Qysh e lype, populli im, e gjete!

Qysh e lype, populli im, e gjete!
  • 07 July 2015 - 07:51

Shkruan: Riza Greiçevci

("NË MES ATYRE QË PRANOJNË REALITETIN, E ATYRE QË MOHOJNË KËTË, ËSHTË NJË LUMË I MJERIMIT"!)

Ai që ka dije jep nga koka, ai që s'ka dije jep nga xhepi

Një popull, që në ballë të odës, në krye të Kuvendit, në ballë të shtetit, në krye të Universitetit, në shkollë, në Kishë e Xhami, për shtet e pushtet, me symbyllur, zgjedh njerëz të paditur, frikacakë, me sy qorr, me diploma të blera e pa dije, me gojë që s'ngopet me fjalë boshe, me xhepa fund deti, ai popull, medet, fle ditën, vdes natën!

Fjala ndër sy është hallall!

Sot e kam ndarë pak kohë, pse jo, me bisedua pak me ty, populli im! Me t'i thënë disa të pathëna që deri më sot nuk t'i kam thënë. Jam një ashkël e vogëlz karshi Teje, populli im, por, ja që, siç keni thënë, ju, shpesh: "Kokrra e pasulit s'mbahet gjithë nën gjuhë!". Nuk jam rebeluar. Nuk e kam humbur dashurinë, respektin, Zot ruana për Ty, populli im. Edhe unë jam bimë e djepit e gjuhës e gjakut tuaj. Por, ja që kjo jeta jonë, siç po merr frymë sot, me bëhet mua, apo...diçka nuk po shkon në dyzen. Të kam dëgjuar, populli im, tek ke thënë në odë burrash drenicarë: "Nëse ti je i drejtë, edhe fjalët të drejta i ke! Fjala ndër sy është hallall!"

Nëse e vërteta s'është e vërtetë, as liria s'është e vërtetë!

Se je, ai që ishe moti në kohë lashtësie, e sot je po ai që ishe dje, i species ilire, dardane, këtë kam arritur të mësoj. Kam mësuar nga Ti shumë gjëra e përvoja për jetën time! Mësova shumë gjera nga fjala, tradita, zakone e adete tua, populli im! Mësova, shumë, kam mësuar veç- mas për Fjalën, Besën, Mikpritjen, Burrërinë, e mësova shumë edhe për krismat e pushkës tënde. Si sot, më kujtohet, kur ke thënë në një Kuvend burrash: "Një popull, që në ballë të odës qet të padijshmin! Gjynahqarin! Lakmitarin! Në krye të Kuvendit e qet hileqarin, loparin, tyxharin, matrapazin, hajnin, që denbabaden hile i bëri popullit, punës, Zotit, dashurisë, atdheut! Një popull që në ballë të udhëheqjes së vendit e qet pasanikun e pamerituar, hajdutin, rrenacakun, poshtëruesin, legenin, të pabesin, të pangopurin...! Në ballë të Universitetit o nëpër shkolla, prijatar qet politikanin, jaranin, kumbarën, mikun, dashnoren, të paditurin, pa kulturë, dyzet shkronja të alfabetit shqip i dalin..Një popull, i cili qet prijatar, në shtëpitë e Zotit, Kishë e Xhami, njeriun që s'ka as dije, as kulturë, as besim, as moral, as kredi kombëtare, as fetare, s'ka vizion për fe as atdhe, pa tjetër, ai popull të mos shpresojë se do të sheh hair në jetën e tij. Nëse zgjedhim dhenarë, shelegarë e sharlatan, palaço për bari, atëherë prite, ujku do të bëhet çoban i grigjës! Nëse e vërteta s'është e vërtetë, as liria s'është e vërtetë! Çka ta bën vetvetja jote, s'ta bën krejt Stambolli! Ai që pyet popullin është budalla për pesë minuta, kurse ai që s'e pyet për asnjë gjë, është budalla për tërë jetën! O njeri, mos shit qen, me ble këlysh të dyshimtë!".

Amerika, Zot ruana, pushtuese, Serbia fituese...!"

