Gjermania në epokën e Trump-it

Gjermania në epokën e Trump-it
  • 08 February 2017 - 10:42

PRESIDENTI I RI NUK DO TË PUNOJË "SIPAS RREGULLAVE TË VJETRA"

Nëse përfundimisht evropianët bashkohen, ata duhet ta evitojnë antiamerikanizmin

Shkruan: Joschka Fischer

Trump është president i Amerikës, por ai nuk është Amerika vetë. Vendet e Atlantikut verior do të vazhdojnë që ta kenë një histori dhe vlerat e përbashkëta, qoftë edhe nën Trump-in, dhe me gjithë ndryshimet që pritet të ndodhin gjatë viteve të ardhshme

Donald Trump është tani presidenti i 45-të i SHBA-së dhe fjalimi i tij inaugurues e bëri të qartë se administrata e tij nuk ka ndërmend që të punojë "sipas rregullave të vjetra". Motoja e tij, "Amerika në rend të parë", sinjalizon refuzimin dhe ndoshta edhe shkatërrimin e rendit botëror të udhëhequr nga SHBA-ja, të cilin presidentë republikanë dhe demokratë, duke filluar nga Franklin D. Roosevelt, e kanë plotësuar dhe mbajtur, përkundër asaj se me një sukses të ndryshëm, për më shumë se shtatë dekada. Nëse Amerika heq dorë nga roli i saj si fuqia kryesore ekonomike dhe ushtarake dhe shkon kah nacionalizmi dhe izolimi, atëherë ajo do ta shkaktojë një ndryshim të rendit botëror, por edhe vetë vendi do të pësojë ndryshime. Në vend se të jetë hegjemon, SHBA-ja do të bëhet njëra ndër shumë fuqitë e mëdha të botës. Që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja ka qenë motori i tregtisë së lirë globale, prandaj një lëvizje kah proteksionizmi, do të ketë ndikim të madh me pasoja ekonomike dhe politike në tërë botën. Implikimi i plotë i një shkarjeje të tillë nuk mund të merret me mend, por që të gjithë ne e dimë se çka ndodhi herën e kaluar kur fuqitë e mëdha të botës u mbyllën në vetvete, gjatë viteve 1930. Aleancat, institucionet multilaterale, garancitë e sigurimeve, marrëveshjet ndërkombëtare dhe vlerat e përbashkëta që e sigurojnë rendin aktual botëror, së shpejti mund të vihen në pyetje, apo të refuzohen në tërësi. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë Pax Americana e vjetër do të jetë shkatërruar pa nevojë nga vetë Amerika. Dhe, pa asnjë alternativë për ta zëvendësuar atë, që të gjithë treguesit anojnë kah trazirat dhe kaosi në një të ardhme të afërt.

