Historia sekrete e një marrëveshje historike

Historia sekrete e një marrëveshje historike
  • 04 July 2015 - 22:35

Si u hap dera zyrtare për bombardimin e Serbisë

Shkruan: Reshat Sahitaj

Sulmet kundër caqeve ushtarake të Serbisë nga NATO-ja filluan duke pasur për motiv zyrtar se Beogradi e ka refuzuar marrëveshjen e Rambujesë, e që në fakt liderët politikë serbë i kanë pranuar të gjitha principet, përveç prezencës ushtarake të NATO-s, për ç’gjë serbët ende kërkonin hapësirë për debat dhe për të gjetur një zgjidhje. Mirëpo, edhe sikur Beogradi të pranonte edhe këtë problem, Perëndimi kishte formulën tjetër për largimin total të forcave serbe nga Kosova.

Kur filloi procesi i marrëveshjes së Rambujesë?

Procesi i zgjidhjes së krizës nuk kishte filluar saktësisht kur liderët shqiptarë erdhën në Rambuje  dhe as kur pas dështimit në Rambuje marrëveshja u nënshkrua në Paris.  Ajo e ka një histori më të gjatë, e që tani secili shqiptar ka dëshirë të jetë kryeprotagonist i kësaj marrëveshjeje historike. Çdo gjë dhe çdo pjesëmarrës i asaj konference bëjnë përpjekje të përvetësojnë si kontribut të tyre.   Për marrëveshjen e Rambujesë, disa kanë shkruar libra duke e vënë veten në plan të parë, disa të tjerë kanë folur në televizionet tona kombëtare përsëri si të vetmit protagonistë. Të gjithë përpiqen që gjërat e mëdha kombëtare, vendimet historike për fatin e Kosovës t’i lidhin për një individ apo një grup thuajse i tërë fati i popullit qenka varur nga një njeri! Këta, që nga paslufta e deri sot, refuzojnë çdo aktivitet dhe punë të tjerëve që është kryer në dobi të çlirimit të Kosovës. Në çlirimin e Kosovës ndikoi kontributi i çdo shqiptari që nga ai më i vogëli e deri te më i madhi.

Për të qenë më objektiv është e domosdoshme që gjërat të analizohen nga të gjitha këndet, të bëhen vlerësime për secilin, i cili ka kontribuar në një apo tjetër aspekt. Në këtë mënyrë, nuk mbetet asnjë dyshim se rezultati do të jetë i përbashkët,  ku dikush e ka rolin më të vogël e dikush më të madh për një situatë, ngjarje apo vendim historik.

Marrëveshja e Rambujesë nuk ka pikur nga qielli, e as nuk ka ardhur në befasi. Lidhur me këtë janë një mori faktorësh që kanë ndikuar për të ardhur deri te kjo marrëveshje historike. Janë shumë individë të organizuar ose të paorganizuar në forcat politike ekzistuese në Kosovë, dhe koordinimi i punës së tyre ka ardhur deri te rezultati i një marrëveshjeje historike në Rambuje. Për të ardhur deri te ky rezultat ishte e nevojshme që populli i Kosovës të ngrihej në luftë kundër forcave serbe që vrisnin, digjnin, dhunonin dhe e masakronin tërë një popull të pafajshëm.

Krijimi i UÇK-së është faktori numër një që ka ndikuar formimin e një Konference Internacionale për të zgjidhur krizën në Kosovës. Mirëpo, vetëm lufta e UÇK-së pa pasur një lidership politik nuk do të rezultonte në asgjë, sepse në çdo luftë kudo në botë përfundon vetëm me negociata politike në tavolinë. Shumë luftëra janë zhvilluar në terren, por ato janë shtypur me gjakun  e derdhur të luftëtarëve të lirisë dhe të popullit duarthatë, e përsëri kemi rënë nën okupim.

Krahu pacifist dhe krahu i luftës 

Në vitin 1998, në Kosovë ishin dy faktorë: Ibrahim Rugova, i cili ishte i bindur se vetëm me opsionin e tij pacifist Kosova mund të çlirohej nga okupimi serb. Askush nuk dinte se kush i kishte premtuar Rugovës se pacifizmi sjell çlirimin e Kosovës? Në opinionin shqiptar flitej se Ibrahim Rugova kishte marrë premtime nga amerikanët dhe evropianët se vetëm më opsionin pacifist mund të çlirohej Kosova. Asokohe unë (Rshat Sahitaj) kisha organizuar shumë takime të rëndësishme për Ibrahim Rugovën dhe stafin e tij, si: Skender Hysenin, Edita Tahirin, Avni Spahiun e të gjithë të tjerët dhe gjatë një takimi me grupin Interparlamentar, kryetar i së cilit ishte eurodeputeti La Malfa, haptas iu tha Rugovës dhe tre emrave të tjerë të cituar më lartë: “Pa luftë Kosova nuk ka asnjë shans të çlirohet”.

