E deshën të gjithë se nuk u përzie në konflikte ndërpartiake

E deshën të gjithë se nuk u përzie në konflikte ndërpartiake
  • 22 January 2017 - 08:21

Shkruan: Avni Rudaku 

 

Shkrimtari i ndjerë Kelmendi ishte komplimentues, inkurajues dhe motivues i brezit të ri e të vjetër.

SHUMËFAQËSH Kushdo që i kërkonte te një person aq shumë gjëra, i gjente te veprimtaria e Ramiz Jakup Kelmendit! Ishte figurë poliedrike/shumë- faqësh: gazetar, redaktor, romancier, tregimtar, publicist, radio-dramaturg, përkthyes, etj. Si i ri, në kokë më ka mbetur sidomos vepra në bazë të një titulli shumë tërheqës: "Shtatë persona ndjekin autorin". Po e fusim në mes edhe emrin e babait të tij Jakup, pasi një biznesmen e politikan është adash apo emnak me emër e mbiemër të ngjashëm, duke e lënë në hije secilin kërkim mbi të në motorin e kërkimit elektronik, sidomos për brezin e ri që e ka dërmuar paraqitja e shpeshtë e politikanëve sesa e shkrimtarëve sikur ishte Kelmendi! Prandaj, jo vetëm se po ngatërrohej me figurën e politikanit për shkak të emrit e mbiemrit të ngjashëm, por edhe për shkak të paraqitjeve më të rralla mediatike krahasuar me figurat e politikanëve! Sidoqoftë, është fjala për vdekjen e një shkrimtari që ka përjetuar Luftën e Dytë Botërore, periudhën e ish- Jugosllavisë, shpërbërjen e saj dhe periudhën e pasluftës së vitit 1999 në Kosovë! Historia e gjysmëshekullit XX njihet edhe duke e njohur historinë e tij! E njoha edhe personalisht shkrimtarin Kelmendi dhe po ashtu ishte bërë pjesë e ekipit që fliste për librin tim të përuruar gjatë vitit 2011, fjalën e të cilit e ruajta fatmirësisht edhe në mënyrë audio-vizuale. Ai më lavdëronte shpesh kur thoshte se më lexonte rregullisht kolumnet në gazetën "Kosova Sot"! Bile më bënte të qeshja një kolumnist tjetër kur thoshte se i kishte thënë atij se vetëm dy kolumnistë i lexonte në Kosovë, duke mos njohur tipin e bacës së ndjerë, Ramiz Kelmendit! Ai nuk ishte si shumë prej letrarëve e figurave publike në Kosovë, qoftë i brezit të ri, të mesëm e të moçëm, që kanë zemër të ngurtë për një koment të vetëm t'ia japin dikujt për miradije. Shkrimtari i ndjerë Kelmendi ishte komplimentues, inkurajues dhe motivues i brezit të ri e të vjetër. 

KOMPLIMENTUES Ka pak figura publike në Kosovë, sikur ishte shkrimtari Kelmendi, i cili u jepte komplimente aq shumë shkruesve të rinj e me përvojë. Më shumë dominonte tek ai vlerësimi pozitiv, lartësimi, përdorimi i epiteteve, inkurajimi, motivimi, nxitja, etj., sesa nënvlerësimi apo kritika e rreptë. Aq shumë ishte komplimentus, sakaq tingëllonte në ca shkrime, prezantime autorësh dhe fjalësh bisedore, si patetik. Por patetizmi i tij nuk ishte sikur patetizmi i çjerrur i politikanëve dhe kritikëve të librave, si servilitet i skajshëm, kërkesa të fshehta individuale, etj., por njëfarë dashamirësie dhe pozitiviteti për të tjerët. Në njëfarë sasie, ky tipar i tij mund ta ndikonte keq edhe kritikën e mirë- filltë, por njerëzorja e tij tejkalonte profesionin edhe prej kritiku!

