Kuvendin e mbulon turpi...!

Kuvendin e mbulon turpi...!
  • 12 January 2017 - 08:07

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Shqetësimi nga shkrimi im paraprak, për rastin e montuar të zotit Haradinaj, mos vallë në këtë lojë të koordinuar mes Serbisë dhe Francës, është implikuar edhe ndonjëri nga liderët shtetëror të Kosovës, me qëllim të mënjanimit të pengesës më të madhe (Haradinajt) në realizimin e projekteve shtetshkatërruese të Kosovës, siç janë; cenimi i rendit kushtetues në vend, tkurrja territoriale e vendit dhe ndarja e sovranitetit të shtetit në dysh -mes serbëve dhe shqiptarëve,...për fatin e keq doli të jetë i saktë. Këtë më së miri e vërtetoi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila edhe një herë shpërfaqi politikën disfatiste të qeveritarëve tanë në raport me Serbinë. Mosvotimi i rezolutës, përveçse një zhgënjim i madh, është edhe një thyerje e madhe shpirtërore e qytetarëve në të zgjedhurit e popullit. Mosvotimi i rezolutës për lirimin e menjëhershëm të Ramush Haradinajt, me kushtin themeltar për pezullimin e bisedimeve deri në lirimin e tij, përveçse është votë PRO Serbisë, kësaj të fundit i lë derën hapur për të vazhduar gjuetinë e saj ndaj çlirimtarëve dhe veprimtarëve më të devotshëm, përfshirë edhe qytetarët e zakontë që mbështesin pavarësinë e plotë të Kosovës nga Serbia.

Luftimi i "mortajës" kriminale duhet të jetë prioritet

Edhe pse më pak se një muaj na ndanë për të hyrë në vitin e dhjetë të rishpalljes së pavarësisë së shtetit tonë nga Serbia, ne akoma nuk po mund dëshmohemi se jemi të zotët të ecim me këmbët tona! Aq pak jemi "rritur" dhe konsoliduar si shtet, saqë gjithnjë dhe për çdo gjë kërkojmë ndihmën e ndërkombëtarëve. Partitë politike, gjegjësisht liderët partiakë, assesi të vetëdijesohen dhe ndërgjegjësohen për dëmin që janë duke i shkaktuar shtetit dhe qytetarëve me keqqeverisjen, papërgjegjësinë politike, mentalitetin totalitar qeverisës, me kapjen e shtetit përmes sistemit të instaluar korruptiv dhe kriminal në të gjitha nivelet. Ky virus kancerogjen i qeverisjes i ka kapur të gjitha partitë në pushtet dhe opozitë, si pushtetin qendror ashtu edhe atë lokal, pa përjashtim. Në këtë situatë të rënduar politike, qytetarët e heshtur dhe të fjetur të vendit tonë të gjitha shpresat për ndryshim i kanë përqendruar tek bashkësia ndërkombëtare, respektivisht tek ambasadorët e shteteve të Quintit, e në veçanti tek ambasadori amerikan dhe përfaqësuesi i BE-së për të na "shpëtuar" shtetin nga kusarët politikë vendorë, duke instaluar sundimin e ligjit në vend të sundimtarëve mbi ligjin. Kjo qasje e gabuar qytetare vetëm sa mund ta rëndojë akoma më shumë situatën. Nuk është thënë kot; "Vullneti i popullit është vullnet edhe i Zotit!" Nëse kthehemi në retrospektivë, vetëm një vit më parë, do të bindemi në këtë thënie. Në vlugun e protestave gjithëpopullore, kur vendi ishte në prag të ndryshimit të madh politik në vend, ndodhi ajo që më së paku i duhej vendit, ndodhi thyerja e bllokut opozitar në njërën anë dhe dhunimi i vullnetit qytetar nga pushtetarët. Luftimi i "mortajës" kriminale duhet të jetë prioritet dhe objektiv qytetar, deri në largimin e të inkriminuarit të fundit nga pushteti.

Të mos presim që ndërkombë- tarët ta duan Kosovën më shumë se ne

Unifikimi i popullatës në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të tjera negative, pa dyshim se do të gjejë edhe mbështetjen ndërkombëtare. Të mos i krijojmë vetes iluzionin dhe as të presim që ndërkombëtarët të bëjnë më shumë sesa ne për Kosovën. Varësisht sa ne i imponohemi bashkësisë ndërkombëtare, aq do të kemi mbështetjen e saj dhe e kundërta, për aq sa ne heshtim para së keqes, do të injorohemi dhe përbuzemi nga ana e tyre. Secili e do vendin dhe popullin e vet, të mos presim që ndërkombëtarët ta duan Kosovën më shumë se ne. Miqësia në politikë duhet të jetë reciproke, në të kundërtën kthehet në tradhti dhe armiqësi me pasoja afatgjata. Nuk e di a ka degradim më të madh të institucioneve të shtetit dhe mallkim për vendin, kur në legjislativin e vendit nuk arrin të votohet një rezolutë e propozuar nga vet pushtetarët aktual (PDK-LDK)! Kjo do të thotë që e ardhmja e shtetit është në rrezik të madh, ngase shteti përbëhet nga institucionet e kapura nga individët e korruptuar dhe kriminalizuar deri në fyt. Rrënues të shtetit në asnjë rrethanë nuk mund të jenë qytetarët që kërkojnë liri të lëvizjes, zhvillim ekonomik të shtetit, arsim cilësor dhe drejtësi të barabartë (jo selektive) për të gjithë qytetarët. Në fakt rrënuesit më të mëdhenj të institucioneve shtetërore janë shndërruar bartësit e tyre, me paaftësinë dhe papërgjegjësinë qeverisëse. Me seancën e pardjeshme të Kuvendit, Kosova është gjunjëzuar edhe një herë para Serbisë, si pasojë e deputetëve servilë ndaj liderëve të korruptuar partiakë dhe të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve të vet. Ramush Haradinaj, përveçse viktimë e pazareve politike të Brukselit, nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, pavarë- sisht faktit nëse do të lirohet apo jo, bashkatdhetari ynë, qytetari i Kosovës i prangosur në Francë, është viktimë edhe e deputetëve që nuk e votuan rezolutën për lirimin e tij. Kjo është një e vërtetë e hidhur dhe vështirë e kapërdirë për të gjithë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka nga vetja e tyre për lirinë e Kosovës. Këtë shkrim dëshiroj ta përfundoj me një thënie të Paulo Coelho: "Të presësh është e dhimbshme, edhe të harrosh është e dhimbshme, por të mos dish se çfarë vendimesh të marrësh kjo është një nga vuajtjet më të mëdha".

(Kosova Sot)