Vlerat e Evropës janë mbrojtja e saj më e mirë

Vlerat e Evropës janë mbrojtja e saj më e mirë
  • 17 January 2017 - 10:43

Shkruan: Donald Tusk

Politika është bërë po aq e paparashikueshme, sa edhe moti në Bruksel

Bazat e solidaritetit evropian mbesin të dobëta dhe sfidat e vërteta ende nuk kanë ardhur. Pa një solidaritet, Evropa nuk do të ketë ndikim në drejtimin e ndryshimeve të ardhshme, duke u bërë kështu viktimë e tyre, në vend se bashkautore

Nëse Evropa dorëzohet para presioneve të jashtme dhe dobësive të brendshme, atëherë sfidat me të cilat ballafaqohet ajo mund ta pengojnë zbulimin e saj kryesor politik: aftësinë unike për demokraci, sundim të ligjit dhe qeverisjes së limituar për garantimin e lirisë njerë- zore. Për këtë shkak evropianët duhet vazhdimisht t'i kundërshtojnë ata që e rrezikojnë unitetin e tyre, qoftë nga brenda, apo nga jashtë. Viti 2016 do të hyjë në historinë evropiane si vit i përpjekjeve për ruajtjen e unitetit politik, sistematik dhe social të BE-së si bashkësi të vendeve, njerëzve dhe vlerave. Ky ishte një vit i pasigurive dhe dështimeve tepër evidente. Por, ishte po ashtu edhe një vit i karakterizuar nga arritjet e mëdha dhe reale. Mbi të gjitha, vota britanike pro Brexit-it, si një dëshpërim të madh, e më pas një konsensusi të ri mbarëevropian për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, bashkë me përmbylljen e Marrëveshjes përfshirëse ekonomike dhe tregtare (CETA) me Kanadanë, gjëra që na bëjnë të jemi optimistë të kujdesshëm. Pjesa më e madhe e problemeve me të cilat është ballafaquar BE-ja tash e ca kohë, nuk janë zgjidhur ende. Kriza e imigrantëve, tensionet me Rusinë rreth Ukrainës dhe rreziqet e tjera të sigurisë së jashtme dhe të brendshme, vazhdojnë që ta sfidojnë unitetin dhe efikasitetin tonë - dhe do të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë edhe gjatë vitit në vijim

Shkarjet tektonike politike

Ajo çka dimë nga viti 2016 është se na presin sfida të mëdha. Në të vërtetë, lloji i ndryshimeve që kanë ndodhur dhe do të ndodhin në të ardhmen, është duke i habitur parashikuesit politikë. Ka kaluar një kohë e gjatë qyshkur realiteti ka bërë një tallje të tillë të pashpirt me ekspertët dhe parashikuesit e anketave, qoftë edhe në parashikimet afatshkurtra të zgjedhjeve, apo referendumeve. Politika është bërë po aq e paparashikueshme, sa edhe moti në Bruksel. Dhe, sikur edhe te parashikuesit e motit, parashikimet e vetme që dalin të sakta, janë ato të këqijat, pesimistet. Shkarjet tektonike politike që janë duke ndodhur tani nuk janë vetëm dridhje pasuese të krizës financiare të vitit 2008. Burimi dhe esenca e tyre është më e thellë se zemërimi i të rinjve të papunë, apo pakënaqësia me ngecjen e rritjes në mesin e shtresës së mesme evropiane dhe amerikane. Ne të gjithë ndjejmë se këto dridhje mund ta paralajmërojnë një ndryshim më të thellë: përfundimin e epokës, e cila në Evropë do të mund të quhej Epokë e stabilizimit të madh. Kjo është një epokë, e cila zgjati 70 vjet, e mbështetur nga tri shtylla. Shtylla e parë është një rend ndërkombëtar i cili, i përkufizuar nga aftësia e Perëndimit për të imponuar respektim të rregullave dhe marrëveshjeve, e ka mbrojtur Evropën nga konflikti global. Shtylla e dytë është demokracia liberale. Dhe, e treta është prosperiteti relativ në shoqëritë evropiane. Parashikimi i gjerë i ndryshimeve nuk duhet të na frikësojë, e as të na paralizojë. Sikur që historianët e dinë shumë mirë, është stabiliteti, e jo kriza, që zgjatë pak dhe është kalimtar. Dhe, sikur që është përtej fuqisë tonë që t'i parandalojmë krizat, po ashtu nuk është në interesin tonë që ta ruajmë status-quonë, meqë stabilizimi, herët apo vonë, hyn në një fazë të ngecjes, kur pritjet për ndryshime bëhen universale. Kjo nuk çon domosdo kah katastrofa. Por, mundet. Çdo gjë varet nga aftësia jonë kolektive për t'i kaluar 'stuhitë detare'. Parakushti i parë është ruajtja e unitetit themelor të BE-së. Këtë do ta përsëris si papagall: një BE e thyer përbrenda nuk do të jetë e aftë që të jetë në nivel të sfidave, me të cilat do të ballafaqohet, sikur që nuk do të jenë as vendet e saj anëtare, të vogla, apo të mëdha. 

