për çka ka folur Trump, nuk do të jetë një krim apriori. Fundja, edhe Obama ka bërë marrëveshje me Rusinë rreth armëve bërthamore dhe rreth Afganistanit. Pyetja e cila e mundon Evropën është se a përfshin definicioni i marrëveshjes nga Trump, pajtimin me çdo kusht që mund të paraqesë Putin-i. Deri më tani, disponimi në vendet më të mëdha evropiane karakterizohet nga tendencat për t'i kufizuar dëmet sa më shumë që të jetë e mundur. Në Berlin ekziston shpresa që Trump mund të bindet gradualisht që ta vazhdojë traditën më se 70 vjeçare të angazhimit të SHBA-së në Evropë. Edhe pse Gjermania shpesh quhet "lideri i fundit në Perëndim', zor se mund të veprojë e vetme. Pritet që në Paris të flitet rreth bashkëpunimit anti-terrorist. Britania dëshiron që të shpëtojë çka të jetë e mundur nga "raportet speciale" derisa shkon drejt daljes nga BE-ja. Presioni nga republikanët tradicionalë në Kongres është duke u rritur. Por, zyrtarët evropianë mbesin të dëshpëruar. Pritet që sprova e parë do të jetë rreth Donbasit. Nëse Trump tërhiqet nga sanksionet kundër Rusisë, në lidhje me gjendjen në Ukrainë, a do të jetë BE-ja e aftë që ta mbajë një front të përbashkët? Zyrtarët gjermanë thonë se kjo mund ta shkaktojë një ndarje transatlantike.

Shumëçka varet nga rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Në tërë këtë pasqyrë të zezë, ekzistojnë edhe disa pika të bardha. Nëse ndonjë gjë ka ndihmuar në forcimin e kohezionit evropian rreth Putin-it, atëherë ajo është indinjata e shkaktuar nga sulmet ajrore ruse kundër civilëve sirianë në Alepo. Po ashtu, vazhdimisht flitet për rritjen e shpenzimeve evropiane për mbrojtje. Por, askush nuk e di cili do të jetë stili i vërtetë i Trump-it. E, as strategjia e tij. Ekziston një atmosferë e rëndë. Vitin e kaluar, Obama i kishte premtuar një zyrtari të lartë të BE-së se nuk do ta linte Trump-in që t'i afrohej Shtëpisë së Bardhë. Disa thonë se e mira e vetme nga fitorja e Trump-it, është fakti se Putin tani e ka humbur vendin e parë, të pakontestueshëm, për të qenë i paparashikueshëm. Ky mund të jetë një ngushëllim afatshkurtër, prandaj nuk mund të ndikojë në forcimin e besimit.

(Kosova Sot)