Shpëtimi i qendrës

Shpëtimi i qendrës
  • 22 January 2017 - 09:29

Shkruan: Tony Blair 

 Vetëm një qendër e fuqishme dhe e revitalizuar mund ta mposhtë populizmin

Qendra politike, sidomos ajo progresive, fiton kur e ka iniciativën, kur e udhëheq debatin, kur zgjidhjet që i propozon janë radikale, por edhe të ndjeshme

Nuk ka dyshim rreth valëve të pakënaqësisë dhe zemërimit, të cilat janë duke e karakterizuar politikën e Perëndimit. Britania e Madhe votoi që të dalë nga BE-ja pas katër dekadash anëtarësie, duke rrezikuar të gjitha lidhjet e komplikuara tregtare dhe politike që i krijoi një periudhë kaq e gjatë. Kundër të gjitha parashikimeve të ekspertëve të politikës, Donald Trump fitoi në zgjedhjet presidenciale amerikane, diçka që për klasën politike ishte thjesht, e paimagjinueshme. Në tërë Evropën, partitë e reja politike janë duke dalë në shesh, që të gjitha të bazuara te dallimet e së njëjtës temë: establishmenti politik na ka injoruar, prandaj ne do ta rrëzojmë atë me anë të protestave.

Një cilësi përkufizuese e kësaj kryengritjeje është se nxitja për ndryshime është bërë më e rëndësishme sesa çdo mendim se çka d.m.th. ai ndryshim në praktikë. Gjërat që thuhen nga liderët e kësaj vale, nuk përkojnë me rregullat normale të sjelljes në politikë, por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi, është se revolta është duke ndodhur dhe, kushdo që e kap këtë valë, do të përfitojë.

Në anën tjetër, politikanët që bëjnë argumente të arsyeshme të llojit konvencional, vetëm sa i irritojnë votuesit rebelë, në mos edhe shkaktojnë neveri dhe përqeshje.

Janë bërë shumë analiza rreth rritjes së populizmit, ku përmenden faktorët, si mosrritja e rrogës së shtresës së mesme të punëtorëve, margjinalizimi i njerëzve ‘të rëndomtë’, problemet e komuniteteve si rezultat i ndryshimeve ekonomike, si dhe rezistenca ndaj forcave të globalizimit, sikur që janë tregtia dhe imigrimi.

Ligështimi i medies tradicionale

Mediet sociale përbëjnë një pjesë të madhe të kësaj vale. Ato mundësojnë rritjen e shpejtë të lëvizjeve, kontribuojnë në fragmentarizimin e burimeve dhe krijojnë një botë të re të informatave, në të cilën nuk aplikohen rregullat e të qenit objektiv.

Në një vend si Britania, rreth 20 vjet më parë, kur për herë të parë i kontestoja zgjidhjet si lider, lajmet kryesore të mbrëmjes në BBC kishin një audiencë prej rreth dhjetë milionë njerëzish. Sot, ky numër është vetëm 2,5 milionë. Ajo që dikur ishte një bisedë, tani është shndërruar në shumë biseda, shpesh në mes të njerëzve me pikëpamje të njëjta.

Ky ndryshim në metodën e marrjes dhe debatimit të informatave është një fenomen revolucionar i llojit të vet. Mediet tradicionale kanë vendosur se është më lehtë dhe më e pagueshme që të forcohet besnikëria e shikuesve, duke mos i sfiduar ata.

Jemi duke hyrë në një periudhë shumë të rrezikshme të politikës. Një anketë e bërë tash vonë tregonte se një pakicë e konsiderueshme e qytetarëve francezë më nuk janë të bindur se demokracia është sistemi adekuat për vendin e tyre. Mbështetja ndaj një modeli autoritar të udhëheqjes është në rritje gjithandej.

Populizmi nuk është i ri. Ndryshimet ekonomike nuk janë të reja. Ankthi rreth imigrantëve nuk është i ri. Shfrytëzimi i pakënaqësive të njerëzve nuk është gjë e re.

Por, konteksti është i ri dhe paaftësia e qendrës politike që të reagojë në mënyrë efikase, po ashtu është e re.

Imigracioni është duke ndryshuar komunitetet

E vërteta është se qendra e majtë dhe qendra e djathtë janë kapluar nga vetëkënaqësia dhe e kanë humbur kontaktin. Ne jemi bërë menaxherë pasivë të status quo-së, e jo katalizatorë të ndryshimeve.

Në Evropë, BE-ja përpiqet që ta rikthejë rritjen ekonomike dhe reformat janë duke u ndjekur kundër një prapavije të kursimeve me efekte shpesh brutale. Në SHBA është e qartë se punëtorët e racës së bardhë ndihen të neglizhuar dhe të lënë anash.

Imigracioni është duke ndryshuar komunitetet dhe, pa marrë parasysh se, në aspektin afatgjatë, imigrantët i japin vendit një energji të freskët dhe i sjellin atij përfitim, ndikimi i menjëhershëm mund të jetë shqetësues. Po ashtu, nuk ka dyshim se, një tregti më e madhe krijon më shumë vende të punës dhe se politikat mbrojtëse e bëjnë të kundërtën. Por, në aspektin afatshkurtër, vendet e specializuara të punës me rrogë më të madhe shpesh zhduken. Teknologjia do t’i intensifikojë këto ndryshime.

Shtojani kësaj edhe krizën financiare të vitit 2008 dhe pasojat e saj, bashkë me ekstremizmin i cili, që nga viti 2001, ka dominuar në shqetësimet e sigurisë dhe ka ndjellë ndjenjat anti-imigrantëve, atëherë turbulenca politike të cilën jemi duke e përjetuar, nuk duhet të na habitë. Përkundrazi, ajo duket e paevitueshme.  

Qendra duhet të veprojë politikisht

Kështu, e majta del kundër bizneseve, e djathta kundër imigrantëve, derisa qendra nuk di a të jetë e vetëkënaqur, apo ta japë alarmin.

Në të kaluarën qendra kurrë nuk ka fituar në këtë mënyrë. Qendra, sidomos qendra progresive, fiton kur e ka iniciativën, kur udhëheq në debate, kur zgjidhjet e propozuara janë radikale, por edhe të ndjeshme. Vetëm një qendër e fuqishme dhe e revitalizuar mund ta mposhtë populizmin.

Kjo është nevojë urgjente e ditës. Nuk duhet përdorur zemërimin e votuesve. Qendra duhet të veprojë politikisht. Nga politikat makroekonomike e deri te transformimi i sektorit publik dhe siguria, e deri te politikat e sigurisë së imigrantëve, shteti duhet ta rigjejë agjendën politike të së ardhmes.

Nëse qendra e bën këtë, atëherë ajo do të kthehet te votuesit e saj të arsyeshëm, të cilët i janë bashkuar revolucionit për shkak të frustrimit se janë injoruar.

Animi i lindur i njerëzve është kah evitimi i çdo gjëje të re që sjell kaos dhe jostabilitet. Por, ata kanë nevojë që ta dinë se dikush është duke i dëgjuar hallet e tyre. Më pas ne mund ta kthejmë gjendjen tonë politike kah një e ardhme më e mirë dhe më shpresëdhënëse.

(Tony Blair ishte kryeministër i Britanisë midis viteve 1997 dhe 2007. Pas largimit nga posti, ai ka themeluar Fondacionin “Tony Blair Faith”, si dhe iniciativën “Faith and Globalization”)

 

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot