Iluzionet që ngrehin çmimet e aseteve amerikane

Iluzionet që ngrehin çmimet e aseteve amerikane
  • 24 January 2017 - 10:29

Shkruan: Robert J. Shiller

Trump kurrë nuk ka qenë i qartë dhe konsistent rreth asaj se çka do të bëjë si president

Tregjet spekulative gjithmonë kanë qenë të ndjeshme ndaj iluzioneve. Por, hetimi i marrëzisë në tregje nuk ofron asnjë avantazh të qartë për parashikimin e së ardhmes, meqë ndryshimet në forcën e iluzionit janë të vështira që të parashikohen. Në SHBA dy iluzione kanë pasur rëndësi së fundmi në tregjet financiare. Njëri ka të bëjë me perceptimin mirë të ushqyer se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, është një gjeni biznesi, i cili mund t'i përdorë njohuritë e veta në këtë fushë, për ta bërë Amerikën madhështore përsëri. Tjetri iluzion është një iluzion me rrjedhë të natyrshme: proksimiteti i indeksit "Dow 20,000". Indeksi mesatar industrial "Dow Jones" ka qenë mbi 19,000 që nga nëntori dhe ka shumë lajme që janë përqendruar te flirti i tij me barrierën prej 20,000, e cila edhe mund të kalohet derisa të botohet ky koment. Çkado që të ndodhë, Dow 20,000 do të vazhdojë që të ketë ndikim psikologjik në tregje.

Coolidge e Mellon ishin të arsyeshëm dhe të matur në natyrën e tyre

Trump kurrë nuk ka qenë i qartë dhe konsistent rreth asaj se çka do të bëjë si president. Zvogëlimi i taksave është në agjendën e tij dhe stimulimi mund të çojë deri te çmimet më të larta të aseteve. Taksat më të ulëta të korporatave pritet që të çojnë deri te çmimet më të larta të aksioneve, derisa zvogëlimet në taksën mbi të ardhurat personale, mund të çojnë deri te çmimet më të larta të shtëpive. Por, nuk janë vetëm propozimet e Trump-it rreth ndryshimeve tatimore që mund të ndikojnë në psikologjinë e tregut. SHBA-ja kurrë nuk ka pasur një president si ky. Ai jo vetëm që është aktor, sikur Ronald Reagan, ai është edhe shkrimtar i fjalimeve motivacionale, një emër i njohur në ndërtimtari dhe një bërës i ashpër i marrëveshjeve. Nëse ai ndonjëherë zbulon informatën e vet financiare, ose nëse familja e tij është e aftë që të përdorë ndikimin e tij si president, për arritjen e një përmirësimi përfundimtar, ai mundet edhe të tregohet të jetë i suksesshëm në biznes. Ndoshta ndër ish-presidentët amerikanë, që kanë më shumë karakteristika të përbashkëta me Trumpin, ishte Calvin Coolidge, një zvogëlues ekstrem i taksave, me qëllim pro biznesor. "Biznesi kryesor i popullit amerikan, është biznesi", deklaroi Coolidge, derisa sekretari i tij i thesarit, Andrew Mellon - njëri ndër njerëzit më të pasur në Amerikë - ishte në favor të zvogëlimeve të taksave për të pasurit. Ekonomia e SHBA-së gjatë administratës Coolidge ishte shumë e suksesshme, por bumi pati një fund të keq në vitin 1929, sapo mbaroi mandati i Coolidgeit, me një thyerje të tregut të aksioneve dhe me fillimin e Depresionit të madh. Gjatë viteve 1930, vitet 1920 dukeshin 'lulë e beg', por po ashtu konsideroheshin edhe si vite të falsitetit dhe mashtrimeve. Natyrisht, historia nuk është kurrë fat dhe Coolidge është vetëm një vështrim, zor të jetë një bazë solide për të bërë parashikime. Për më tepër, për dallim nga Trump, si Coolidge, po ashtu edhe Mellon, ishin të arsyeshëm dhe të matur në natyrën e tyre.

Lëvizjet e çmimit të aksioneve

Por, nëse ia shtojmë efektit Trump tërë vëmendjen e përkushtuar ndaj "Dow 20,000", atëherë kemi lindjen e një iluzioni të fuqishëm. Më 10 nëntor të vitit 2016, dy ditë pas zgjedhjes së Trump-it, indeksi Dow Jones arriti një vlerë të lartë rekorde dhe, që nga ajo kohë, ai ka thyer edhe 16 rekorde të tjera ditore. Ky duket një lajm i rëndësishëm për Trumpin. Në fakt, Dow kishte shënuar nëntë vlera rekorde para mbajtjes së zgjedhjeve, kur pritej fitorja e Hillary Clinton-it. Në shprehje nominale, Dow ka shënuar një rritje prej 70% krahasuar me vlerën e tij më ët madhe, në janar të vitit 2000. Më 29 nëntor të vitit 2016, ishte bërë e ditur se indeksi i çmimeve për S&P/CoreLogic/Case-Shiller dhe indeksin "National Home Price". Por, këta numra janë iluzorë. SHBA-ja ka një politikë kombëtare të inflacionit të përgjithshëm. Rezerva federale e SHBA-së ka vënë vetes një objektiv të inflacionit prej 2%, ose 22% për çdo dekadë. Por, zor se ndokush përqendrohet te këta numra të ndrequr. Banka Qendrore Amerikane, ngjashëm me bankat e tjera qendrore, është duke ia ulur vleftën valutës, me qëllim që kjo të shkaktojë inflacion. Ideja që aktualisht dëshirojmë më shumë inflacion pozitiv të moderuar, duket të ketë filluar që të marrë formë në qarqet politike rreth kohës së recesionit 1990-1991. Lawrence Summers thoshte se publiku e ka një rezistencë irracionale ndaj deklarimit të rrogës më të vogël, saqë disa prej tyre do t'iu duhet që të vuajnë në një regjim me zero inflacion. Duket se shumë njerëz nuk kuptojnë se inflacioni paraqet ndryshim në njësitë e matjes. Fatkeqësisht, edhe pse caku i inflacionit prej 2% duket si një politikë e mirë, njerëzit janë të prirë që të frymëzohen shumë nga kjo. Irving Fisher e quante këtë fiksim rreth çmimit nominal rritje të "iluzionit monetar". Kjo nuk d.m.th. se ne vendosim rekorde të reja të tregjeve spekulative çdo ditë. Lëvizjet e çmimit të aksioneve janë të prira që të shpeshtohen dhe ta ndjellin atë që ekonomistët e quajnë "shëtitje të rastit" ku çmimet që reflektojnë sasi të vogël të aksioneve ditore, kanë po aq të ngjarë që të jenë pozitiv, apo negativ. Në SHBA, kombinimi i Trump-it dhe një vazhdim i rekordeve të çmimit të ri të aseteve për ata që nuk janë tepër të stresuar nga pozicionet ekstreme në tregje, do të jetë interesante, në mos edhe profitabile, që të shikojmë sesi iluzionet shndërrohen në perceptim të ri - i tillë që implikon nivele të ndryshme për tregjet spekulative.

(Robert J. Shiller, laureat i çmimit 'Nobel' për letërsi në vitin 2013, është profesor i ekonomisë në Universitetin Jejl). Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)