Ngjyrimet politike të ultranacionalizmit serb

Ngjyrimet politike të ultranacionalizmit serb
  • 20 January 2017 - 08:32

Shkruan: Skënder Mulliqi 

Kriza globale ekonomike dhe kriza globale politike kanë ngjallur sërish qarqet ultranacionaliste serbo-ruse në rajon.

Kriza globale ekonomike dhe kriza globale politike ka ngjallur sërish qarqet ultranacionaliste serbo-ruse në rajon. Nga mendja e shëndoshë kanë huqur ose veç kanë qenë të tillë, Aleksandar Vuçiqi, Nikoliqi dhe Vulini, aktorë këta të viteve të 90-ta kur edhe filluan luftërat në ish-Jugosllavi. Kjo duket se është një lojë e tyre nga e kaluara e hidhur kur Serbia milosheviqiane ishte protagoniste e shpërbërjes me dhunë të ish-Jugosllavisë. Aeroplanët dhe tanket ruse, të cilat erdhën në Serbi dhe politika ekspansioniste e Putinit në anën tjetër janë indikatorët shtesë që Serbia të rebelohet karshi Kosovës dhe të ardhmes së saj. Deklaratat e Nikoliqit pas kthimit të turpshëm të trenit mbrapa, se vendi i tij do të ndërhyjë ushtarakisht për të mbrojtur minoritetin serb në veri janë grishje për luftë. Kjo radhitje e re e ultranacinalizmit serb ka ngjyrime të ndryshme. Serbia rregullisht është shteti i cili po e prish qetësinë në rajon. Ky shtet po mbahet gjallë në saje të prodhimit të krizave në planin e jashtëm së gjendjen ekonomike dhe sociale e ka buzë shpërthimit.

Duan ndarjen e Kosovës Gara serbe se cili është më "patriot" se tjetri kurrë nuk ka pushuar. Këtë garë ata e bëjnë më së shumti kur bëhet fjalë për Kosovën. Zërat e shfaqura kundër politikës shoviniste serbomadhe po shpallen armiq të Serbisë. Gjithnjë e më shumë po ka zëra të intelektualëve serbë se pavarësia e Kosovës është realitet, dhe kësaj nuk ka askush mundësi për t'i ikur. Serbia gjithmonë në krye të shtetit dhe në krye të Kishës Ortodokse Serbe pati njerëzit të cilët janë armiq të shqiptarëve. Retorika nacionaliste e kreut të Kishës Ortodokse Serbe karshi Kosovës nuk u ndal kurrë deri më sot. Klerikët më të lartë të Sinodit të Shenjtë janë bashkëfajtorët e vrasjeve masive dhe shkatërrimeve të pronave në Bosnje dhe në Kosovë. Kryepeshkopët Pavle dhe Irineji nuk pushuan kurrë kundër shqiptarëve në tokën e vet. Çdo herë kur ata e vizituan Kosovën-Patrikanën e Pejës dhe Manastirin e Deçanit lëshuan kushtrime për luftë kundër shqiptarëve. Deklaratat e tyre nuk kishin asnjë lidhje më predikimin fetarë për çka ata janë edhe të thirrur. Të tillë ishin edhe përfaqësuesit më të lartë politikë, si: Koshtunica, Tadiq … Këta të dy ishin dhe kanë mbetur më të zëshmit për ndarjen e Kosovës, përkundër çetnikëve të Sheshelit, të cilët në programin e tyre politikë kanë pushtimin ushtarak të Kosovës. 

Nxitja e konfliktit të ri ushtarak në Kosovë Retorika dhe veprimet ultranacionaliste të sinkronizuara të serbëve bashkë me kishën po i minojnë bisedimet tashmë të pakuptimta më palën shqiptare. Kjo elitë politike serbe po e shtyn vendin e vet në konflikt me disa shtete në rajon …Beogradi zyrtar kurrë nuk ka qenë për dialog të barabartë me Prishtinën zyrtare. Dialogun gjithmonë e shfrytëzuan për të përfituar në kohë dhe për të përfituar edhe të mira materiale nga BE-ja. Të yshtur nga rusët, pasardhësit e çetnikizmit po dëshirojnë që me çdo kusht të krijojnë situata të konflikteve duke kërcënuar edhe ushtarakisht Kosovën. Me trenin serb deshën ta mbushin me struktura të reja paramilitare ruso-serbe veriun e Kosovës. Po përdorin skenarë të njëjtë sikurse krimineli, Miliosheviq me paramilitarët e Arkanit, Sheshelit, Draganit … dhe bandave të tjera kriminale të cilat shkaktuan masakra të papara në Bosnje dhe në Kosovë. Në krah të këtyre strukturave paramilitare me rastin e shpërbërjes së ishJugosllavisë gjithmonë qëndroi Kisha Ortodokse. Nxitja e konfliktit të ri ushtarak në Kosovë, nuk përkon në kohë dhe as në hapësirë me luftën në ish -Jugosllavi. Tani përballë regjimi kriminal i Beogradit e ka NATO-n dhe e ka përballë forcën e re të djemve të Kosovës. Patriarku Irinej kishte deklaruar se objektet e kultit serb nuk kanë mundësi të bëhen pjesë e UNESKO-s në emër të Kosovës. Ai kishte deklaruar gjithashtu së "nëse ndodh diçka në Kosovë në këtë drejtim, duhet ta kthejmë me hatër ose me zor". Këto kërcënime të vazhdueshme janë tregues së feja nuk është e ndarë nga politika. Kleri serb kanë kërkuar haptazi që rendi i ri botëror duhet të përshtatet më luftërat kristiane, duke shkuar këto kërkesa deri në fashizëm të hapur. Thirrjet e reja me militantizëm të vjetër serb për luftë janë të rrezikshme, kur të gjithë njerëzit e mirë të kësaj bote luten çdo ditë për paqen e përgjithshme...

(Kosova Sot)