Mos të vazhdohen bisedimet me palën serbe

Mos të vazhdohen bisedimet me palën serbe
  • 17 January 2017 - 08:11

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Se bisedimet me Serbinë nuk kanë kuptim e tregoi ngjarja e fundit e kthimit mbrapa të trenit serb në veri të Mitrovicës. Veriu nuk funksionoi deri tash si tërësi territoriale, nuk po funksionon as si tërësi politike. Beogradi zyrtar në vend të bisedimeve për çështje teknike dhe të mirëqenies të minoritetit serb në Kosovë, imponoi bisedime të natyrës politike, të cilat i pranoi lehtë pala e Kosovës, me aminin edhe të strukturës së BE-së, nën mbikëqyrjen e së cilës po zhvillohen këto bisedime. Koha gjithnjë është duke e treguar se bisedimet ishin më shumë në dëm sesa në të mirë të Kosovës. Këto bisedime për normalizim të marrëdhënieve siç po thuhet, janë futur në qorrsokak. Serbia kurrë nuk iu ka përmbajtur marrëveshjeve. Serbët në vend të rrugës së mirëkuptimit zgjodhën rrugën e opstrukcioneve të vazhdueshme politike karshi Kosovës. 

Ngjallen apetitet serbomëdha në Ballkan

Në njërën anë zhvilloheshin bisedimet, kurse paralelisht me to nuk ndaleshin aktet e dhunës të strukturave paralele kriminale serbe. Barrikadat në lumin Ibër që 17 vjet nuk u hoqën veç sa e ndërruan pamjen e tyre. "Rojat e urës" për shumë vjet jo vetëm që e bënë të pamundur lëvizjen e lirë, por shpesh ata edhe rrahën dhe maltretuan shqiptarët, madje edhe ndërkombëtarët. Edhe shumë akte të dhunës deri në vrasje pamë gjatë këtyre viteve në veri nga ekstremistet serbë. Fill pas luftës e kam potencuar rrezikun e enklavizimit të Kosovës. Me Asociacionin e Komunave Serbe të formës etnike minoritetit serb po i mundësohet herët a vonë ndarja. Dihet se serbët edhe luftën përmes kriminelit Milosheviq e zhvilluan për Serbi të Madhe. Vetë fakti së Milorad Dodik, udhëheqësi i serbëve në BH, para do kohe shpalli referendumin për shkëputje nga kjo republikë, ngjalli edhe më shumë apetitet serbomëdha në Ballkan. Nëse Serbia nuk arriti me luftë ta formojë Serbinë e Madhe, nuk hoqi dorë nga ky koncept shovinist politik as në kushtet e paqes. Nuk hoqi dorë sepse Serbia nuk u dënua për gjenocid nga TPI-ja, edhe pse Gjykata e Hagës pati një mori faktesh së forcat militare dhe paramilitare të Milosheviqit kanë kryer gjenocid në Bosnjë dhe në Kosovë. Gjithë ato vrasje dhe masakra në këto dy shtete nuk ishin gjë tjetër vetëm se akte të spastrimit etnik dhe shfarosjes në masë të gjerë. Kur Kroacia dhe Bosnja bënë padi pranë Gjykatës për Krime Lufte në Hagë për gjenocid, Kosova nuk e bëri një punë të tillë. Nuk bëri padi as për dëmet e luftës, nuk kërkoi deri më tash as ndarjen e pasurisë dhe kthimin e pasurisë së grabitur nga Serbia. Elitat tona të pushteteve të pasluftës u treguan të dobëta, sepse ishin më shumë lakmitare për pushtet e më pak për shtetndërtim dhe mirëqenie. Nuk patën kohë për çështje kapitale të kombit!...

Duan aneksimin e veriut me luftë

Të kthehemi pak te ngjarja e fundit e kthimit të trenit shovinist serb, e cila ngjarje padyshim se lidhet me kronologjinë e deritashme të veprimeve të kriminelëve dhe paramilitarëve serborusë në veri. Shpesh në fjalimet e tij presidenti serb Tomislav Nikoliq, por edhe kryeministri Vuçiq e thanë së Serbia do të mbrojë vendin sipas kushtetutës së saj. Edhe me hartimin e kushtetutës serbe të vitit 2006, Kosova nuk është hequr si pjesë e territorit të Serbisë. Nuk u hoq nga kushtetuta, sepse Serbia gjithnjë është duke i ushqyer apetitet e saj se pavarësia si koncept politik do të bjerë poshtë gjatë bisedimeve me palën e Kosovës ose aneksimit të veriut me lufte. Serbia zyrtare është duke jetuar me ëndrrat e mesjetës duke mos e pranuar realitetin e ri të krijuar të pasluftës. Zaten Kosova me dhunë i është aneksuar ish - Jugosllavisë duke u shkëputur nga trungu i lashtë ilirik. Politika e çetnikizmit serb në pushtet është toleruar gjatë nga strukturat e BE-së, madje kjo politikë joreformiste u faktorizua shumë karshi Kosovës. Kjo është një politikë dritëshkurtër serbe, e cila vetë do t'i kushtojë Serbisë, edhe përkundër tendencës së hapur të kthimit të aleancave të vjetra në Ballkan dhe më gjerë. 

Çështja shqiptare nuk është përmbyllur me pavarësi të Kosovës

Proceset politike në Ballkan nuk ka mundësi të kthehen në formën e viteve të 90-ta, kur edhe filluan luftërat. Shqiptarët, edhe pse me elita politike shumë të dobëta, si popull nuk do të lejojnë për asnjë çmim që sërish të okupohen nga serbët dhe rusët barbarë. Uashingtoni dhe Brukseli, si qendra të vendosjes, kanë investuar shumë për pavarësinë e Kosovës. Ato do të jenë garantë i mirë i funksionimit të shtetit të ri të Kosovës. Çështja shqiptare nuk është përmbyllur me pavarësi të Kosovës, ajo përmbyllet kur të kthehen të gjitha trojet etnike të gllabëruara nga serbosllavët dhe grekët. Në këtë shekull do të nxirren jashtë të gjitha rrënjët e shovenizmave. Edhe afër 75 për qind e serbëve mendojnë së Kosovën e kanë humbur. Elitat serbe, sidomos ato pas vitit 1999, janë këmbëngulëse për ndarje të Kosovës. "Zajednica" dhe Demarkacioni me Mal të Zi, shumë na i kanë komplikuar punët në këtë drejtim. Na i kanë komplikuar se në krye të shtetit është një kastë e papërgjegjshme politike...........................Më gjërësisht mund të lexoni në numrin më të ri të gazetës Kosova Sot