Bizaritetet politike edhe në Francën demokratike kontemporare!

Bizaritetet politike edhe në Francën demokratike kontemporare!
  • 12 January 2017 - 08:02

SHKRUAN: RIZA SMAKA

Në shtetet e së drejtës politikat dhe praktikat shtetërore apo publike, kurdoherë, kërkohet të jenë në shërbim të plotë të përfilljes së padiskutuar të normave juridike në aplikim. Në anën tjetër, politikat dhe praktikat në fjalë e kanë autorizimin që, në procedurë të caktuar, të veprojnë për modifikime, novelime, amendime ( jo" amandamentime") të normave juridike në aplikim. Pas novelimeve legale të miratuara në procedurë të kërkuar, juridike përkatë- sisht e drejta, prapë, i mbivihet politikës dhe praktikave të saja. Gjithsesi, politikat dhe praktikat shtetërore, përderisa normat juridike të caktuara janë në fuqi, të njëjtat, Nolens Volens, doemos duhet (Ius Imperativum, Cogens) t'i përfillin. Aq më parë, parimet juridike ndërkombëtarisht të mirënjohura e valide obligojnë për përfillje të padiskutuar nga të gjitha institucionet publike shtetërore e ndërshtetërore, përkatësisht ndërkombëtare e veçanërisht nga titullarët respektivë sikundër nga cilido entitet natyral apo legal! Ne Bis In Idem & Res Iudiciata. Në doktrinat juridike , në dimensionin historik, pozitiv, shtetëror e ndërshtetëror ( ndërkombëtar), njihet, kultivohet dhe përgjithësisht përfillet parimi juridik valid "Res Iudiciata" përkatësisht "Ne Bis In Idem" referuar ndalimit të procedimit juridik të rastit juridik të trajtuar, proceduar dhe të përfunduar më parë!

Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë, në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare

Ky parim juridik është fundamental dhe në funksion të sigurisë juridike, të stabilitetit juridik , socio-ekonomik, e posaçërisht politik dhe si i tillë në shtetet demokratike që synojnë të jenë shtete të së drejtës ( jo "shtete juridike") është i inkorporuar dhe i afirmuar në rendet juridike respektive. Inkorporimi i këtij parimi, varësisht nga rendet juridike të shteteve të ndryshme, praktikohet në postulate ose dispozita kushtetutare. Në vendin tonë ky parim juridik i mirënjohur, përkitazi me çështjet penale, është normuar në dispozitën e nenit 34 të Kushtetutës, me të cilën është përjashtuar gjykimi më se njëherë për të njëjtin akt penal! Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë, në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare, madje edhe me të drejtën pozitive franceze! Vite më parë, z. Ramush Haradinaj padrejtësisht ishte i akuzuar për kinse kryerje të akteve penale të caktuara! Konform me të drejtën aplikative, Tribunali për Krime Lufte në Hagë, z. Ramush Haradinaj, me aktgjykime meritore, duke konstatuar se ishte i akuzuar padrejtësisht, e ka liruar nga të gjitha alinetë e aktakuzave penale! Ndryshe, po ai institucion gjyqë- sor ndërkombëtar z. Ramush Haradinaj e ka shpallur dy herë (sic) të pafajshëm si të akuzuar pa bazë, pa të drejtë! Rastet e tilla përkojnë me institutin juridik të mirënjohur Res Iudiciata, rast i gjykuar dhe i përmbyllur përkatësisht me " Ne Bis In Idem" apo jo më tepër se një herë për raste juridike - penale të njëjta! Sëandejmi, organet e drejtësisë franceze, aq më parë, të një shteti me traditë demokratike të afirmuar, së pakut nga Revolucioni Borgjez Francez (1798), përkatësisht nga miratimi i Code Civile në fillimin e shekullit XIX, së paku është dashtë të dinë se askush, pra as z. Ramush Haradinaj, nuk lejohet të procedohet juridikisht, në këtë rast penalisht, më së një herë!

Fletarrestimi i shtetit serb, tendencioz, politik dhe hipotezë juridike diskutabile