JASHTË PËRPLASJEVE NDËRPARTIAKE TË SHKRIMTARËVE Nuk kishte këto fërkimet e blloqeve dhe klaneve partiake, letrare, rajonale; as me egocentrizëm të sojit të shumëkujt. E kishte mirë edhe me Rexhep Qosjen e Adem Demaçin - të cilët dhe të tjerët i identifikojnë me krahun e përbetuar anti-LDK - edhe mirë me ata të tjerët që mbaheshin me LDK-në. Bile kjo afërsi e Kelmendit me Qosjen ishte e pashkëputshme me dekada. Qarkullon një video-xhirim shumë interesant i vitit 1990 kur bëhej përurimi i librit të Rexhep Qosjes "Populli i ndaluar", ku në fjalën e tij mbi autorin, paraqitet Adem Demaçi, por edhe Ramiz Kelmendi. Në këtë përurim Kelmendi jepte vlerësimet më të larta për veprat dhe personalitetin e Qosjes: "Ka shkrimtarë të cilëve u bën dhe u vlen vepra, por hiç a fare jeta; jetë e cila ndonjëherë e ndot veprën; ka shkrimtarë por që u bën dhe u vlen jeta, por si pak a hiç vepra, e cila atë jetë e bën ndonjëherë edhe të skuqet soji; por ama jo çdoherë e jo çdo kund, si shumë rrallë e tek, do të gjeni shkrimtarë ku vepra dhe jeta të shkrihen në një, të thuren e të gërshetohen ndër vete, të plotësojnë njëra-tjetrën, e madje dhe të vënë shenja barazimi në mes, siç ndodh, siç është rasti, dhe siç kemi fatin të jemi ne, bashkëkohës, bashkëkrenarë dhe bashkëvuajtës; bashkëmendimtarë dhe bashkëveprimtarë të jetës dhe të veprës që i bën nder mbarë kombit shqiptar, të jetës dhe veprës që quhet Rexhep Qosja." Në intervistën e fundit televizive të Qosjes gjatë kësaj jave, u fol nga ai me fjalët më të përzgjedhura për Ramiz Kelmendin dhe e quajti mëkat se si Kelmendi nuk u pranua kurrë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke e marrë për bazë edhe veprimtarinë e tij të pasur jetësore me dhjetëra vepra, duke akuzuar klanin ldk-ist dhe atij të anti-standardit të shqipes! Pra, dytë, edhe Kelmendi, edhe Qosja, e çmonin jashtëzakonisht njëri-tjetrin!

RILINDJA Në intervistën e vitit 1969, e rikthyer nga emisioni "Arkivi" nëpërmjet RTK-së (ndër emisionet e rralla shumë të rëndësishme dhe mbresëlënëse në televizionin publik kosovar), në rolin e tij të drejtorit, Ramiz Kelmendi flet për planet dhe synimet e redaksisë së botimeve "Rilindja". Aty pa dyshim mbetet rëndësia e familjarizimit të shoqërisë së gjerë shqiptare me librin shqip, qoftë edhe me libra të redaktuar nga 'fryma e kohës' dhe me presionet nga më të ndryshmet të ish sistemit të atëhershëm jugosllav. Merreni me mend, atëbotë nuk kishte as universitet publik, as institute, as akademi, as kushtetutë të vitit 1974, ku dominonte analfabetizmi masiv në lexim e arsimim, sidomos në zonat rurale e periferike. "Një nga hapat e parë që bëri redaksia jonë është të krijojmë një rrjet të gjerë akuizitorësh, të cilët do të depërtonin edhe në viset më të largëta, duke i kërkuar edhe ata lexues, që shumë vështirë mund të arrijnë të kenë librin e tyre në gjuhën shqipe; nëpër kolektive, nëpër fabrika, ndërmarrje dhe uzina. Së këndejmi, edhe caku ynë i parë ishte që pos njerëzve të kulturës, të artit e të arsimit, ta interesojmë për librin shqip edhe punonjësin, edhe fshatarin. Ekipe të tëra akuizitorësh tonë vizituan pothuaj të gjitha ndërmarrjet, uzinat e fabrikat në Kosovë, në Maqedoni dhe Mal të Zi. E më të madhin sukses e arritëm në kombinatin e Obliqit, me ç'rast krijuam një numër shumë të madh dashamirës të librit, të cilët pa mëdyshje pas hyrjes së librave të parë - ndoshta edhe për të parën herë në votrat e tyre - do të kemi qysh nesër ata që do ta kërkojnë vetë librin e ri në shtëpinë e tyre. Libri depërtoi edhe në Pejë, në kombinatin e këpucëve e lëkurave në Pejë, ndër punonjësit e tyre, pastaj në "Prizrenkën" e Prizrenit, dhe ndër kombinate, fabrika e uzina të tjera." Kjo kishte rol të pakontestueshëm iluminist për arsimimin shqip, pavarësisht se shkuarja në fabrika e uzina, ishte edhe pjesë e kulturës së sistemit propagandues dhe rritjes së vetëdijes klasore proletare!