Pas këtij takimi e thirra Diogardin në telefon, duke i treguar se evropianët nuk mund të bëjnë asgjë më shumë se sa një autonomie të zgjeruar, pasi me opsionin pacifist nuk mund të shkohet më larg. Diogardi përmes bisedës telefonike tha se në takimet e tij që ia kishte rregulluar Ibrahim Rugovës nuk kishte dëgjuar asnjëherë t’i këtë premtuar dikush se Kosova mund të çlirohej pa luftë. Pyetjes se kush i kishte premtuar Rugovës se pa luftë çlirohet Kosova mbetet enigmatike, ngase dikush patjetër që i ka premtuar. Mund t’i ketë premtuar ndonjë ambasador amerikan apo evropian i parëndësishëm dhe i paguar nga Serbia, por i cili ka folur në emër të shtetit të tij për ta mashtruar Rugovën.

Në anën tjetër, lufta kishte filluar kudo në Kosovë, por diplomatët perëndimorë nuk dinin me kë të bisedonin. Kush ishte ai që mund të merrte përgjegjësinë të fliste në emër të të gjithë trimave që kishin dalë t’i thonë jo okupimit serb.

Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja që moti kishin deklaruar se pa luftë Kosova nuk mund të çlirohej. Me të dytë isha në kontakt permanent vite më parë.  LPK-ja kudo në diasporë kishte formuar dhe aktivizuar anëtarët e tyre dhe kishte angazhuar militantët e tyre të propagandonin se pa luftë Kosova nuk çlirohej. Mirëpo, strukturat e UÇK-së brenda dhe jashtë Kosovës ia kishin krijuar vetes një problem madhor- izolimin në vetvete. Rregulla e brendshme e tyre ishte që asnjë gazetar i huaj nuk mund të depërtonte në zona të luftimit, e asnjëri nuk kishte të drejtë të jepte intervistë gazetarëve të huaj. Strukturat e LPK-së jashtë atdheut me vite të tëra kishin krijuar një lloj sistemi hermetik të izoluar vetëm në grupe dhe parti majtiste ekstreme pa u përpjekur të vënin kontakte me parti të djathta.

Parakushtet e një konference internacionale -Rambuje

Në këto kushte, LPK-ja e kërkon ndihmën time dhe në Bruksel vjen: Kryetari i LPK-së Fazli Veliu, Adem Grabovci, Muhamet Kelmendi dhe Ibish Neziri, të cilët bashkë me Behare Rexhepin zhvillojnë takime (të zjarrta sidomos Muhamet Kelmendi), me personalitete evropiane. Në takimin me zotin Herman de Fray, sekretar i Grupit Interparlamentar (me të cilin Rugova ishte takuar një muaj më herët),  liderët e LPK-së ia bënë të qartë se opsioni pacifist ishte nënshtrim dhe se Lëvizja kishte njerëzit në tërë Kosovën që përgatiteshin për një luftë kundër okupatorit serb.

Më vonë në Bruksel vjen Fehmi Lladrovci,  me të cilin kemi zhvilluar një bisedë të gjatë rreth internacionalizimit të luftës e pas kësaj bisede e kam zhvilluar edhe një intervistë për radio.

Më në fund LPK-ja i themeloi edhe strukturat politike në Perëndim, si: Bardhyl Mahmutin, Mujë Rugovën, Sabri Kiçmarin, etj. Që të aktivizoheshin në aspektin e ndërkombëtarizimit të luftës së UÇK-së, ndërsa në Kosovë Adem Demaçi ishte zgjedhur përfaqësues politik e Jakup Krasniqin zëdhënës, ndërsa Bislim Zyrapi shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. 

