A është Kosova shtet i qytetarëve apo i pushtetarëve?

A është Kosova shtet i qytetarëve apo i pushtetarëve?
  • 24 January 2017 - 08:01

SHKRUAN: MR.BISLIM ALIU

Që 17 vjet populli po jeton në një gjendje me të vërtetë të vështirë dhe nuk po e kuptoj se si ky popull po jeton me këtë situatë tejet të padurueshme. Në anën tjetër, si është e mundur që këta pushtetarët tanë po sillen e po veprojnë me aq komoditet për vete e për familjen e tyre, e për gjendjen e mjerueshme të popullit fare nuk mërziten. Dhe, mu për këtë situatë aspak të lakmueshme në Kosovë, BE-ja dhe institucionet e tjera të saj, vazhdimisht bëjnë raporte të herëpashershme lidhur me situatën dhe me besueshmërinë në vend. Ndaj lidhur me këto raporte të BE-së, shumë analistë e pjesëtarë të shoqërisë civile e kanë parë me shumë shqetësim, këtë nivel të rënies së besueshmërisë (deri në 80%) të qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit. Megjithatë, kjo besueshmëri, edhe pse alarmante, ajo nuk është aspak befasuese. Dhe, kjo situatë aspak e volitshme për popullin e Kosovës, përherë është raportuar, në mediumet tona, e më së miri dhe me korrektësi të lartë në "Kosova Sot", në gazetën numër një, e cila si zë i fuqishëm dhe me dinjitet të lartë ka raportuar për kapjen e shtetit, drejtësinë e cunguar, korrupsionin dhe krimin e organizuar, për politikanët e papërgjegjshëm dhe për shumë dukuri të tjera negative. Ajo, pra, gjithnjë e mban primatin për këtë realitet në Kosovë

Shoqëria po vuan për drejtësi

Ndaj ky raport i agjencive ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, vetëm sa e vërteton këtë gjendje të pashpresë të qytetarëve të Kosovës. Kjo gjendje në vendin tonë, vijimisht po vazhdon keq e më keq. Mendoj se këto raport duhet t'i lexojnë pushtetarët tanë dhe të binden qartas për nivelin e ulët të besueshmërisë që ka populli ndaj institucioneve. Në anën tjetër, ata duhet të binden sheshazi se me këta pushtetar, Kosova nuk mund të përparojë dhe të ecë përpara. Andaj, mendoj se është momenti i fundit që pushtetarët tanë, të mendojnë shumë më seriozisht për këtë popull, i cili përherë po vuan për drejtësi, zhvillim ekonomik, papunësi, varfëri të skajshme dhe për një jetë më dinjitoze.

A është momenti i fundit që shoqëria jonë patjetër duhet të reflektojë?

Mesazhi i presidentit Donald Tramp gjatë inaugurimit të tij si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se pushteti do t'i kthehet popullit, më nxiti që të mendoj seriozisht dhe duke klithur besa edhe me të madhe: a thua, pushteti në Kosovën tone të dashur, ndonjëherë, a do t'i kthehet popullit? Megjithatë, kjo nuk vlen për pushtetarët tanë, të cilët kanë shkuar aq thellë në korrupsion dhe të zhytur në shumë skandale korruptive dhe familjarizëm të skajshëm, saqë shtetin e kanë privatizuar për interesa personale e klanore. Pra, shtetin e kanë kapur dhe e kanë bërë shtet të pushtetarëve, e më së paku të qytetarëve! Mendoj se kjo gjendje alarmante për popullin, duhet patjetër të gjithëve të na shqetësojë, e sidomos shoqërinë, institucionet, partitë politike, organizatat joqeveritare, bizneset, të gjitha pra duhet të reflektojnë së bashku në përmirësimin e kësaj gjendjeje tejet të vështirë. Dhe, sipas të dhënave të "Pulsit Publik", rënia e besueshmërisë së popullit, deri në 80%, është një tregues tejet negativ dhe, sipas kësaj, patjetër duhet të binden këta "pushtetarë lakmitarë" se kështu më nuk bën dhe se me këta pushtetarë Kosova nuk mund të ecë përpara.

