Pesë prioritetet udhëheqëse për vitin 2017

Pesë prioritetet udhëheqëse për vitin 2017
  • 18 January 2017 - 10:38

Shkruan: Klaus Schwab

Globalizimi e ka bërë botën më të vogël, por më komplekse

Viti në vijim do të jetë një test kritik për të gjithë pjesëmarrësit e shoqërisë globale. Më shumë se kurrë, do të kemi nevojë për një udhëheqje të përgjegjshme dhe reaguese, për t'i adresuar sfidat tona kolektive dhe për ta kthyer besimin e njerëzve te institucionet dhe te njëri-tjetri S ikur që ka demonstruar viti i kaluar, liderët duhet të përgjigjen ndaj kërkesave të njerëzve, të cilët edhe i kanë zgjedhur ata për t'i udhëhequr, derisa duhet ta ofrojnë edhe një vizion dhe rrugë për të shkuar përpara. Derisa liderët në qeveri, biznes dhe shoqëri civile bëjnë planet për vitin e ri, vëmendjes së tyre nuk do t'iu ikin pesë sfida kryesore. Lidershipi i vërtetë në një botë komplekse, të pasigurt dhe anksioze kërkon nga liderët që të navigojnë si me sistemin e radarit, po ashtu edhe me një kompas. Ata duhet të regjistrojnë sinjalet që vazhdimisht vijnë nga një botë në ndryshim e sipër dhe ata duhet të jenë të gatshëm që të bëjnë përshtatjet e nevojshme. Por, ata kurrë nuk duhet të devijojnë nga veriu i tyre i vërtetë, i cili, thënë shkarazi, është një vizion i fortë, i bazuar në vlerat autentike. Për këtë shkak Forumi Ekonomik Botëror e ka bërë udhëheqjen reaguese dhe të përgjegjshme si temë të takimit tonë vjetor në Davos. Derisa liderët në qeveri, biznes dhe shoqëri civile bëjnë planet për vitin e ri, vëmendjes së tyre nuk do t'iu ikin pesë sfida kryesore.

Revolucioni i katërt industrial

Fillestarët do të duhet që të përballen me Revolucionin e katërt industrial, i cili është duke ridefinuar tërë industritë dhe duke krijuar industri të reja nga gërmadhat, falë përparimeve në inteligjencën artificiale, robotikë, në "Internet of Things", makinat vetëlëvizëse, printerët 3D, nanoteknologjinë, bioteknologjinë dhe kompjuterizmin kuantik. Këto teknologji vetëm sa kanë filluar ta tregojnë potencialin e tyre të plotë, në vitin 2017, gjithnjë e më shumë do të shohim duke u bërë realitet, ajo që dikur ishte vetëm fantazi shkencore. Por, derisa Revolucioni i katërt industrial mund të na ndihmojë në zgjedhjen e disa prej problemeve tona më urgjente, ai po ashtu është duke i ndarë shoqëritë në ato që i përqafojnë ndryshimet dhe ato që nuk i përqafojnë ato. Dhe, kjo e rrezikon mirëqenien tonë në atë mënyrë që duhet identifikuar dhe adresuar. Së dyti, liderët duhet ta ndërtojnë një sistem dinamik, përfshirës të qeverisjes globale. Sfidat e sotme ekonomike, teknologjike, ambientale dhe sociale mund të adresohen vetëm me anë të një bashkëpunimi publik-privat. Në të njëjtën kohë, ndryshimet gjeopolitike e kanë bërë botën e sotme me të vërtetë multipolare. Derisa lojtarët e rinj globalë sjellin ide të reja, sesi të formësohen sistemet nacionale dhe rendi ndërkombëtar, rendi ekzistues është duke u bërë gjithnjë e më i brishtë. Derisa vendet ndërveprojnë në bazë të interesave të përbashkëta, në vend se në bazë të vlerave të përbashkëta, shkalla deri te e cila ato do të jenë në gjendje që të bashkëpunojnë, do të jetë e kufizuar. Për më tepër, pjesëmarrësit joshtetërorë tani janë të aftë që të pengojnë sistemet nacionale dhe globale, jo vetëm me anë të sulmeve kibernetike. Për ta përballuar këtë rrezik, vendet nuk munden thjesht, të mbyllen në vetvete. Mënyra e vetme që çon përpara, është që të sigurohemi që të gjithë të përfitojmë nga globalizimi. Një sfidë e tretë për liderët do të jetë kthimi i rritjes ekonomike globale. Rritja ekonomike gjithnjë e më e vogël nënkupton uljen e vazhdueshme të standardeve jetësore.