Duke parë se Byroja Informative e R.Kosovës e udhëhequr nga Behare Rexhepi me ekipin e saj, ishte e pazëvendësueshme për takime me NATO-n dhe të gjitha institucionet evropiane, LPK-ja përsëri e kërkon ndihmën tonë dhe në takim kësaj radhe vjen Mujë Rugova, përfaqësuesi politik për Gjermani dhe Bislim Zyrapi shef i Shtabit të Përgjithshëm. Gjatë takimeve të shumta që u bënë në mes tyre dhe diplomatëve evropianë u pajtuam që lufta në terren duhej të fitonte simpatinë e diplomacisë perëndimore dhe për këtë u vendos të mbanim një konferencë për medie në zemër të lokaleve të OKB-së në Gjenevë. Pasi Bislim Zyrapi duhej të kthehej në Kosovë, mbet që Mujë Rugova të ishte në konferencën e Gjenevës në OKB më 06/ gusht 1998, mirëpo planet ndryshuan e në atë mbledhje për gazetarë ishte Bardhyl Mahmuti, i cili pak ditë më parë, sipas të gjitha gjasave, ishte takuar me Hollbrukun,  Agush Buja , unë dhe Anne Marie-Lizin që ishte senatore dhe kryetare për Politikë të Jashtme e në emër të së cilës u rezervua lokali. Lidhur me këtë konferencë Beogradi reagoi më një notë protestuese te të gjitha shtetet e OKB-së duke u shkruar se OKB-ja kishte filluar të bëhej çerdhe e rebelëve të UÇK-së.

Gjendja në Kosovë shkonte duke u keqësuar ditë më ditë. Unë kisha biseduar me kabinetin e Solanës që të takohej Solana me Demaçin, gjë që çdo gjë ishte në rregull, por shtrohej pyetja se në Kosovë nuk mund të zhvillohej asnjë bisedë pa u përgjuar nga Beogradi, andaj Demaçi duhej të vinte në Bruksel dhe mbetej  të caktohej një datë. Gjatë konsultimeve me Adem Demaçin më tha ta njoftoja Zeken, dhe ma dha numrin e tij. E thirra Xhavit Halitin që ishte në Tiranë dhe i tregova, i cili  në vend se të gëzohej për një takim të tillë,  Zeka siç e quanim Xhavitin më tha: “Pse, a ty të ka mbetur me i bë takime Demaçit, a?! “Ti nuk je i kyçur në LPK, ne i kemi strukturat tona në Bruksel”. Ishte e saktë përgjigjja e tij. Kjo përgjigje ende sot më tingëllon në kokën time. Ende edhe sot, zëri i përgjigjes së tij absurde më shqetëson.  H.Solana shprehte dëshirë të takohej me Demaçin, e shqiptarit tonë në Tiranë i interesonte se pse strukturat e tij organizative në Bruksel nuk ishin në gjendje të bënim një takim të këtij niveli. Nuk kisha asnjë hezitim në Xhavit Halitin se nga ai do të merrja një përgjigje të tillë, sepse kur vinte Baca në Bruksel në vizita zyrtare, Xhaviti e përcillte Adem Demaçin në darka me shqiptarë të Brukselit , ndërsa ditën ne zhvillonim takime me diplomacinë perëndimore. Pra, Xhaviti nuk kishte të drejtë të përgjigjej në atë mënyrë, sepse nuk ishte hera e parë, por nuk do mbetej as  fundit, sepse më vonë do të vinin edhe Jakupi e Hashimi në Bruksel e bile pa i njoftuar strukturat e LPK-së në Bruksel. E vetmja e drejtë e tij ishte se  nuk ishim pjesë e strukturës së tyre.

Byroja Informative e Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e Behare Rexhepit, ishte në shërbim të të gjitha partive politike si e LDK-së edhe e LPK-së dhe partive të tjera me të vetmin qëllim, internacionalizimin e dramës në Kosovë deri në fitoren përfundimtare.  Xhavitit iu përgjigja: “Strukturat tuaja nuk dinë të shkojnë më larg se deri te dera e shoqatave turke, dhe se për takime të tilla jemi të vetmit”. Liderët e LPK-së, vërtet kishin strukturën organizative në Belgjikë, mirëpo aktiviteti i tyre ishte i kufizuar vetëm në takime për të dalë në manifestime dhe për të grumbulluar mjete materiale. Sa herë u nevojitej ndihma këta e kërkonin nga ne, në fillim nga Enver Hadri në vitet e 80-a, e pas vrasjes së Enverit e kërkonin ndihmën time.