Kapësit e shtetit

Dihet mirëfilli se të korruptuarit, asnjëherë korrupsionin nuk mund ta largojnë, meqë ata janë kapësit më të mëdhenj të shtetit. Ata pra, po e mbajnë peng shtetin dhe të ardhmen e tij. Ndaj në këtë drejtim "të korruptuarit dhe të inkriminuarit, duhet gjithsesi të largohen nga institucionet". Këta pushtetarë që moti e kanë kapur shtetin, nuk kanë menduar asnjëherë seriozisht për qytetarët, por vetëm për veten dhe për familjen e tyre. Pra, menduan më tepër se si ta zhvatin shtetin dhe fare nuk kanë menduar për perspektivën e vendit dhe për qytetarët. Dhe, mu për këtë, gjendja ekonomike e mjerueshme, papunësia e madhe, varfëria e skajshme, e detyruan popullin, e sidomos të rinjtë tanë të emigrojnë në vendet perëndimore për ndonjë vend pune apo për bukë goje. Mendoj se pushtetarët tanë që moti e kanë humbur dashurinë për shtet dhe sensin e realitetit për ta çuar shtetin përpara. Ata, zaten, përveç parave, karriges dhe shumë benificioneve të tjera; rroga, honorarë, mëditje dhe puna e disave në 4-5 vende të punës, e tani, sinqerisht pyetemi; a do të përgjigjen ndonjëherë pushtetarët (disa) për mëkatet e mëdha që ia kanë bërë këtij populli?... Dhe kanë hyrë në gjynah me këtë popull, të cilit ia mbyllën udhën e punësimit dhe të prosperitetit. Kanë hyrë shumë në gjynah me këtë rini, të cilëve ua mbyllën udhën e zhvillimit dhe të angazhimit dhe ua çelën udhën e emigrimit. Andaj, mendojmë se gjithsesi na duhen njerëz intelektualë, të edukuar me mendësi të shëndoshë dhe që e duan vendin shpirtërisht. Me këta pushtetarë shteti nuk zhvillohet dhe as që mund të shkojë përpara.

Populli i Kosovës do gjithsesi përmirësim të gjendjes ekonomike, punësim, ligjshmëri, drejtësi dhe përparim në çdo pore të jetës

Raporti i "Pulsit Publik" tregon dhembshurinë dhe realitetin e hidhur në Republikën e Kosovës. Sigurisht ky raport serioz dhe tejet real që e kanë shprehur qytetarët për besueshmërinë që e kanë ndaj institucioneve tona është një dhembshuri e madhe shpirtërore me të cilën po vuan populli që sa kohë. Ndaj kjo besueshmëri që e ka shfaqur populli, duhet të jetë sinjal tejet alarmues për pushtetarët tanë. Ata duhet ta dinë se këto vuajtje që po i përjeton populli, janë mosinteresimi dhe mosangazhimi i pushtetarëve për një jetë më të dinjitetshme që duhet ta kishte ky popull i vuajtur qe sa kohë. Tani Kosovës i duhet një gjak i ri, një mendësi e re dhe një gjeneratë intelektuale dhe e pakorruptuar. Ndaj vetëm me ta do të përparojë ky vend dhe ky popull. Këta pushtetarë e bllokuan perspektivën e këtij vendi. Andaj kemi ardhur në një situate tejet të vështirë dhe të patolerueshme. Andaj, populli i Kosovës do gjithsesi përmirësim të gjendjes ekonomike, punësim, ligjshmëri, drejtësi dhe përparim në çdo pore të jetës. A thua, pushtetarët tanë a do të jenë në gjendje që ta përmirësojnë jetën e qytetarëve, apo do ta vazhdojnë me avazin e vjetër që sërish ta zhvatin shtetin dhe popullin?... Dhe, a thua deri kur të presë ky popull që të bëhet më mirë dhe a thua, kur pushteti do t'i kthehet popullit?

(Kosova Sot)