Më trego, sepse, Ti, e di, e kush tjetër, përveç Teje, populli im, mund ta dijë: Kush i solli, dhe pse po gjejnë vend në mendjen e në jetën tonë, do yrnekë e do vese e huqe e minuse, që kurrë, as në sofër, as në odë, as në mendje, as në konakë të shqiptarit s'u gjetën! Diçka po zihet, diçka po fshihet, me nder Teje, populli im, diçka po dhi...! E ti je gjallë, e ti je po ai që ishe dje, shumë para së djeshmes, me shekuj e shekuj, ishe dhe je shqiptar, populli im! Raca më e lashtë në troje të Ballkanit, Evropës! E, si ndodhi, populli im: Këtu miku patjetër duhet të shpallet armik, kurse armiku mik! Këtu ai që vjedh, mashtron, fëlliq, shan e shkel nderin e moralin e vet e të popullit, shkel besën shqiptare, pështyn traditat, adete e zakone, ai njeri sot nderohet nga të gjithë, lavdërohet, atij i buzëqeshin njerëzit, atë e marrin si një shembull i mirë: si duhet të pasurohesh, si mund të hipësh në shtet e pushtet... Amerikën, Zot ruana, disa zëra e quajnë pushtuese, kurse në dialog Serbinë e quajnë fituese! I mbyturi, thotë urtësia popullore, përpiqet me u kapur edhe për fije kashte, vetëm e vetëm për me i shpëtua më të keqes! Jo, bre, jo, e di, populli im, durim, shqiptari s'e pati adet armikun e vjetër me e bërë mik të ri, kurse mikun e shtëpisë me e shpall armik! Hë? Deshe me thanë diçka, populli im? "Po! Kështu veprojnë vetëm ata që kanë rënë në fund të pusit mbushur me llum! Shqiptari, ka zënë pritë armikut, e ka goditur plumb në ballë, por nuk e ka sha, nuk e ka fyer, nuk e ka nënçmuar! 

Ai popull mbyll sytë ditën, vdes natën!

Populli im, që shtatëmbëdhjetë vjet jete (shyqyr, pa dreqin e zi në Kosovë!), përse, o pse, pse, dhe vetëm pse, symbyllur, ose vetë ti e di pse?), për çdo palë zgjedhjesh votën ua qite, ua dhurove, atyre që nuk e merituan: njerëzve të paditur, frikacakë, me fjalë që s'ka pashpirt, me sy qorr, me diploma e pa dije, me gojë që s'ngopet fjalë boshe, me xhepa të thellë fund deti! Dhe, bëre kokën çykë sakice, populli im, bëre atë që nuk u desh ta bësh, humbe krejt çka fitove në male, humbe krejt çka fitove me mikpritje, me besë, me pushkë si burrat. Mos qoftë nga goja ime, Ti,populli im, druaj ke humbur Udhën e UÇK-s! Udhën e legjendarit Adem JASHARI! Ruaju, mos po e humb edhe udhën e Prekazit, të Vlorës, të Krujës...Të kujtohet, e pate thënë, populli im, në një tubim të pajtimit të gjaqeve, në Verra të Llukës: Ai popull që mbyll sytë ditën, vdes natën!

Çka lype, populli im, e gjete!

Pas afro shtatëmbëdhjetë vjet qëkur e lavdishmja, UÇK-ja, e bëri historinë e re, i shembi idhujt e robërisë shekullore, u zdorgj nga malet fitimtare, krenare gjithsesi, një re e zezë u shfaq mbi koka tona. Mbi moralin dhe mbi dëshirat tona, një mjegullnajë u fut në shpirtin, në mendjen e zemra tona, një dreq i zi hyri në gjirmën e shpirtit të kosovarëve, të mëdhenj e të vegjël...Hyri qoftëlargëti në tru, në moral, në shtëpi, në shkollë, në Universitet, në martesë e fejesë, në punësim, në Kishë e Xhami, në konakë miqsh...Hyri në veten tonë krimbi i mashtrimit, i injorancës, i budallallëkut, primitivizmit, e, dreqi, si dreqi! E krimbi si krimi! Kërkon aleatë. Kërkon me shemb e me bre sikur ai krimbi leshatak, me bërë ibret, grima-grima, fjalën, besën, moralin, dashurinë, miqësinë, demokracinë...E, qysh arritën me u bërë pushtetarë, shtetarë, deputetë, parlamentarë, po të mos ishe ti, populli im! Po të mos ishte vota jote! Ti je Ai, vetëm Ti, me votën tënde ua bëre të mundshme me u bërë këta që janë sot! E sot? Hë? Si janë dhe jemi sot? Qysh ishim dje, qysh jemi sot?A jemi sot ata që ishim dje? E kush do të bëhemi nesër? Ti vetë me ke thënë,populli im: Çka e lyp, pa tjetër e gjen!

Pse i mallkon sot, ata që i bekove me votën tënde?