Rritja e shpejtë e popullsisë

Edhe pa papunësinë e sotme, të shkaktuar nga përparimet teknologjike, ekonomia globale do të duhet të krijojë me miliarda vende të punës, për popullsinë gjithnjë më të madhe, e cila parashikohet që, në vitin 2050 të arrijë në 9.7 miliardë, nga 7.4 miliardë, sa jemi sot. Për këtë shkak, viti 2017 do të jetë një vit në të cilin përfshirja sociale dhe papunësia e turinjve do të bëhen çështje akute globale dhe nacionale. Sfida e katërt do të ketë të bëjë me reformimin e kapitalizmit të tregut dhe me rikthimin e marrëveshjes midis bizneseve dhe shoqërisë. Tregjet e lira dhe globalizimi kanë përmirësuar standardin e jetesës dhe kanë nxjerrë njerëzit nga varfëria për dekada. Por, të metat e tyre strukturore kanë shkaktuar trazira politike viteve të fundit, duke theksuar nevojën e iniciativave balancuese ekonomike me mirëqenien shoqërore. Në fund, liderët do të duhet ta adresojnë krizën përfshirëse të formimit të identitetit, e cila ka rezultuar nga shkatërrimi i normave tradicionale përgjatë dy dekadave të fundit. Globalizimi e ka bërë botën më të vogël, por më komplekse dhe shumë njerëz e kanë humbur besimin te institucionet. Shumë njerëz tani kanë frikë për të ardhmen e tyre dhe ata janë në kërkim të besimeve të cilat do t'ua ofrojnë atyre ndjenjën e qëllimit dhe vazhdimësisë. Formimi i identitetit nuk është një proces racional; ai është thellësisht emocional dhe shpesh karakterizohet nga nivele të larta të ankthit, pakënaqësisë dhe zemërimit. Edhe politika drejtohet nga emocionet: liderët marrin vota jo duke adresuar nevojat apo duke paraqitur vizione afatgjata, por duke ofruar një ndjenjë të përkatësisë, nostalgjisë për kohët më të thjeshta, apo kthimin te rrënjët kombëtare. Ne kemi qenë dëshmitarë të kësaj gjatë vitit 2016, derisa populistët shënuan fitore duke nxitur besimet reaksionare dhe ekstreme. Liderët e përgjegjshëm, në anën e tyre, duhet të hetojnë frikët e njerëzve dhe zemërimin si ndjenja legjitime, duke ofruar frymëzim dhe plane konstruktive për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. Por, si? Bota sot duket e mbytur në një det të pesimizmit, negativizmit dhe cinizmit. Dhe, përkundër kësaj, ne kemi mundësinë që edhe miliona njerëz të tjerë t'i nxjerrim nga varfëria. Dhe, ne jemi të detyruar që të punojmë së bashku kah një botë më ekologjike, më përfshirëse dhe më paqësore. Se a do të kemi sukses, kjo nuk varet nga disa ngjarje të jashtme, por më shumë nga vendimet që do t'i marrin liderët tanë. Viti në vijim do të jetë një test kritik për të gjithë pjesëmarrësit e shoqërisë globale. Më shumë se kurrë, do të kemi nevojë për një udhëheqje të përgjegjshme dhe reaguese, për t'i adresuar sfidat tona kolektive dhe për ta kthyer besimin e njerëzve te institucionet dhe te njëri tjetri. Por, për ta bërë këtë, ne duhet t'i anashkalojmë interesat tona të ngushta dhe të ndjekim interesat e shoqërisë globale. Ky obligim fillon nga liderët tanë, të cilët duhet të angazhohen në një dialog të hapur dhe në një kërkim të përbashkët për zgjidhjet e pesë sfidave të mëdha që janë në horizont. Nëse ata arrijnë të kuptojnë se komuniteti ynë është global, me një fat të përbashkët, atëherë ata do ta kenë bërë hapin e parë, sado modest, në drejtim të duhur.

(Klaus Schwab është themelues dhe kryesues ekzekutiv i Forumit ekonomik botëror) 

(Kosova Sot)