Duket se NATO-n e pret një periudhë e pasigurisë

Duket se NATO-n e pret një periudhë e pasigurisë
  • 23 January 2017 - 10:16

Shkruan: Mary Dejevsky 

David Cameron nuk është lider adekuat i NATO-s 

Disa muaj më parë, derisa Perëndimi ishte i preokupuar me gjëra të tjera, në lajme doli një ide e re dhe më pas u zhduk. Një shembull klasik i ikjes së balonës, raporti sugjeronte se ishkryeministri David Cameron është duke u përmendur si njeriu i përzgjedhur i Britanisë për ta kryesuar NATO-n. Se kjo ide ishte më serioze sesa që shihej, u konfirmua këtë javë, kur Julian Lewis, kryesues i komitetit të mbrojtjes doli kundër këtij propozimi. Talentet e Cameronit, tha Lewis, përfshijnë "vlerësimin e mençur të çështjeve strategjike". Ai po ashtu tërhoqi vëmendjen rreth rrezikut të sigurisë evropiane, i cili mund të lindë nëse Amerika tërhiqet, kur kihet parasysh që presidenti i zgjedhur, Donald Trump, e cilësoi NATO-n si joadekuate. 

Rekomandimi për ta kryesuar aleancën transatlantike Tani është e mundur që të diskutohet se, rrethanat në të cilat Cameron dha dorëheqje, nuk shkojnë në favor të kthimit të tij, e lëre më të një kthimi të hershëm në jetën publike. Ngjashëm, gjashtë vjet si kryeministër i një vendi të madh të OECD-së, ofrojnë një lloj të veçantë të përvojës, të cilën mund ta kenë pak njerëz, gjë që shkon kot nëse nuk përdoret. Cameron ende ka vetëm 50 vjet. Në fillim dukej sikur ai do të mbetej në politikë, duke kontribuuar nga ulëset e prapme, por ai më pas arriti deri te përfundimi se, vazhdimi i të qëndruarit të tij në parlament, nuk do të ishte i dobishëm as për të, e as për pasardhësin e tij. Kështu, ai tani bën një jetë private, duke ia përkushtuar kohën "fëmijës së tij ideologjik', Shërbimit kombëtar të qytetarëve, dhe duke mbajtur fjalime të ndryshme me kompensime të majme. Situata e tij, natyrisht, nënvizojnë vështirësitë me të cilat ballafaqohet çdo politikan i cili hyn dhe braktisë zyrën derisa është tepër i ri: Çka do të bëjnë ata më pas me jetën e tyre? Ky ishte një problem me të cilin u ballafaqua Tony Blair, e tani e pret edhe Barack Obaman. Por, kreun e NATO-s? Së pari, ekziston një vërejtje e bërë nga Lewis. Ndoshta pa të drejtë, Cameron gjithmonë do të vlerësohet nga vendimi për ta mbajtur referendumin rreth Brexitit dhe për dështimin e tij që ta sigurojë një shumicë pro mbetjes në BE. Ky dështim, jo vetëm në sytë e britanikëve, anulon çdo gjë që Cameron mund të ketë arritur si kryeministër. Premtimi i tij për mbajtjen e referendumit duket tani i pamatur, derisa dështimi i sigurimit të një shumice pro mbetjes, si neglizhencë. Asnjëra prej këtyre nuk mund të konsiderohet rekomandim për ta kryesuar aleancën transatlantike. 

Terreni i panjohur

Por, ka edhe arsye të tjera pse, edhe nëse Cameron ka për qëllim që të kthehet në jetën publike, aleanca mbrojtëse mund të mos jetë post adekuat për të. Si kryeministër, ai dukej t'ia kalonte mirë me gati të gjithë ata me të cilët punonte, me përjashtim të 'vëllezërve të mëdhenj'. Këtu, që nga fillimi, kishte konflikte rreth strukturave, prokurimit dhe efektivitetit të kostos. Ishte e pazakonshme për një kryeministër konservator të kishte raporte aq të komplikuara me ushtrinë edhe pse në lidhje me këto konflikte, ai kishte të drejtë. Por, mungesa e simpatisë nga të dyja anët në nivel nacional, nuk do të ishte një ogur i mirë për paqe dhe harmoni brenda aleancës. Më pas, aty është një kontekst i ri, i krijuar nga presidenca e Donald Trumpit. Duket se NATO-n e pret një periudhë e pasigurisë, mundësisht edhe të shqyrtimit rreth financimit dhe qëllimit të ekzistimit të saj. Sjellja dhe implementimi i ndryshimeve nuk do të hasnin në një forcë adekuate të Cameronit, i cili, kur ishte kryeministër, preferonte më shumë që të 'lundronte' në terren të njohur. Nëse aleanca transatlantike do t'i mbijetojë presidencës së Trumpit, atëherë ajo do të ketë nevojë për dikë më luftarak dhe me mendje më të hapur. NATO-ja ka rreth dy vjet afat, para se të jetë e detyruar ta ndërrojë në post sekretarin e saj të përgjithshëm, ish-kryeministrin norvegjez, Jens Stoltenberg. Për këtë shkak, aleanca nuk ka pse të ngutet.

(Kosova Sot)