Thua se je i zemëruar? Thua se je i pakënaqur? Thua se je i fyer! Thua se je i tradhtuar, populli im? Thua se je i harruar? Thua se ndjehesh i turpëruar? Heu? Po kush ka aq shpirt e moral dhe aq të drejtë të te sjell Ty, populli im, buzë greminës? Ata...Ato...I njeh mirë, Ti, populli im! I njohe mirë e mirë edhe kur disa herë me radhë ua dhurove e fale votën tënde të lirë! Nuk kanë pikur nga Marsi, as nuk janë pjata fluturuese! As nuk janë xhinde! As melaqe s'janë! Janë ata, bij e bija tua, populli im,që vetë Ti, me dorën tënde, ua hodhe votën! Ua dhurove! I nderove! I ngrite nga balta dhe i hedhe në maje të larta të shtetit. Të Qeverisë. Të Parlamentit. E, sot? Ç't'u ka bërë fytyra si limoni? Dridhesh si thupra në ujë? Sytë i ke të zgurdulluar! Je zbehur, populli im! Të ka humbur vullneti për punë e për jetë! Po dëgjoj se ti, populli im, po fyen, po i fajëson, po i mallkon ata që vetë i zgjodhe me votën tënde! A u mashtrove, populli im! Po i quan tradhtarë! Vrasës! Kriminelë! Hajna!Shitës të Kosovës!Kriminelë ekonomikë! Injorantë! Të pabesë!Mashtrues ! Ti kështu fyen veten tënde! Fyen edhe votën tënde! Ti vetë me ke thënë, populli im: Çka mbjell korrë! Pse i mallkon sot kaq shume, ata që i bekove me votën tënde dje? Jo, jo, ata as këta, të zgjeshurit tuaj me votën tënde, jo s'kanë faj! Ata kërkuan atë që u duhej atyre, e Ti, i dhurove, i nderove, i lejove, dhe çka lype edhe gjete, u mashtrove, populli im! Ata, të zgjedhurit tu, populli im, morën atë që deshën, pa dhunë, me hatër, me dëshirën tënde! Pse ia bëre këtë të keqe Kosovës? Qysh e lype, populli im, e gjete!

Fort i nderuari, populli im!

Atyre që ua dhurove votën e lirë! Atyre që iu fale lejen për t'u bërë zëdhënës e drejtues të drejtësisë, të demokracisë, të së mirës së institucioneve të Republikës së Kosovës! Atyre që po duan me hëngër për së gjalli pavarësinë, lirinë, pasurinë e shtetit të Kosovës! Ata që nuk ngopen edhe po qe se fërgojnë në hell lëkurën, mushkri, e zemër të shtetit të popullit! Ata (krimbat) pushtetarët e pangopur, tani dinë vetëm me brejtur, me grimcuar, me shkretuar, me zhveshur kockat e trupit të njeriut, me përdhunua dashurinë, erzin, lirinë e turpit dhe të frymës së lirë! Krimbat dinë vetëm me kërkua për me mbushur cullën e vet, dhe s'dinë me i dhanë askujt kurrgjë! E godet në lule të ballit. Dhe kush pesë pare s'i jep. As ligji as dielli. As fati as djalli. As shteti as mileti. Bile-bile, kanuni i maleve bëhej i tëri përrallë.

Unë s'kam kohë me i urrye ata që më urrejnë, sepse jam i zënë me ata që më dashurojnë...!

Ti, me gojën tënde, ke bërë thirrje, populli im! Zëri i thirrjes Tënde, sikur ka arritur në shtatë palë qiell, shtatë palë tokë! Deri mbi shpinë të kaut të zi, thonë kanë arritur Lutjet Tua drejtuar djepave, magjeve, maleve, odave, librave, kokave, Vlorës, Krujës, Prekazit, Karadakut, Drenicës, Shalës, Dukagjinit, Malësisë së Madhe, Shqipërisë etnike: "Gjeje një minutë kohë për të menduar! Gjeje një minutë kohë për t'u lutur! Gjeje një minutë kohë për të qeshur! Gjeje një minutë kohë për të nderuar! Gjeje një minutë kohë për të jetuar. Gjeje një minutë jete për të jetuar. Gjeje një minutë jete për të vdekur njeri! Gjeje një minutë jete për të besuar. Ndaje një minutë jete me i pranua mëkatet tua. Ndaje një minutë jete me i pranua humbjet, huqet, gafet, minuset tua. Ndaje një minutë jete me tregua si jetove...Ndaje një minutë me pranua, e ke hak vdekjen. Ndaje një minutë jete me tregua: të lindësh, të jetosh, të vdesësh njeri, është punë mbretërish. Gjeje një minutë kohë për t'u penduar!". Kurse unë, të bëj me dije, sinqerisht, po pres Ti të fillosh betejën prej gjithçkaje që është nder e pasuri kombëtare, dhe, të te them kah del fryma e shpirtit: Unë s'kam kohë me i urrye ata që me urrejnë, sepse, jam i zënë me ata që më dashurojnë, me ata që më duan, jam duke folur me ata që më kuptojnë, gisht për gisht me ata që i japin më shumë Kosovës se sa i kërkojnë, se sa i kanë marrë ose po i marrin! Unë jam i zënë me ata që hyjnë në luftë kundër injorancës, urrejtjes, hajnisë, ata që e duan luftën kundër të keqes në vendin tonë....!