Autoritetet franceze është dashtë të dinë nëse eventualisht nuk e kanë ditë se shteti serb, gjithnjë i motivuar nga apetitet hegjemoniste, makijavelisht dhe të pa skrupullta elementare, kurdoherë ka vepruar dhe aktualisht vepron kundër çështjes shqiptare, në përgjithësi e veçanërisht kundër shtetit të Kosovës, në veçanti! Në këtë kontekst, po ato dhe autoritete ndërkombëtare si dhe të shteteve të tjera kurdoherë duhet të dinë, të mos harrojnë dhe të përkujtojnë seriozisht se forcat militare e policore të shtetit serb, veçanërisht gjatë periudhës 1998-9, edhe në Kosovë kanë kryer shumë krime lufte, madje gjenocidiste kundër civilëve shqiptarë të të gjitha moshave e gjinive - Alas, sic! Po ashtu, po ato autoritete është dashtë të dinë se shteti serb, në saje të statusit anëtar në Europol, përkatësisht Interpol, ad-hoc dhe për aq makijavelisht mund të lëshojë urdhërarrestim kundër cilitdo person (shqiptar veçanërisht nga Kosova), në rastin konkret edhe kundër z. Ramush Haradinaj, aq më parë kur akti i tillë apriori është hipotezë juridike diskutabile, që fillimisht mund të apelohet vetëm në presumime (sic) dhe tek në vijim, në argumente përkatëse. Mirëpo, gjatë periudhës së procedimeve preliminare, personi i "mbajtur" praktikisht i arrestuar, pashmangshëm pëson vuajtje morale e fizike të intensitetit të lartë e tok me to dëmtime morale e fizike të pamatura dhe virtuelisht të pakompensuara. Rrjedhimisht, po qe se kërkuesi i fletarrestimit, konkretisht autoriteti përkatës i shteti serb, nuk e argumenton kërkesën në fjalë, personi, përkatësisht pala e arrestuar, lirohet! Megjithatë kërkuesi i fletëndalimit të atillë, edhe pse tërësisht arbitrar, arrin satisfikacionin e vet të pandershëm nëpërmjet arrestimit të personit të caktuar, në rastin konkret të personalitetit të shquar të Kosovës, z. Ramush Haradinaj! Kërkuesi i fletëndalimit kur nuk e argumenton pretendimin e vet,çfarë është edhe rasti konkret, i pandehuri do të lirohej! Iniciuesi i procesit të tillë, virtualisht dhe mjerisht, zakonisht mbetet i papërgjegjshëm juridikisht, pos eventualisht i përgjegjshëm për rimbursimin e dëmit të shkaktuar personit padrejtësisht të arrestuar. Përkitazi me papërgjegjësinë morale të kërkuesit të arrestimit tendencioz, të motivuar politikisht dhe pa baza juridike ,çfarë është rasti konkret, kur është në çështje shteti serb, të mos flitet- Sic! Ndryshe, autoritetet serbe gjatë ushtrimit të politikave hegjemoniste antishqiptare- veçanërisht antikosovare, kanë vepruar në mënyrën e sipërthënë, kanë keqshfrytëzuar okasionin e statusit të shtetit serb - anëtar në Europol, përkatësisht në Interpol, ashtu që kundër jo pak personave, përkatësisht personaliteteve shqiptare - kosovare, edhe në ato institucione ndërkombëtare, kanë depozituar kërkesa për arrestime të caktuara, ndryshe juridikisht të paargumentuara e tërësisht të motivuara politikisht!

Memorandë

Ndryshe, Europoli, përkatësisht Interpoli e konkretisht autoritetet franceze, ndër të tjera Nolens Volens, do të duhej që paraprakisht jo t'i refuzonte, por t'i flakte ( rejections) kërkesat e autoriteteve të shtetit serb për ndalime, përkatësisht për arrestime të qytetarëve kosovarë, së paku ngase të njëjtat janë arbitrare dhe tendencioze, janë të karakterit makijavelist, kanë tendenca për degradime, denigrime, etiketime dhe fusnotime negative të qytetarëve, përkatësisht personaliteteve shqiptare të caktuara posaçërisht nga Kosova, titullohen si të shtetit "jugosllav" , ndryshe shtet inekzistent, shtet i disolucionuar me kohë dhe shtet i panjohur aktualisht, ishin, janë dhe ngelën krejtësisht të paargumentuara, të motivuara nga politika serbe hegjemoniste dhe për aq antishqiptare! Në këtë kontekst, vlen të apostrofohet dhe autoriteteve ndërkombëtare në fjalë e veçanërisht atyre franceze konkretisht, se z. Ramush Haradinaj, ish-komandant i shquar i UÇK-së, posaçërisht gjatë periudhës 1998 -9, ka zhvilluar luftë çlirimtare të drejtë dhe të afirmuar edhe nga e drejta ndërkombëtare publike, pikërisht kundër forcave militare e policore të shtetit serb (të cilat vetëm gjatë po asaj periudhe në territorin e UÇK-së, në Kosovë, ndër të tjera, kanë privuar nga jeta barbarisht rreth 13 000 civilë shqiptarë të të gjitha moshave, kanë përdhunuar dhjetëra-mijëra femra shqiptare, ndër të cilat jo pak të mitura, kanë plaçkitur e shkrumbuar mbi 150 000 ndërtesa të destinimeve të ndryshme, disa mijëra civilë shqiptarë të masakruar i kanë hedhë në kanale masive dhe mijëra të tillë gjithnjë nuk janë zbuluar, pasi që "autoritetet serbe nuk ditkan së në të cilat hendeqe e gropa masive nëpër territorin e shtetit serb qenkan groposur") Alas! Z. Ramush Haradinaj, së paku konform me parimet juridike ndërkombëtarisht valide dhe afirmative "Ne Bis In Idem " & "Res Iudiciata", nga autoritetet ndërkombëtare, çfarë është Interpol-i, Europoli e veçanërisht nga ato të Francës së Revolucionit Borgjez të shek. XVIII dhe të Code Civile-s të shek. XIX, kurdoherë do të duhej ta nderonin, e kurrsesi ta arrestonin për hire tekanjoze hegjemoniste serbe!

(Kosova Sot)