Nga kush dhe nga çfarë kërcënohet kombi sot?

Nga kush dhe nga çfarë kërcënohet kombi sot?
  • 21 January 2017 - 07:52

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPIT

Nga Pasi u botua një artikull i imi me titull "Misioni i Kombit në rrugën e përjetësisë", disa shokë që e kishin lexuar, më pyetën gjatë një bisede me ta se: Përse nuk isha ndaluar dhe shkruar më shumë për rreziqet dhe se çfarë realisht e konkretisht e kërcënon kombin dhe sovranitetin kombëtar sot? Dhe shumë prej atyre problematikave, dhe se çfarë bisedova me ta, vendosa t'i shkruaj dhe t'i nis për botim në gazetën Tuaj, pasi edhe u binda se paska edhe lexues, dhe nuk paska vetëm nga ata që më kanë thënë se: kot e ke dhe mos shkruaj më sepse nuk lexon njeri. Në Shqipërinë "demokratike" fitimtarët dhe ata që ekspozohen dhe promovohen më së shumti janë jopatriotët, kozmopolitët dhe komformistët pa shtyllë kurrizore, të kriminalizuarit, trafikantët, të korruptuarit, servilët, të paaftët, të papërgjegjshmit, kontrabandistët, mashtruesit, gënjeshtarët, intrigantët etj. Shërbimin më të përsosur emulativ publikisht këtyre ua bën media. Këta janë dhe duken kudo: në Parlament, në Qeveri, në pushtet, në administratë, në bizneset kryesore, si dhe nëpër mediet e bajatshme dhe të neveritshme ku ata reklamohen. Këta janë personat apo "personalitetet" më të rëndësishëm që vetëquhen, por edhe që i quajnë VIP-a, të cilët dominojnë dhe i sundojnë të gjitha sferat: atë politike, ekonomike, financiare, administrative, diplomatike, intelektuale, mediatike, juridike dhe madje edhe atë "morale". Dhe prej këtyre së pari keqfunksionon shteti dhe shoqëria e që natyrisht që po dëmtohet rëndë edhe kombi.

Roli negativ i medieve

Një rol tej mase negativ në Shqipëri luajnë sidomos mediet e shkruara dhe ato vizive, prej faqeve e lajmeve të zeza dhe të ekraneve verbuese që manipulojnë informacionet, prej medieve të cilat në emër të lirisë së shtypit, ato "rrezatojnë" energji negative që ushqejnë, ngrohin dhe inkubatojnë viruse politike mediatike që e infektojnë dhe e prishin shoqërinë. Këto soj mediesh servile, amoralisht politike dhe mercenare të parasë dhe të materializmit janë zgjatimi dhe vetë fytyra e politikës së cilës ato i shërbejnë. Nëpërmjet këtyre medieve përcillen dhe tejçohen te publiku shqiptar "edukata" e anormaliteteve, banaliteteve dhe e amoraliteteve, sikur ato të jenë normale dhe të moralshme si p.sh. trafikimi i votave dhe i mandateve, kriminalizimi politik, social dhe ai gjyqësor, imoraliteti dhe amoralitetet që përdoren në parlament me batuta, sharje e fyerje të ulëta dhe që amplifikohet dhe ekspozohen shumëfish nëpër medie.

Ekspozimi i patriotizmit fals

Emisionet muzikore, argëtuese dhe humoristike nëpër ekranet televizive paraqesin dhe reklamojnë pornografi, lakuriqësi, argëtim me fjalë banale dhe të ndyra dhe me lojëra fati e bixhozi. Lajmet në faqet e para të gazetave dhe minutat e para të lajmeve televizive paraqesin ngjarjet e zeza të krimeve të ndryshme, të trafikimit të drogës, të turpeve dhe skandaleve seksuale, të korrupsionit, të divorcimeve etj. Sot, pra, për gjatë këtyre 25 viteve "demokraci" kërcënim të madh për kombin përbëjnë edhe shtrirja dhe përhapja masive e kulturës së kultivimit, përdorimit dhe e trafikimit të drogës, fitimi i shpejtë i parasë dhe të pasurisë me rrugë korruptive dhe me mënyra të tjera si vjedhje e grabitje të mbuluara, mbështjella, dhe të mbrojtura politikisht dhe ligjërisht nga mafia politike, ekonomike dhe e krimit të organizuar. Realiteti i rëndë socio-ekonomikokulturor ka krijuar dhe shkaktuar një gjendje të rëndë sociologjike, psikologjike dhe depresive te publiku, si dhe me papunësinë, varfërinë me korrupsionin e tejskajshëm dhe me manipulimin dhe spekulimin politik e mediatik me to. Dukja dhe ekspozimi i patriotizmit fals nga politika ka qenë dhe përdoret si maskë për të goditur dhe dëmtuar rëndë patriotizmin dhe kombëtarizmin e vërtetë. Edhe kur përdoret ndonjë fjalë apo retorikë patriotike, ato deklarohen sa për mashtrim publik për përfitim politik dhe më shumë sa për të mbuluar antipatriotizmin dhe tradhtinë publike si politika ashtu dhe media pranë saj. Politika apo strategjia e përdorur prej politikës, prej institucioneve të saj dhe prej medieve me të vetmin synim për të sunduar, qeverisur dhe grabitur sa më lehtë shtetin dhe kombin: ato kanë instaluar për këtë qëllim sistemin politik të korrupsionit dhe të vetëgjyqësisë, antishtetin, antiligjin dhe kanë dëmtuar rëndë edhe institucionin e familjes, të trashëgimisë, të fesë, të kulturës e të diturisë, të shtetit, të drejtësisë dhe të moralit. Pra, kur dëmtohen dhe rrezikohen këto, atëherë çfarë mbetet tjetër pa u dëmtuar dhe rrezikuar?

Mafia, politika, pushteti e media e keqe promovojnë krimin, korrupsionin, amoralitetin, servilizmin, prostituimin politik

Këto janë në një linjë dhe në një plan antikombëtar të cilin e kanë përdorur gjithnjë armiqtë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Kombi dëmtohet rëndë kur operojnë kaq lirshëm korrupsioni, krimi, mafia, politika dhe pushteti i keq të cilët injorojnë, zhvlerësojnë, përndjekin dhe i dëbojnë nga politika, nga aktiviteti shoqëror, nga administrata e biznesi dhe nga atdheu; si edhe kur shpifin, akuzojnë dhe njollosin, përbaltin dhe injorojnë intelektualizmin, aftësinë, talentin, patriotizmin nga njëra anë, dhe kur nga ana tjetër po mafia, krimi, korrupsioni dhe politika, pushteti e media e keqe promovojnë dhe sponsorizojnë, ngrenë dhe lartësojnë, favorizojnë, frymëzojnë dhe kur licensojnë dhe shpërblejnë krimin, korrupsionin, amoralitetin, servilizmin, prostituimin politik, drogën dhe kundërpatriotizmin. Shkurtimisht i paraqita këto si ndër faktorët dhe aktorët më negativë të brendshëm të cilët e dëmtojnë rëndë imazhin dhe interesin e përgjithshëm kombëtar. 

(Kosova Sot)