Gjatë shumë  takimeve  të rregullta që kisha zhvilluar në Paris, me shefin e kabinetit të ministrit të Punëve të Mbrojtës së Francës, më në fund ishte imperativ i kohës që Franca dhe  vendet tjera të NATO-s, të takoheshin  edhe me shefat e UÇK-së. Për këto takime me Francën biseduam edhe me Adem Demaçin, i cili në mes tjerash tha: “Ky është një hap i mirë. Franca dikur ishte mik i serbëve e tani nëse arrin t’i neutralizojmë që mos t’i përkrahin serbet është gjëja më e madhe që je duke e bërë. Nëse ata na ndihmojnë, kjo nuk hahet prej së ëmblit”, ishin fjalët e Adem Demaçit. Pas ardhjes së Mujë Rugovës dhe Bislim Zyrapit në takime më Belgjikën dhe Francën filluam t’i vazhdonim me Bardhyl Mahmutin, Jashar Salihun, Jakup Krasniqin e në fund edhe Hashim Thaçi, Bilall Sherifi, etj.  E vetmja gjë që francezët kërkonin nga  krahu i luftës ishte: lufta nuk guxonte të përhapej në Mal të Zi e as Maqedoni, dhe mos lejimin e radikalizmit islamist, garanci për minoritetet në Kosovë.

Në diplomacinë perëndimore zyrtare arritëm ta krijonim një amortizim të propagandës serbe se luftëtarët ishin rebelë, ishin komunistë, ishin islamistë. U arrit të krijohej një atmosferë e besimit në mes shqiptarëve dhe personaliteteve të rëndësishme perëndimore. Kjo nuk është meritë e një individi, por punë e gjatë dhe e shumë individëve që zhvilluan luftë diplomatike jo vetëm në Bruksel, por në të gjitha qendrat botërore. Dihet se Brukseli ishte kryeqendra e diplomacisë perëndimore dhe aty u bë puna më e madhe.

Dështimi i takimit në Hotel “Grand”

Në anën tjetër, sekretari i shtetit, Richard Hollbruk, me asistentin e tij, Roger Hill, në fillimin  verës 1998, shkojnë në Beograd dhe kërkojnë nga Beogradi që të zhvillohen negociatat në mes Kosovës dhe Serbisë për të dalë nga kriza. Milosheviqi pajtohet se duhet të negociohet, por vetëm me Ibrahim Rugovën si fitues i zgjedhjeve të 22 marsit 1998,  takimi të zhvillohet në Hotel “Grand”. Pala e negociatorëve serbë presin një kohë të gjatë, por në atë takim nuk shkojnë amerikanët. Në përgjigje të mosmbajtjes së takimit në “Grand”, Milosheviqi e organizon një takim në Beograd ku merr pjesë Ibrahim Rugova, por pa arritje të një marrëveshje politike për Kosovën.

Beogradi për të treguar se Kosova është çështje e brendshme e jo çështje që duhet të përzihen amerikanët  a evropianët, organizon negociata të vazhdueshme me palën shqiptare, duke trajtuar tema të parëndësishme dhe duke mos i aplikuar asgjë prej atyre vendimeve qofshin edhe të kota. Ishin takime sa për t’iu thënë dhe për t’iu arsyetuar  euro-amerikanëve se shqiptarët kaq dëshirojnë dhe kaq ne u japim.

Gjatë këtij intervali kohor ku Serbia dhe Kosova zhvillonin bisedime të pasuksesshme, pala amerikane nuk ka qëndruar duarkryq. Richard Hollbruku i kërkon nga asistenti i tij Hill, që të hartojë një plan për një zgjidhje politike, ku kufijtë e Jugosllavisë nuk do të prishen dhe Kosovës t’i jepej një autonomi e zgjeruar një formë e shtetit në shtet, në të cilin projekt Kosova të mbikëqyrej nga forcat e NATO-s, që i njëjti projekt më vonë do të paraqitet në Rambuje vetëm me pak ndryshime.

Masakra e Reçakut- vendimi i NATO-s për luftë

Më 15 janar 1999, bëhet masakra në Reçak, që indinjon të gjitha shtetet perëndimore dhe vendosin që një herë e përgjithmonë t’i jepet fund luftës dhe Kosova të ketë zgjidhje politike. Menjëherë pas kësaj masakre, Zhak Shiraku udhëton për në Londër dhe takohet më Toni Blerin, me ç’rast dy liderët pajtohen dhe vendosin për intervenim ushtarak në Serbi e që gjer më tani ende kishin shpresa që kriza të zgjidhej pa i prishur kufijtë.

