Ku është reagimi ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e SHBA-së?

Ku është reagimi ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e SHBA-së?
  • 14 January 2017 - 12:27

Shkruan: Paul Waldman

Duhet të krijohet një komision dypartiakësh për hetim, ashtu siç ndodhi pas sulmeve të 11 shtatorit.

Tani e dimë: Rusia është munduar që Donald Trump të zgjidhet president dhe dy partitë kanë reaguar krejtësisht ndryshe ndaj këtij fakti. Ne veçse e kemi ditur që Komiteti Nacional i Partisë Demokratike ishte hakuar, siç ishin hakuar edhe emailet e John Podesta-s, drejtorit të kampanjës së Hillary Clinton-it. Ne gjithashtu e kemi ditur që zyrtarët e inteligjencës dhe analistët e pavarur të kibernetikës besonin që hakimi kishte ardhur nga Rusia. Mirëpo, të premten, "Washington Post"-i ka raportuar që komuniteti i inteligjencës ka ardhur në përfundim që Rusia ka qenë prapa këtyre sulmeve kibernetike, jo vetëm për të shkaktuar destabilizim dhe kaos, mirëpo për ta zgjedhur Trump-in president. 'Washington Post'-i gjithashtu ka treguar për një takim të jashtëzakonshëm në Kapitol Hill në mes të muajit shtator, kur drejtori i FBI-së, James Comey, sekretari i sigurisë së brendshme, Jeh Johnson dhe zyrtarë të tjerë ishin takuar me lidershipin e të dy partive. Ata e kishin shtruar rrugën që të dy partitë të dërgonin një paralajmërim për Rusinë që veprimet e tilla nuk do të tolerohen. 

A gaboi FBI-ja me hetimet ndaj Clinton-it?

Mirëpo, lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell, i kishte dhënë fund kësaj. "McConnell kishte ngritur dyshime sa i përket inteligjencës dhe e ka bërë të qartë që do t'i merrte parasysh përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për t'i sfiduar rusët publikisht në një akt të politikës partizane", ka raportuar 'Washington Post'-i, duke cituar një sërë zyrtarësh. Andaj Shtëpia e Bardhë ishte tërhequr, qartazi për ta shmangur krijimin e përshtypjes që po i ndihmonte kampanjës së Clinton-it. Tani, kur shkojmë para për një muaj, vërejmë që nëntë ditë para zgjedhjeve, Comey ka bërë diçka të paprecedent: Ai ka bërë të ditur që FBI-ja po hetonte emailet e ndërlidhura me Hillary Clinton-in, që ishin gjetur në një kompjuter që i takonte Anthony Weiner-it, ish bashkëshortit të ndihmëses së Clinton-it, Huma Abedin. Kjo ka qenë një shkelje e qartë e politikave të FBI-së, që dikton se zyra nuk duhet të bëjë komente publike sa i përket hetimeve që janë duke vijuar, veçanërisht jo kur janë afër zgjedhjet. Lajmi kishte marrë dhenë, duke dominuar kryetitujt e gazetave dhe debateve televizive për ditë me radhë, duke sforcuar kështu mesazhin që mëtonte ta përçonte Trump-i sa i përket Clinton-it. Nëse Comey ka pasur për qëllim shkatërrimin e kandidaturës së Clinton-it, ai nuk do të mund ta kishte gjetur ndonjë mënyrë më të mirë. Atëherë, ta rishikojmë: Fakti që ka pasur emaile, të cilat kanë mundur të kenë lidhje me Clinton-in, është dashur të analizohen deri në detaje. Mirëpo, fakti që njëri nga kundërshtarët më të mëdhenj të Amerikës po spiunonte dhe po mundohej t'i dërgonte zgjedhjet presidenciale në favor të një kandidati? Qeveria është dashur të ndërhyjë. 

Trump-i mundohej ta largonte vëmendjen nga Rusia

Nuk është se përzierja e Rusisë ka qenë shumë e paqartë deri më tani, unë personalisht kam shkruar një artikull në korrik, duke pyetur pse Rusia po përzihet dhe pse kjo gjë nuk po ngjall debatin aq shumë të nevojshëm. Mirëpo, një reagim i përbashkët i legjislativit dhe ekzekutivit do të çonte pikërisht në kryetituj të tillë dhe si rrjedhojë do të nxitej edhe debati në lidhje me atë se çka është duke ndodhur dhe masat që do të duhej të ndërmerreshin për ndalimin e tij. Mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur. Të ballafaquar me një sulm të dhunshëm të një fuqie të jashtme kundër institucioneve më kritike në vendin tonë, republikanët patën vendosur që hakimi i Rusisë ishte në rregull, përderisa ishte kundër demokratëve - në fakt, në kohën kur "Wikileaks", në mënyrë shumë strategjike, publikonte emailet e hakuara, me qëllim për të pasur ndikim maksimal politik, republikanët festonin. Trump-i mundohej ta largonte vëmendjen nga Rusia. Gjatë njërit prej debateve me Clinton-in, ai ka thënë: "E vërej që sa herë që ndodhë diçka e keqe, ata dëshirojnë të thonë se rusët janë të përfshirë dhe Clinton-i nuk e di nëse janë rusët ata që po i bëjnë këto hakime. Ndoshta nuk ka hakim fare". Kjo ka ndodhur pasi që Trump-i është lajmëruar nga zyrtarët e inteligjencës, të cilët ia kishin shpjeguar punën e hakimit dhe për provat që Rusia ishte prapa këtyre veprimeve. Le ta kujtojmë edhe momentin kur Trump-i u ka bërë thirrje publike rusëve që t'ia hakojnë emailet kundërshtares së tij, me shpresën që do të mund të gjenin diçka të turpshme. 

Heshtja e demokratëve dhe republikanëve

Demokratët, në anën tjetër, përfshirë këtu edhe Barack Obama-n, nuk e kanë pasur kurajën për t'u ballafaquar me ta. Ne e mendojmë demokracinë amerikane si më të qëndrueshmen dhe më të sigurtën në botë. Mirëpo, ky stabilitet dhe kjo siguri nuk vijnë nga dizajnimi i sistemit, mirëpo nga integriteti i njerëzve përbrenda saj. Këto detaje, që kanë ardhur shumë vonë, na tregojnë që integriteti ka qenë në nivel të ultë. Është e qartë që republikanët, të cilët e kontrollojnë Kongresin, nuk kanë mundur ta bëjnë asnjë hetim real, pasi që kjo gjë do të mund ta privonte kandidatin e tyre nga fitorja në zgjedhje. Andaj, nëse asgjë tjetër, duhet të krijohet një komision dypartiakësh, sikur ai që ishte krijuar pas sulmeve të 11 shtatorit, me resurset e nevojshme për ta kuptuar se çka ka ndodhur dhe me pavarësinë e nevojshme për të folur drejt në lidhje me gjetjet që bëhen. Kjo gjë nuk do ta zhbëjë dëmin e shkaktuar, mirëpo të paktën mund ta parandalojë ndonjë tjetër.

(Paul Waldman është autor i kamotshëm në "The American Prospect", një revistë e krahut të majtë dhe bloger në "The Washington Post") 

(Kosova Sot)