Populli serb duhet t'i frenojë liderët e vet

Populli serb duhet t'i frenojë liderët e vet
  • 19 January 2017 - 08:07

SHKRUAN: SALIHE SALIHU

Kosova gjithherë ka qenë dhe është e kërcënuar nga pretendimet e Serbisë. Mirëpo, këto pretendime morën fuqinë dhe u dhezën frazat ultranacionaliste e fashiste për të marshuar drejt Kosovës, në një formë më komode me tren, që kishte përplot mbishkrime, që synonin të dëshmonin ëndrrën e tyre për pushtimin e Kosovës. Ky aksion i ndërmarrë nga pushtetarët serbë të Serbisë ishte pjesë e strategjisë së tyre për të arritur tek qëllimi i tyre, kur të krijohej një kohë apo rrethanë e favorshme dhe kur parashihej se do të pasonin kundërshtime të zbehta nga bashkësia ndërkombëtare. Sipas vlerësimeve të tyre, koha e përshtatshme supozohej të ishte pikërisht ndryshimi i sferës gjeopolitike ndërkombëtare. Ndryshimet gjeopolitike ndodhën me zgjedhjen e një presidenti amerikan, që është krejtësisht amator në politikë, por i suksesshëm në biznes. Mirëpo mospërvoja e tij në politikë ka shkaktuar luhatje të besimit në balancimin e qëndrueshmërisë së fuqisë ndërkombëtare. Kjo u bë sidomos pas deklarimeve të presidentit të posazgjedhur, Trump, për një afërsi më miqësore me Rusinë. 

Serbia nuk e ka ndryshuar ende mentalitetin e vet prej okupuesi

Këto deklarime të bëra nga Trump, gjë që siç duket janë kryesisht të inspiruara nga përvoja e tij ekonomike, që me të gjitha palët të jetë miqësor dhe të mos humbë tregun e konsumatorëve, u keqkuptuan dhe u shfrytëzuan nga Serbia. Kjo e fundit me mbështetjen e aleatit të vet, Rusinë, mori kurajë që të provokonte shtetin e Kosovës. Kështu që Kosova u shndërrua si poligon jo vetëm për etjen pretenduese e gllabëruese nga Serbia, por edhe matje e forcave në mes të aleatëve perëndimorë dhe të Rusisë. Kosova e ballafaquar nga ky aksion veproi në një mënyrë shembullore. Në bashkëveprim me miqtë perëndimorë arriti të rezistojë dhe t'i tregojë Serbisë se Kosova ka kufijtë e vet shtetërorë. Ndonëse gjendja e rrezikshmërisë transparente u tejkalua dhe rreziku i lartë është në çdo sekondë, sepse Serbia nuk e ka ndryshuar ende mentalitetin e vet prej okupuesi. Ky mentalitet prej okupatori në kokat e liderëve serbë, të cilët nëpër Bruksel na paraqiten si paqësorë e me dëshirë për integrim e prosperitet, është i dëmshëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë Serbinë.

Populli serb duhet të kapë frenat në duar dhe të nxjerrë udhëheqës të rinj paqësorë

Serbia duhet të reflektojë mbi veprimet e veta, në të kaluarën dhe të marrë mësim nga Gjermania, e cila arriti t'i ndëshkojë liderët e vet dhe botërisht kërkoi falje për holokausin e shkaktuar nga ata. Kjo është formula e vetme për ushqimin e mendjes dhe zhvillimin e frymës paqë- sore, zhvillimin e një shteti me stabilitet dhe për një shtet, ku synohet përforcimi i vlerave demokratike. Prandaj, për një të ardhme që nuk dëmton jetë njerëzish po ngrit përkujdesjen për secilin njeri, që politikat shtetërore mendojnë për të ardhmen e popullit e jo për përfitime afatshkurtra nevojitet që vetë populli serb të bojkotojë dhe të luftojë çdo iniciativë apo tentim për të përhapur frymën e gjakderdhjes, mbjellës së frikës e pasigurisë së përhershme. Këtë mënyrë të jetesës nuk e meriton dhe nuk e dëshiron as një popull. Populli serb duhet t'i sabotojë liderët ultranacionalistë që me veprimet e tyre e kanë turpëruar Serbinë para gjithë botës. Vetëm kamxhiku i popullit mund t'i kthjellë këta liderë që duan luftë duke bërë thirrje se vetëm një serb po që se vritet edhe vetë presidenti Nikoliq me armë në dorë do t'ia mësynte drejt Kosovës. Nikoliqi do të bënte veprim më të spikatur po që se do të garantonte jetën e serbëve të Serbisë dhe t'u siguronte atyre një ardhmëri paqësore sesa një të ardhme të pasigurt e me tensione. Çdo tentim apo rrugë tjetër, pos rrugës paqësore është në dëm të shteteve, në dëm të zhvillimit, në dëm të harmonisë e lumturisë. Është çasti i fundit, kur populli serb të zgjedhë përcaktimin e rrugës së paqes. Populli serb duhet të kapë frenat në duar dhe të nxjerrë udhëheqës të rinj paqësorë. Populli serb meriton që të bekohet me udhëheqje nga liderët që vërtet i hapin atyre perspektivë të sigurt për të ardhmen e shtetit të tyre dhe ju garanton një fqinjësi mbi parime të shëndosha.

(Kosova Sot)