Masakra e Reçakut,  që në Kosovë nuk i japin rëndësi dhe nuk e shënojnë si datë historike, është momenti vendimtar që e ka aktivizuar diplomacinë perëndimore,  e që Serbia të largohet ushtarakisht nga territori i Kosovës. Masakra e Reçakut është pika kulminante, e jo gryka të ndryshme, fusha që kanë marrë hove në Kosovën e çliruar si epopeja e filan grykës, e filan qafës,  e filan gurit dhe për të cilat përpiqen t’i paraqesin si vendimtare në çlirimin e Kosovës. Masakra e Reçakut është vendimi i Fuqive të shteteve Perëndimore  që Milosheviqit t’i thuhet Stop.

Masakra e Reçakut duhet të ketë tretman të veçantë dhe të gjithë ata që ranë atë ditë duhet të kenë një përmendore të përbashkët në qendër të Prishtinës. Maskara e Reçakut ishte vendimi i ultimatumit që iu dërgua Milosheviqit nga i cili kërkuan që patjetër të vinte në tryezën e bisedimeve, e nëse nuk do të vinte pala serbe Perëndimi i deklaroi luftë ushtarake Serbisë. Historianët e ardhshëm nëse bëjnë kërkime shkencore një ditë do të vijnë të këto dokumente dhe kjo masakër do të trajtohet ndryshe siç trajtohet sot. Mos të harrojmë edhe masakrat e tjera janë të dhembshme, por kjo e ka vënë në lëvizje makinerinë luftarake dhe tërë diplomacinë botërore.

Kushtet për një intervenim të forcave verio-atlantikut kundër Serbisë ishin pjekur. Fillimisht ishte e domosdoshme që problemi të zgjidhej në mënyrë paqësor, nëse pala serbe do pajtohej me kushtet e shteteve anëtare të NATO-s. Marrëveshja e Rambujesë ishte projektuar. Pala shqiptare kishte bërë seleksionim e atyre që do e përfaqësonin Kosovën në Rambuje. Në listën e parë bënte pjesë edhe Bardhyl Mahmuti. Pak orë apo ditë më vonë, Bardhyli më mori në telefon, për të më treguar se emri tij ishte hequr. Mundësia që Bardhyli të ishte pjesë e Konferencës ekzistonte, por të ftoheshe nga pala perëndimore e jo nga pala me të cilët kishe bërë çmos për çlirimin e Kosovës, nuk do shihej mirë nga të huajt. Bardhyl Mahmuti që kishte punuar për çlirimin  Kosovës nuk mund të ishte pjesë e negociatave?!  Absurde!

Dështimi i Marrëveshjes në Rambuje

Nga ekipi i Brukselit, në Rambuje shkuam: Mujë Rugova, Anne Mari-Lizin, Afrim Gjonbalaj Ekrem Krasniqi dhe unë. Ekremi kishte shkuar më herët se ne. Në Hotelin “Sofitel” u vendosim nën përkujdesjen e Ibrahim Kelmendit e në Kështjellë zhvilloheshin bisedime.

Duhet theksuar për lexuesit se ne nuk ishim pjesë e negociatorëve, mirëpo shkuam për të qenë më afër ngjarjes historike, ku do debatohej për fatin e Kosovës, dhe natyrisht shkuam për të pasur mundësi që për çdo rast të ofronim ndihmën tonë. Gjersa mbahej Konferenca, Annee Mari Lizin telefononte personaliteteve të larta franceze dhe një ditë kur shihej se negociatat do të dështonin, një personalitet kërkoi që ta thërrisnim Demaçin, që të përpiqeshim t’i tregonim se nënshkrimi i palës sonë ishte i domosdoshëm. Në ato momente e thirra Bacën në telefon dhe më tha se ishte në Slloveni. I fola për rëndësinë, mirëpo Baca ishte i vendosur për mosnënshkrim. Ishte e kotë të humbnim më shumë kohë për ta bindur për një gjë që ishte i vendosur se nënshkrimi ishte disfatë.