ELEGANCA Sa herë e takoja në kafenenë e tij përskaj sheshit, edhe përkundër moshës së shtyrë, ishte ndër individët e rrallë që asnjëherë nuk mund ta gjenit pa qenë i veshur në mënyrë elegante e gjysmë-elegante (herë me kostum, këmishë e kravatë, e herë me ndonjë bluzë mbi këmishë)! Ishte veshur mirë gjithmonë! Kjo e karakterizonte mjaft shumë si person që edhe në pleqëri të thellë vetëmbahej, krihej, pedant! Aq e kishte të theksuar këtë, sakaq nëse do ta pyesnit dikë që e njihte atë, pa e përmendur si tipar të tij dukjen, nuk do ta linte! Prandaj, po e them se ndër të tjerash, imazhi prej pedanti iu bë pjesë e perceptimit dhe vlerësimit pozitiv social! Dhe gabohet secili që nuk e merr seriozisht hulumtimin e psikologjisë sociale se "dukja e jashtme ka ndikim të jashtëzakonshëm në vlerësimin dhe perceptimin pozitiv social"! Natyrisht se Kelmendi ishte prej shtresave të arsimuara dhe letrare, të cilët ishin elitare për kohën dhe mjedisin, por edhe financiarisht qëndronte mirë! E veçantë e tij ishin edhe mustaqet dhe vetëm së fundi i hoqi ato! Mustaqet ishin me dekada pjesë e imazhit të tij fizik, madje edhe në xhirimin e vitit 1969 shihej me mustaqe!

PAJTUES GJAQESH Kushdo që kishte pajtuar gjaqet në vitet e '90- ta, me një fjalë ishte gjykatës mëshirues! Fakti se kishim jetë paralele, pajtuesit e gjaqeve, ishin pjesë e paragjyqësorit. Duke mos i besuar drejtësisë së regjimit serb dhe atyre që nuk u larguan nga sistemi juridik edhe gjatë viteve të '90-ta, shqiptarët zgjodhën metodën parashtetërore, paramoderne dhe paragjyqë- sore. Për kohën, ishte më se e nevojshme. Regjimi serb e shfrytëzonte konfliktin brendashqiptar edhe si strategji të dobësimit e vëllavrasjes shqiptare. Prandaj, pajtuesit e gjaqeve u bënë sinonim me pleqnarët e urtë, patriotë, fisnikë e bujarë. Nëse dikush do të merrej me vlerësimin e kësaj iniciative mbi pajtimin e gjaqeve, Kelmendi ishte pjesë e saj. Në kohën e sistemit modern, përqeshet kjo formë e drejtësisë me kanune, fjalë, pleqnime, oda, etj., por për kontekste koloniale ishte më se e kuptueshme, e nevojshme, e dobishme dhe racionale. Prandaj, kjo meritë e pajtimit i takonte edhe Kelmendit! KONICIAN-AUTOKRITIK.

KONICIAN-AUTOKRITIK NACIONAL Dy fjalitë, që edhe në shkrime, edhe në biseda private, t'i citonte shpesh Ramiz Kelmendi, e që iu atribuoheshin edhe Faik Konicës, ishin: "Armiku më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët" dhe "Shqiptari t'i falë të gjitha, përveç suksesit!". Jo vetëm me këto sentenca autokritike-nacionale shqiptare, por në përgjithësi e donte Faik Konicën! Ndërsa shkrimtarin që shpesh e përmendte ishte Martin Camaj e të tjerë. Për temë diplome universitare kishte pasur edhe Migjenin, emrin e të cilin e mban edhe biri i tij, Migjen Kelmendi.

MBROJTËS I STANDARDIT GJUHËSOR Debati më interesant dhe më emocional që mbahet në mend ishte i shkrimtarit Kelmendi me të birin e tij, Migjenin (i fundit u bë sinonim me gegërishten, më saktësisht me 'gegnishte të anglicizuar-globale'), duke u 'përplasur' babë e bir mbi gjuhën standarde shqipe. Gjersa Ramiz Kelmendi mbante pozicionin e ruajtjes së standardit të gjuhës shqipe, madje sikur është thënë edhe nga të tjerët, ai kishte pasur ftesë edhe për në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, ndërsa biri i tij, Migjeni, ishte kundër standardit të vënë nga diktatori Hoxha; botonte gazetën e atëhershme në gegërishte; u bë pjesë e kosovarocentristëve dhe etiketimeve si 'kosovaristë', ithtar i ashpër i gegërishtes dhe shkonte fyza me 'standardistët' e shqipes, krejt e kundërta me babanë e tij. Pavarësisht se në disa intervista të Ramiz Kelmendit shihej se nuk ishte edhe kategorik kundër rishikimit të standardit, por parimisht ishte pro-standardit.