Sfida e sigurisë

Dy ish-armiqtë e Amerikës, Gjermania dhe Japonia, do të jenë ndër humbësit më të mëdhenj nëse SHBA-ja heq dorë nga roli i saj global, nën presidencën e Trump-it. Që të dy këto vende ishin ballafaquar me një humbje të plotë në vitin 1945, dhe, që nga atëherë, ato kanë refuzuar çdo formë të "Machtstaat", ose "fuqisë së shtetit". Derisa siguria e tyre garantohej nga SHBA-ja, ato u transformuan në vende tregtare dhe kanë mbetur pjesëmarrës aktivë të sistemit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja. Nëse Trump e heq ombrellën amerikane të sigurisë, atëherë këto dy fuqi të mëdha ekonomike do ta kenë një problem të madh të sigurisë. Derisa pozicioni periferik gjeopolitik i Japonisë mund t'ia lejojë asaj renacionalizimin e kapaciteteve mbrojtëse, ndjekja e një opsioni të tillë mund ta rrisë në një masë të madhe rrezikun nga konfrontimi ushtarak në Azinë Lindore. Kjo është një perspektivë alarmante, duke pasur parasysh se shumë shtete në regjion kanë armë bërthamore. Në anën tjetër, Gjermania gjendet në qendër të Evropës dhe është e rrethuar nga ish-armiqtë e saj të luftës. Ajo është vendi më i madh i Evropës në aspektin ekonomik dhe demografik, por një pjesë të madhe të fuqisë së saj ia ka borxh garancive amerikane dhe institucioneve multilaterale transatlantike, por edhe kornizave institucionale evropiane, të bazuara te vlerat e përbashkëta dhe tregtia e lirë. Rendi ekzistues ndërkombëtar e ka bërë të panevojshëm "Machtstaat"-in dhe sferën e tij shoqëruese të ndikimit. Për dallim nga Japonia, Gjermania nuk mund ta ri nacionalizojë politikën e saj të sigurisë, as në teori, meqë një hap i tillë do ta rrezikonte parimin e mbrojtjes kolektive në Evropë dhe do ta përçante kontinentin. Le të mos harrojmë, qëllimi i rendit botëror të pas Luftës II Botërore ishte integrimi i fuqive armiqësore, në mënyrë që ato të mos paraqisnin më rrezik për njëratjetrën. Për shkak të peshës së saj gjeopolitike, perspektiva e Gjermanisë tani është sinonim me atë të BE-së. Dhe, perspektiva e BE-së nuk është ajo e një hegjemoni, por ka të bëjë me sundimin e ligjit, integrimin dhe pajtimin paqësor të interesave të vendeve anëtare. Vetë pozita e Gjermanisë e bën nacionalizmin të jetë ide e keqe dhe, përpos kësaj, interesat fundamentale politike dhe ekonomike të saj varen nga një BE e fortë dhe e suksesshme, sidomos në epokën e Trump-it. 

Fuqia e Gjermanisë bazohet te fuqia e saj financiare dhe ekonomike

Gjermania gjendet në të njëjtin thes me të gjithë evropianët e tjerë, sa i përket sigurisë. Sikur që nuk mund të ketë siguri të Francës pa Gjermaninë, po ashtu nuk mund të ketë siguri të Gjermanisë pa Poloninë. Për këtë shkak Gjermania dhe të gjitha vendet e tjera evropiane, tani duhet të bëjnë çka të munden për ta rritur kontributin e tyre ndaj sigurisë së përgjithshme brenda BE-së dhe NATO-s. Fuqia e Gjermanisë bazohet te fuqia e saj financiare dhe ekonomike dhe ajo tani duhet ta bartë atë fuqi te BEja dhe NATO-ja. Për fat të keq, ajo më nuk mund të llogaritë te i ashtuquajturi "dividend i paqes", të cilin e kishte në të kaluarën. Përpos sigurisë, interesi i dytë fundamental i Gjermanisë është tregtia e lirë globale. Tregtia ndërevropiane do të mbetet shumë e rëndësishme, meqë nga kjo e siguron jetesën Gjermania, por vitale do të mbetet edhe tregtia me SHBA-në. Nuk do të jetë mirë për Gjermaninë nëse Kina dhe SHBA-ja hyjnë në luftë tregtare. Proteksionizmi kudo mund të ketë pasoja globale. Dhe, përkundër të gjitha rreziqeve që paraqet presidenca e Trump-it për evropianët, ajo ofron edhe mundësi. Vetëm retorika proteksioniste e Trump-it ka ndikuar që të ketë një përafrim midis Kinës dhe Evropës. Ajo që është më e rëndësishme, administrata e re amerikane ua ka ofruar përfundimisht shansin evropianëve që t'i ngjeshin radhët, të rriten dhe ta rrisin pozicionin e tyre gjeopolitik dhe fuqinë e tyre. Por, nëse përfundimisht evropianët bashkohen, ata duhet ta evitojnë antiamerikanizmin. Trump është president i Amerikës, por ai nuk është Amerika vetë. Vendet e Atlantikut verior do të vazhdojnë që ta kenë një histori dhe vlerat e përbashkëta, qoftë edhe nën Trump-in dhe përkundër shumë ndryshimeve që pritet të ndodhin gjatë viteve të ardhshme. 

(Joschka Fischer ishte ministër i Jashtëm dhe zëvendëskancelar i Gjermanisë midis viteve 1998-2005) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"  

(Kosova Sot)