Marrëveshja e Rambujesë kishte dhjetë principe kryesore: ndalimi i menjëhershëm i luftimeve dhe respektimi i armëpushimit; zgjidhje pacifike e krizës përmes dialogut të dy palëve kundërshtare, faza  e tranzicionit për afat trevjeçar,  në pritje të formimit të kushteve për një zgjidhje definitive; ndalimi i ndërrimit të statutit të përkohshëm të Kosovës, respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve, e veçmas respektimin e përdorimit të gjuhës së tyre, religjionit, dhe arsimit; mosndryshimin e kufijve të Jugosllavisë dhe shteteve fqinjë e posaçërisht të Maqedonisë; organizimin e zgjedhjeve të lira nën përkujdesjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, mosburgosja e atyre që kanë luftuar, por jo e atyre që kanë bërë krime të luftës dhe kundër njerëzimit; lirimin e të gjithë të burgosurve politikë; pjesëmarrje në takimet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi i dy palëve për aplikimin e vendimeve të kësaj marrëveshje për t’i dhënë fund krizës në Kosovë. 

Ende sot marrëveshja e Rambujesë komentohet dhe ka pro dhe kundra. Një gjë ishte e sigurt se çdo gjë ishte përgatitur që forcat e NATO-s ta kontrollonin Kosovën deshi apo nuk deshi Serbia. Zbarkimi i forcave të NATO-s ishte një dhuratë nga qielli që po u vinte në ndihmë shqiptarëve e shqiptarët ende e komentojnë. Ende disa e quajnë NATO-n si okupues, sepse për të tillët Serbia ishte çliruese.

MST/ Kundërshtimet e palës shqiptare

Për Grupin e kontaktit këto dhjetë pika ishin të panegocueshme, të cilat pala jugosllave i pranoi, por pala shqiptare kishte shprehur rezervë. Pala shqiptare kishte shprehur moskënaqësi me pikën ku thuhej se vetëm pas tri viteve duhet mbajtur zgjedhjet e lira dhe të definohej statuti përfundimtar i Kosovës. Delegacioni kosovar ka kërkuar që t’i vihej pikë çështjes së statutit menjëherë e jo të pritej edhe tri vjet të tjera që të përfundojë faza e tranzicionit.

Më vonë anëtarëve të delegacionit u vihet në dispozicion një tekst tjetër definitiv, të cilin tekst një pjesë e palës shqiptare në delegacion e pranojnë pa hezitim, ndërsa krahu i luftës në krye më Hashim Thaçin nuk dëshirojnë të nënshkruajnë një marrëveshje ku nuk sqarohej pozicioni i ardhshëm i pavarësisë së Kosovës. Krahu i luftës kishte shprehur rezerva rreth fazës së tranzicionit trevjeçar dhe kishte kërkuar menjëherë të pranohej pavarësia e Kosovës.

Refuzimi i Adem Demaçit ishte i arsyeshëm, sepse ai nuk ka pasur njohuri të sakta se çfarë strategjie kishte përgatitur SHBA-ja. Demaçi ka besuar vetëm në letrat zyrtare e në fakt në bazë të marrëveshjes zyrtare ka pasur hapësirë të mjaftueshme për të dyshuar. Adem Demaçi tërë jetën e tij është ngopur me premtime boshe e asnjë pa u realizuar, andaj ka shprehur rezervë edhe në këtë marrëveshje duke menduar se kjo është vetëm një lojë mashtruese siç ishin të mëparshmet për arsim etj. Gjatë bisedës telefonike që zhvilloja më Bacën kur i thosha se do të bombardohet Serbia , ai qeshte duke shtuar “Ishalla, ishalla bëhet ashtu siç po thua ti”. Pra, Adem Demaçi është frikësuar nga premtimet nga kushdo që vinin.

Propozimi i palës serbe- Kosova Protektoriat ndërkombëtar

Pala negociuese serbe i kishte pranuar të gjitha pikat që i kishte projektuar Hilli, por kishte shprehur rezervë rreth prezencës ushtarake  NATO-së. Që të arrihej një marrëveshje presidenti i Serbisë Millan Millutinoviqi kishte propozuar që në Kosovë të ishte prezent prania internacionale, si: Rusinë, Greqinë dhe shtete të tjera komanda e të cilës ushtri do të komandohej nga NATO-ja, dhe nënkuptonte se Komandanti i NATO-së ishte i varur direkt nga Presidenti në SHBA dhe Kosova të shndërrohej në protektoriat ndërkombëtar.

Propozimi i Milutinoviqit ishte strategjik për ruajtjen e okupimit të Kosovës, dhe u pranua edhe nga disa individë të palës shqiptare, por këtë propozim e pritën me gjakftohtësi diplomacia perëndimore pa asnjë përgjigje.