PËRKTHYES Nëse lexuesi shqiptar u njoh me letërsinë evropiane dhe amerikane, përveç direkt gjatë leximit në serbokroatisht sikur kishte lexues edhe të tillë dhe të rrallë, meritat i shkojnë edhe përkthyesit, Ramiz Kelmendit. I ndjeri kishte kontribuar mjaft shumë në përkthimin në gjuhën shqipe nga serbokroatishtja të shumë veprave botërore si të Heminguejit, Kafkës, Markesit, Orvellit, Grasit, etj. Ai kishte përkthyer edhe vepra të autorëve të atëhershëm jugosllavë, por kontributi i tij mbetet sidomos në përkthimin e shkrimtarëve të vlerësuar botërisht. Atëbotë, ta njohësh popullin tënd me shkrimtarët e këtij rangu global, ishte arritje e madhe, meqë nuk kishte internet e njëqind mundësi të tjera të sotme! Madje, kur lexoni shumë vepra të "Rilindjes", nëse duam të jemi korrektë, magjepsemi me cilësinë e përdorimit të gjuhës shqipe dhe seriozitetit në tekst. Ndoshta ka ndikuar edhe rreptësia ideologjike e redaktimit për t'i vërejtur edhe gabimet e tjera në gjuhë, etj., por sinqerisht krahasuar me shumë tekste të sotme me njëqind herë mundësi më të mëdha, ato të "Rilindjes" janë gjuhësisht elitare, plot pasion e përgjegjësi profesionale! Bile edhe roli i vetë "Rilindjes" dhe puna e Kelmendit në përkthimin e këtyre veprave amerikane-veriore, amerikano-latine dhe evropiane, është në përparësitë e lexuesit shqiptar në Kosovë kundruall atij në Shqipëri që mbetej shumë më i izoluar me letërsinë 'perëndimore'. Pa lënë anash edhe tipin e sistemit jugosllav që në disa periudha kohore ishte më 'demokratik' e më i hapur karshi muzikës e librave nga Perëndimi, krahasuar me sistemin e hekurt të E. Hoxhës!

FJALËPASUR Dikush do të më thoshte se është paradoksale të thuash në një anë se dikush ishte shkrimtar dhe në anën tjetër ishte fjalëpasur! E, megjithatë, nuk është krejt e saktë! Ka aq shumë shkrimtarë të sotëm, të cilët nuk janë fare të pasur në përdorimin e fjalëve shqipe! Kelmendi ishte fjalëpasur, përdorte shprehje të shumta shqipe, shfrytëzonte fjalë që përdoreshin rrallë nga të tjerët. Ishte fjalëpasur edhe në shkrime, edhe në të folur. Madje një skript e tij e përdorimit të drejtë të gjuhës shqipe, kontribuoi në kultivimin e shqipes në qindra studentë! ,Pavarësisht se ishte fjalëpasur, ishte edhe fjalëpërsëritur dhe përdorues i gjerë sinonimesh. P.sh., e përdorte fjalën 'promovim', pastaj 'përgëzim', pastaj 'përurim', duke e zgjatur tej mase fjalinë. Përdorte skajshëm epitete të skajshme për të tjerët. Por, nëse flasim përsëri kah del e hyn shpirti, i thoshte bukur, i shkruante bukur, prandaj aq të bënte për vete gjuha e tij, sakaq edhe nëse nuk do të pajtoheshit me të rreth përmbajtjes/idesë/glorifikimeve, kënaqeshit duke dëgjuar e lexuar fjalë të reja shqipe nga ai! Pastaj, fjalët e tij duhej kundruar edhe si motivues i gjeneratës së re të shkruesve. E kuptoja plotësisht dhe ai nuk hynte sikur bëjnë shumë të tjerë në konflikte gjeneratash e klanesh letrare!

(Kosova Sot)