Popullin, të cilin e lë logjika, kusuritet me etikë perverse

Popullin, të cilin e lë logjika, kusuritet me etikë perverse
  • 21 January 2017 - 07:56

SHKRUAN: SKENDER MULLIQ

Kemi dëgjuar nga pleqtë se kur shpëton jetë ose bëhet fjalë për diçka të mirë edhe ia vlen rrena. Thuhet se me rrena nuk shkohet në xhenet …Kur dikush na thërret në telefon e s'na pëlqen të komunikojmë me të, u themi fëmijëve apo dikujt që qëllon aty ta ngrisë telefonin, e ka shumë raste kur e lëmë zilen deri në fund të bjerë pa e ngritur. Kur është fjala për të shpëtuar jetë njeriu rrena është e mirë...Rrenat personale apo rrenat e rrethit të ngushtë familjar apo rrenat jo të kalibrit të madh, sigurisht së nuk janë të mira në krahasim me rrenat e mëdha publike, të cilat kanë të bëjnë shtet dhe komb. Rrenat e çdoditshme të pushtetarëve se punët i kemi mirë, pse mirë i kanë punët ata personalisht, janë duke na kushtuar gjithnjë e më shumë si shtet. Që sa kohë ia kanë nisur me rrena se me këtë datë apo me këtë vit do të kemi liberalizim të vizave, dhe nuk ka gjë nga ajo punë. Kosova ka mbetur i vetmi vend i izoluar si geto në Evropë. Natyrisht së zhgënjimi në popull po bëhet edhe më i madh në këtë kastë politike. Ka kohë që strukturat më të larta të shtetit kanë dhënë deklarata të mbushura në rrena se nuk është e largët dita kur Kosova do të inkuadrohet në strukturat e BE-së. 

Gënjeshtrat për Demarkacionin

Na dolën krejt rrena edhe premtimet për 150 mijë vende të reja të punës. Mos të flasim për rrena të vogla ditore, të cilat i kemi më bollëk, dhe fare këta matrapazë politikë nuk po mërziten. E rrejtën publikun e gjorë edhe për çështje kapitale siç është "Zajednica" dhe Demarkacioni me Mal të Zi, se këto marrëveshje gjoja nuk e rrezikojnë sovranitetin politik dhe territorial të Kosovës. E dihet se të dyja këto tema janë tema që prekin rënd në statusin politik të Kosovës. Këto dy marrëveshje dhe shumë marrëveshje të tjera të firmosura më Serbinë na dolën se janë marrëveshje në dëm të Kosovës, e këta nuk e patën fare dert pse firmosën blanko. Rrejtën para opinionit të gjerë publik me rastin e eksodit të dytë pas atij të vitit 1999, kur shqiptarët u larguan nën tytat e automatikëve serbë nga Kosova. U larguan shumë njerëz e këta bënin sehir duke na shitur kaqabardhica se ata që po largoheshin na paskan 'Ajfona'. Kanë harruar rrenacakët e kombit, se çka kanë për vete dhe familjet e tyre, 'Ajfonat' për fëmijët e pushtetarëve janë barazi më zero. Ata voziten më veturat më moderne, kanë vila të bukura në çdo cep të Kosovës, kanë biznese të mëdha e të vogla dhe para me shumicë. Pafytyrësia e tyre është që gjithmonë me rrena dhe mashtrime të qëndrojnë në pushtet. 

Duan trazira për të mbetur më gjatë në pushtet

Së fundi po na krekosen se e ndalën vozin serb, thua se shqiptarët nuk e dinë forcën e tyre pushtetare. NATO-ja dhe BE-ja ishin ata që dhanë urdhra për kthimin e trenit shovinist ruso- serb mbrapa, se tashmë ishte mbushur kupa nga opstrukcionet politike serbe dhe ishte mbushur kupa nga aktet e dhunshme për destabilizimin e Kosovës. Edhe pas kësaj shumë do të dëshironin të këtë ndonjë ndodhi tjetër politike që do t'ua zgjate pushtetin. Po i mbushin faqet e gazetave, televizioneve dhe portaleve me akuza dhe kundër akuza për çështje shumë periferike, të cilat pak ose fare pak i interesojnë popullit. Po rrejnë gjithashtu kur po shesin patriotizma, e dihet së patriotët nuk e vjedhin në mënyrë masovike popullin dhe shtetin e vet. Patriotët nuk uzurpojnë prona shoqërore, nuk zhvatin dhe as nuk i vrasin bashkëkombësit e vet. Për patriotë, funksionon ashtu si duhet shteti ligjor. Nuk mungon angazhimi i çdoditshëm për rritjen e mirëqenies dhe rritjen e ecurive ekonomike. Patriotët punojnë dhe japin çdo gjë nga vetja, sikurse e ka bërë dikur këtë punë, patrioti në zë, Haxhi Zeka. Këta po gjuajnë ashtu të shprehemi në hapësirë të zbrazët politike…E kanë lodhur tashmë popullin më rrena të kushtueshme …Popullin të cilin e lë logjika, kusuritet me etikë perverse... 

(Kosova Sot)