Transformimi i Kosovës në një protektorat ndërkombëtar nuk kishte figuruar kurrë  në planin e amerikanëve as evropianëve. Që nga 1981 Perëndimi kishte besim në palën shqiptare dhe nuk kishte asnjë rezervë se propozimet e amerikanëve shqiptarët do t’i nënshkruanin, ndërsa mosnënshkrimi i palës serbe ishte arsyetim ultimatumit për një sulm kundër caqeve ushtarako-policore serbe.

Dështimi në Rambuje shkas për tërheqjen e Demaçit

Mosarritja e nënshkrimit të marrëveshjes nga pala shqiptare, kishte nervozuar amerikanët, dhe menjëherë në Rambuje vjen Madeleine Albright, e cila i largon të gjithë diplomatët evropianë dhe vetë e merr përsipër ta bindë palën shqiptare pa nënshkrimin e të cilëve NATO nuk mund të bombardonte Jugosllavinë e mbetur. Pavarësisht angazhimit të zonjës Albright, marrëveshja e Rambujesë nuk nënshkruhet e konferenca pezullohet.

Me pezullimin e konferencës së Rambujesë, Shërbimi Sekret amerikan menjëherë i shpeshton kontaktet me liderët e UÇK-së duke filluar me njerëzit e shërbimit sekret që kishte në shtetin e  Shqipërisë. Një  udhëtim diskret për në Shqipëri e bën senatori amerikan Robert Dole, pastaj gjysmë të hapur organizohet takimi tjetër në Uashington ku marrin pjesë një delegacion i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së. Për ta bindur palën shqiptare e sidomos krahun e luftës, amerikanët kërkojnë që në takimin e Uashingtonit të mos shkonte Adem Demaçi, por politikisht krahun e luftës tani në Uashington do e përfaqësonte Hashim Thaçi, i cili edhe do ta formonte qeverinë e përkohshme.

Në takimin e Uashingtonit, me amerikanët është arritur një marrëveshje ku amerikanët e morën përsipër: zgjedhjet e lira të mbahen sa më parë që do bëhej e mundur, në mënyrë që shqiptarët të merrnin qeverinë, luftëtarët të mos i dorëzonin armët e tyre më të cilat kanë luftuar, sepse konsideroheshin si personale; prezenca e NATO-s ishte garanci që Serbia nuk mund të kthente ushtrinë e tyre kurrë më në Kosovë; pas tri viteve Kosova mund të shpallej e pavarur nëse krijohen kushtet regjionale dhe ato internacionale.

Amerikanët fshehën tekstin e marrëveshjes definitive

Pas këtyre premtimeve amerikane, në Paris në rrugën Kléber,  u nënshkrua marrëveshja e Rambujesë, e cila ishte ndërprerë përkohësisht. Grupi i kontaktit në të cilin bënte pjesë edhe Rusia, nuk ishin në njohuri me tekstin definitiv të marrëveshjes. Amerikanët kishin fshehur nga rusët tekstin origjinal të marrëveshjes të cilin ua dorëzuan vetëm ditën e fundit, ku palët duhet të nënshkruanin tekstin që e kishin lexuar me dhjetëra herë pa e ditur se po e nënshkruanin një tekst tjetër. Ishte bërë një presion psikologjik mbi rusët duke i lodhur gjithnjë me të njëjtat nene, të njëjtit paragrafë, të njëjtin tekst, të njëjtën ngjyrë të letrave, të njëjtat biseda... andaj ditën e fundit duke menduar se ishte i njëjti tekst ata e nënshkruajnë duke mos ditur se NATO-s ia dhanë me dëshirë dhe me nënshkrim të tyre autorizimin të vepronin në Kosovë. Në tekst ishin ndryshuar dhe modifikuar pikat: 2, 5 dhe 7. Në të cilat pika thuhej se prezenca e NATO-s do të jetë përgjithmonë në Kosovë. Pika 2 kishte të bënte mbi kontrollin funksionimit të policisë dhe drejtësisë nga OSB. Pika e 5 shkruante për aplikimin imediat ushtarak për të respektuar marrëveshjen. Pika e 7 trajtonte atë se në rast të çdo ankesë nga dy palët shqiptarët e serbët, duhet të kërkojnë ndihmë nga  NATO dhe vetëm nga NATO e nga askush tjetër. Dera zyrtare për bombardimin e Serbisë u hap.