Kush e ndali trenin!?

Kush e ndali trenin!?
  • 16 January 2017 - 08:01

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Java që e lamë pas përfundoi me provokimet luftënxitëse të Serbisë, e të cilat nuk do të ndalen me trenin e "zi", të ilustruar me fotografi dhe shkronja nacionaliste. Treni i nisur me pompoziteti dhe shfrenim nacional-shovinist dhe ikonografi tradicionale serbe, të cilat i kishte përzgjedhur Qeveria e Serbisë me "promovimin" e të ashtuquajturit " trenit rus" dhe linjës hekurudhore nga Beogradi për në qytetin e Mitrovicës, ishte eksperiment dhe veprim i radhës i Qeverisë së Beogradit në suazat e luftës speciale serbe kundër Kosovës. Provokimet serioze të Serbisë nisën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar me ndërtimin e murit ndarës në veri të Mitrovicës, për të vazhduar me ndalesën e Ramush Haradinajt në fillim të janarit në Francë me urdhër të një fletarrestimi serb e deri të treni i "zi", që për qëllim kishte destabilizimin e rajonit me provokimin dhe nxitjen e shqiptarëve për trazira të paparashikuara. Nga tri provokimet e Serbisë, dy prej tyre u çmontuan falë trysnisë ndërkombëtare, në veçanti SHBA-së, përderisa muri ende mbetet në të njëjtat nivele të një muaji më parë. 

Nuk ishte Qeveria e Kosovës ajo që e ndaloi trenin provokues serb

Si zakonisht, pas përfundimit të betejës, në sipërfaqe dalin rrahagjoksët për marrjen e meritave për fitoren e ndaljes së trenit. Sikurse Qeveria serbe, që e përdori trenin për konsum të brendshëm politik, ashtu edhe Qeveria e Kosovës e bëri të njëjtën gjë. Pas ndaljes së trenit nga lart (SHBA-ja), Qeveria e Kosovës dërgoi forca të mëdha policore në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, gjoja për të treguar forcën e saj,...krerët e lartë shtetëror ngrinin zërin sikurse gjeli në pleh për diçka që absolutisht nuk është meritë e tyre. Nuk është hera e parë që Hashim Thaçi tenton të marrë meritat e të tjerëve për gjërat pozitive në Kosovë, siç ndodhi me ndaljen e trenit! Kjo, përveçse një tendencë për përmirësimin e rrënuar të imazhit të tij, Hashim Thaçi hapur e injoroi partnerin e koalicionit, më konkretisht kryeministrin e vendit zotin Isa Mustafa për vendimin e Qeverisë për "ndaljen" e trenit, ashtu siç e kishte anashkaluar presidentin e atëhershëm, Fatmir Sejdiu, me rastin e shpalljes së Pavarësisë. Disa nga kanalet televizive të Kosovës dhe analistët e afërt me Thaçin thanë se presidenti ishte ai që e ndalojë trenin, duke e paraqitur atë si njeriun më të fortë të Kosovës, me qëllim të gjetjes së pretekstit që Kosova nesër të shkojë drejt një republike presidenciale! Në fakt, si shpallja e pavarësisë së 2008-s, ashtu edhe ndalja e trenit provokues serb ishte meritë e bashkësisë ndërkombëtare. Sikur të kishin forcën e ndalimit qeveritarët tanë, me të nisur treni do t'i bënin të qartë Serbisë dhe mbarë opinionit publik se treni nuk do të hyjë në Kosovë. Vakumi i një "vendimi" të tillë bëri që shqiptarët brenda një dite, nga të urryerit e Qeverisë të shndërrohen në lavdëruesit e saj... Argumenti shtesë që e vërteton faktin se nuk ishte Qeveria e Kosovës ajo që e ndaloi trenin provokues serb është muri ndarës në veri të Mitrovicës dhe përmendorja e Car Lazarit, si pararojë e atij muri famëkeq.

Politika me Vuçiqin, Nikoliqin e Daçiqin, nuk dallon aspak nga politika luftënxitëse e Milosheviqit

Treni provokues i Serbisë le të na shërbejë kambanë për ndërgjegjësim dhe vetëdijesim kombëtar,...shtron nevojën e unifikimit te faktorit politik shqiptar kundrejt provokimeve të koordinuara të ish-pushtuesve veriorë dhe tejkalim të ndasive dhe mosmarrëveshjeve brendashqiptare. Me trenin provokues Serbia na tregoi edhe një herë se nuk ka hequr dorë nga planet e saj hegjemoniste ndaj Kosovës dhe se është burim i përhershëm i konflikteve në Ballkan. Rasti i trenit provokues "ruso-serb" tregoi se politika aktuale serbe me Vuçiqin, Nikoliqin e Daçiqin nuk dallon aspak nga politika luftënxitëse e Milosheviqit e viteve të '90-ta. Reagimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të përgjegjësive kushtetuese ishte një veprim i domosdoshëm institucional. Në situata të tilla liderët e kanë obligim të jenë shumë më të matur në konstatimet dhe reagimet e tyre,...duke paragjykuar situatën dolën joseriozë para opinionit publik dhe qytetarëve të vendit. Derisa treni po qarkullonte ende në territorin serb, deklaratat e disa liderëve partiakë ishin paragjykuese, të ngutshme dhe aspak produktive. Opozita duhet ta luajë rolin konstruktiv dhe korrigjues ndaj çdo veprimi ose mosveprimi të Qeverisë. Në situata të tilla, të gjithë e kemi për obligim të jemi shumë më të matur në konstatimet dhe reagimet tona. Rendësi ka që treni provokues "rusoserb" nuk hyri në tokën e Kosovës, pak rendësi ka kush e ndali, a e "ndali" Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Skënder Hyseni apo Shpend Maxhuni.... Më i rëndësishëm se gjithçka tjetër është koordinimi i veprimeve të institucioneve tona me SHBA-në, garantuesin e lirisë së shtetit tonë. Trenin nuk e ndalem ne, atë e ktheu prapa Amerika, sikurse që zotin Ramush Haradinaj nuk e ekstradoi Franca në Serbi falë ndërhyrjes së SHBA-së. Thank You USA. Atyre që e rrëzojnë murin në veri me plot të drejtë rapsodi popullor do t'ua këndojë këngën "Kush e rrëzoi murin dhe Kosovë e bëri...." 

(Kosova Sot)