Është kultura dhe liria vendi ku do ta rizbulojmë esencën e Evropës

Bazat e solidaritetit evropian mbesin të dobëta dhe sfidat e vërteta ende nuk kanë ardhur. Pa një solidaritet, Evropa nuk do të ketë ndikim në drejtimin e ndryshimeve të ardhshme, duke u bërë kështu viktimë e tyre, në vend se bashkautore. Me qëllim të evitimit të këtij skenari të zi, ne duhet edhe një herë që të shohim se çka na lidhë, çka kemi të përbashkët, çka jemi të gatshëm që ta mbrojmë me përkushtim të plotë, të barabartë me përkushtimin e manifestuar nga kundërshtarët tanë. Ne duhet edhe një herë që ta definojmë territorin tonë, jo gjeografikisht, por në aspektin civilizues, kulturor dhe ndoshta edhe simbolik. Ajo që jemi duke parë sot janë njerëzit, popujt dhe shtetet që janë duke rizbuluar fuqinë e mitit dhe thjeshtësimit. Kjo mund ta lejë nën hije një politikë, e cila është më brutale - më e afërt me natyrën, sesa me kulturën. Gjëja më me rëndësi do të jetë dallimi midis asaj që është e cekët dhe e parëndësishme në traditën evropiane dhe të asaj që është e qëndrueshme, e vlefshme dhe unike - atë që historiani Jacob Burckhardt e quante liri të shpirtit. Është kultura dhe liria vendi ku do ta rizbulojmë esencën e Evropës. Në politikë, kjo nënkupton se duhet të jemi të përgatitur për ndryshime, me kusht që ato të mos e kufizojnë lirinë, si vlerë esenciale. Para se ta rishqyrtojmë strukturën e BE-së, para se të fillojmë me zgjidhjen e dilemave fundamentale rreth shkallës së integrimit, ne duhet që të gjithë që të pajtohemi se duam ta bartim idealin e Evropës si një kontinent të lirisë, nga e kaluara, në të ardhmen. Bota e sotme është plot me barbarë, për të cilët liria dhe kultura, sikur që ne i kuptojmë ato, janë bërë caqe të sulmeve. Evropianët do të jenë në gjendje që t'i tejkalojnë sfidat e tyre aktuale vetëm kur të pajtohen se nuk do të bëjnë kompromis në këtë ballafaqim. Simptomat e barbarisë janë përreth nesh, në mesin tonë dhe brenda nesh. Nëse dorëzohemi para presioneve të jashtme dhe dobësive të brendshme, atëherë ndryshimet e ardhshme mund ta pengojnë realizimin më të rëndësishëm politik të Evropës: se së bashku dhe vetëm së bashku, sundimi i shumicës, sundimi i ligjit dhe qeverisja e kufizuar mund të garantojnë liritë dhe të drejtat njerëzore. Për këtë shkak duhet të kundërshtojmë me guxim ata që na e rrezikojnë lirinë, qofshin brenda, apo jashtë.

(Donald Tusk është president i Këshillit të Evropës)

(Kosova Sot)